OpEd

Dialogun e pret një e ardhme e paqartë

Pas 5 vjetësh të mandatit të Lajçakut, që pati detyrë të sjellë zgjidhjen finale “brenda muajsh e jo vjetësh”, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale sesa që ishin. Gjasat për normalizim të plotë janë më të vogla sesa që ishin. Paqartësitë në dialog janë më të mëdha sesa ishin. Lajçaku nuk mund të jetë i vetmi fajtor për këtë. Por ai po e lë procesin në një gjendje shumë të paqartë

Emërimi i ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajçak si i dërguar i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë para pesë vjetësh kishte krijuar pritje të mëdha. Thuhej se emërimi i tij po bëhet në një kohë kur dialogu është pothuajse i bllokuar. Qeveria e atëhershme në Kosovë, e quajtur Kurti 1, nuk pranonte idenë për ndarjen e Kosovës të kamufluar përmes idesë për “shkëmbim territorial”. Angazhimi amerikan, përmes ish-ambasadorit në Gjermani Richard Grenell, nuk shihej me simpati në Bruksel, sepse e kishte nxjerrë nga loja BE-në. Këtë ide e mbështeste ish-presidenti Hashim Thaçi, por jo edhe Qeveria. Nisi edhe pandemia e Covid-19 që për disa muaj pamundësoi takimet sy me sy në kuadër të dialogut.

Kur u emërua Lajçaku, u tha se “për herë të parë BE-ja ka një diplomat dhe politikan të kalibrit aq të lartë që do të merret me dialog 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë”. Se ai do të lehtësojë dialogun me synimin që brenda muajsh e jo vitesh të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Thuhej se arritja e një zgjidhjeje të tillë është “urgjente”, sepse, siç thuhej “status quoja në raportet mes Kosovës dhe Serbisë është e paqëndrueshme dhe po pengon tërë rajonin”.

Pas 5 vjetësh të mandatit të Lajçakut, që pati detyrë të sjellë zgjidhjen finale “brenda muajsh e jo vitesh”, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale sesa që ishin. Gjasat për normalizim të plotë janë më të vogla sesa që ishin. Paqartësitë në dialog janë më të mëdha sesa që ishin. Lajçaku nuk mund të jetë i vetmi fajtor për këtë. Por ai po e lë procesin në një gjendje shumë të paqartë.

Në vend të “marrëveshjes gjithëpërfshirëse” u tha se u arrit vetëm një “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. Pra jo “marrëveshje për normalizim”, por “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. Madje as ajo marrëveshje nuk u nënshkrua. Këtë e refuzoi Serbia. Dhe këtu doli në shesh ajo që dyshonin disa qarqe që nga fillimi, roli i Lajçakut për të ndihmuar Serbinë që ajo të mos mbetet fajtore për dështim. Në fillim kur Serbia refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen në shkurt të vitit 2023, u tha se ajo do të nënshkruhej vetëm kur të arrihet dhe aneksi për implementimin e saj. Dhe kur u arrit ai aneks, as ai nuk u nënshkrua. BE-ja pastaj nisi atë që në komunikim quhet “spin”, duke thënë se “nuk ka rëndësi nënshkrimi, por implementimi” dhe se e drejta ndërkombëtare njeh edhe marrëveshje gojore, të cilat bëhen obligime ligjore. Pas kësaj, Serbia bëri të qartë, me shkrim, me fjalë dhe me vepra se nuk e ka ndërmend të zbatojë disa pjesë të marrëveshjes.

BE-ja vërtetë e bëri zbatimin e marrëveshjes si obligim për Serbinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Por pasi as anëtarësimi në BE nuk është obligim, atëherë as zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk mund të quhet si obligim ligjor i Serbisë. Çka bëhet nëse Serbia nuk dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Dhe fundi i fundit, Kosova nuk ka dobi nga moshyrja e Serbisë në BE.

Problemi tjetër që Lajçaku dhe Borrelli kanë krijuar është natyra e marrëveshjes. Ata shpesh thuhet të kenë thënë nëpër takime në BE, në nivel të ambasadorëve apo të ministrave, se kanë marrë premtime nga liderët e Serbisë dhe Kosovës se do ta zbatojnë marrëveshjen në plotni. Por ato obligime nuk janë askund me shkrim. Kryeministri i Kosovës ka ofruar që të nënshkruhet, por Serbia nuk ka pranuar, e BE-ja ka pasur mirëkuptim për Serbinë. Tash kur Serbia të thotë se nuk ka pranuar ndonjë pjesë të marrëveshjes, a do të duhet gjithmonë të thirren si dëshmitarë Lajçaku dhe Borrelli?.

Lajçaku po e le edhe situatën në terren në Kosovë me plot tensione si pasojë e dështimeve në dialog. Ai në fillim të mandatit thoshte se një prej arritjeve më të mëdha në proces ishte shuarja e strukturave paralele të Serbisë. Se ato nuk ishin shuar u pa kur Kosova nisi t’i mbyllë ato dhe BE-ja bëri ftesë që të mos mbyllen dhe të lejohen të punojnë derisa të mos themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Dhe BE-ja qëllimisht i quan strukturat si “të mbështetura nga Serbia” edhe pse vetë Serbia i quan si “institucione shtetërore të Serbisë që sigurojnë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së Serbisë edhe në Kosovë e Metohi”. Pra ato nuk janë institucione vetëm për të dhënë shërbime për qytetarët, por për të dëshmuar aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Duke lejuar këtë, BE-ja në periudhën e Lajçakut ka arritur një lloj “normalizimi të mosnjohjes së Kosovës”.

Një prej pikave më të rëndësishme për Kosovën të marrëveshjes është detyrimi i Serbisë që të mos e kundërshtojë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Serbia, me shumë sukses, ka shkelur këtë dhe ka penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa ka inkurajuar edhe vendet e BE-së që të mos lejojnë as avancimin e Kosovës drejt BE-së, që është shkelje edhe e kësaj marrëveshjeje si edhe e asaj nga viti 2013. Ndërkohë ajo që BE-ja e përmend si sukses, zbatimin e marrëveshjes për targat apo dokumentet, është zbatuar pasi Kosova ka nisur masat reciproke. Dhe për veprimet e saj që BE-ja i ka quajtur “të njëanshme dhe të pakoordinuara”, këtë e ka bërë edhe SHBA-ja, Kosova vazhdon të jetë nën sanksione, ndërsa Serbia jo. Lajçaku ka luajtur një rol të madh në këtë. Dhe ai po largohet duke e lënë Kosovën nën masa të BE-së. Ndërsa Serbia nuk ka marrë asnjë përgjegjësi as për sulmet terroriste në Banjskë në vjeshtë të vitit 2023, sulme që shefi i diplomacisë së BE-së dhe Lajçaku vetë i quajtën terroriste, edhe pse udhëheqësi i këtyre sulmeve ka pranuar kryerjen e veprës.

Tash kur diplomati Peter Sorensen po e merr përsipër postin, nga i cili po largohet Lajçaku nuk mund të thuhet se do të ketë një “fillim të ri”. Sepse nuk mund të ketë më fazë që mund të quhet “fillim” kur procesi po zgjat tash e 13 vjet. Pasardhësi i Lajçakut mund të jetë dhe do të duhej të jetë, i paanashëm. Por ai nuk do të mund të bëjë ndonjë ndryshim të madh në proces, pasi vërtet suksesi më së shumti varet nga vullneti i palëve. E Sorensen nuk do të ketë fuqinë që të detyrojë liderët në Serbi dhe Kosovë të bëjnë diçka nëse pas vete nuk do t’i ketë fuqitë e mëdha. Lajçaku i pati në një moment, por ai moment nuk u shfrytëzua dhe procesi shënoi një prapakthim gjatë mandatit të tij. Pra me gjuhën e BE-së, epilogu i mandatit pesëvjeçar të Lajçakut do të mund të quhej “backsliding”. Përkundër kësaj, ai do të përcillet nga BE-ja me lëvdatat më të mëdha, me falënderime për punën e shkëlqyeshme që ka bërë. Pak ka rëndësi që privatisht janë të shumtë ata në BE që janë të kënaqur me progresin e dialogut gjatë mandatit të tij.