OpEd

Dialogu pa qëllime të qarta duket se më nuk ka kuptim

Nuk presim nga Borrelli dhe Lajçaku të thonë se “nuk besojmë se do të ketë marrëveshje” dhe se dialogu “do të zgjasë edhe 10 vjet”. Por të thuash 22 vjet pas luftës, 11 vjet pas nisjes së dialogut, se “vetë fakti se takimi u zhvillua është sukses”, dëshmon dobësitë e mëdha të BE-së për ta çuar dialogun nga përmbyllja e suksesshme. Por Borelli dhe Lajçaku janë të pozitë komode, sepse fajin për dështim mund t’ua lënë palëve

Gjatë luftës në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë, e besa edhe para atyre luftërave, takoheshin nëpër konferenca ndërkombëtare “të paqes” liderët e tri kombeve që ishin në luftë: Franjo Tugjman i Kroacisë, Alija Izetbegoviq i Bosnjë-Hercegovinës dhe ai i Serbisë, Slobodan Milosheviq. Por përderisa konferencat zhvilloheshin, të dërguarit e posaçëm të BE-së, OSBE-së, OKB-së, Këshillit të Evropës e tjerë shkonin e vinin, lufta vazhdonte me gjithë elementet e tmerrshme si krimet, gjenocidi, pastrimi etnik, shkatërrimet. Edhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe bashkëpunëtorët e tij takoheshin me liderët e Serbisë. Përkundër kësaj, situata nuk përmirësohej, por vetëm keqësohej.

Fjalia më ironike tash e 30 vjet nga goja e përfaqësuesve ndërkombëtarë ishte ajo se “vetë fakti se ata u takuan është sukses i madh”. Dhe tash kjo po përsëritet edhe në rastin e takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në pamundësi të japin ndonjë element pozitiv nga ky takim, ndonjë gjë që mund të rrisë besimin në mundësinë e arritjes së marrëveshjes, zyrtarët e BE-së përsërisin sloganin se “ishte sukses se takimi u zhvillua”.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, për të cilin ky ishte takimi i parë, dha disa propozime për temat e dialogut. Presidenti i Serbisë e quajti takimin si “takim çfarë nuk ka parë asnjëherë më parë” dhe se “absolutisht asnjë gjë” nuk ishte për të cilën u pajtuan. Tha se ka pasur fjalë të rënda.

Ajo që Vuçiqi e përsëriti disa herë është se “përfaqësuesit e BE-së patën mirëkuptim për qëndrimet e tij”. Pala e BE-së, duke vazhduar me të vjetrën, nuk u prononcua. Përfaqësuesi i lartë, Borrell, para se të zhvillohej takimi, jo që nuk tha asgjë konkrete, por e pati të vështirë edhe të lexonte një prononcim që dukej se ia kishin përgatitur të tjerët. Gjithsesi nuk u duk sikur po fliste për diçka që për të është prioritet, diçka që ai beson se do të përmbyllet shpejt me sukses. Më shumë u dha argumente disa diplomatëve që kanë filluar të dyshojnë në fuqinë e politikës së jashtme të BE-së që të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për delegacionin e Qeverisë së Kosovës gjithsesi do të duhej të ishte e rëndësishme që u zhvillua ky takim. Jo për të parë se çfarë qëndrimi ka Vuçiqi, por për të kuptuar më mirë rolin e BE-së si “lehtësues”. Sepse në takime që kanë në mënyrë bilaterale me delegacionet e të dyja shteteve, zyrtarët e BE-së thonë gjëra të ndryshme. Por se çfarë saktësisht mendojnë Borelli dhe Lajçaku mund të kuptohet vetëm në takime të përbashkëta, në të cilat marrin pjesë edhe Kurti, edhe Vuçiqi.

Edhe ne gazetarët në të kaluarën kemi pasur raste kur qëllimisht zyrtarët e BE-së donin të na takonin ndaras nga kolegët nga Serbia. Dhe na thoshin se “çështja e statusit është e kryer”, se “Kosovën e kanë njohur Gjermania, Franca, Italia e Britania dhe nuk mund të ketë kthim prapa”. Kur i pyetëm se a mund ta kemi një takim të përbashkët edhe me kolegët serbë, një zyrtar shumë i lartë ishte tejet i sinqertë: “Jo, se atëherë nuk do të mund t’u themi këtë që ua thamë”.

Ish-shefi i delegacionit të Kosovës në dialog, Skënder Hyseni, në një “raport” për dialogun, për të cilin ka pasur më pak informacione sesa në raportime të mediave, kishte shkruar se Lajçaku atij i kishte thëne se “njohja e ndërsjellë është qëllimi i dialogut”. Nuk dyshojmë në këtë. As nuk dyshojmë se Hyseni i ka dëgjuar këto fjalë nga Lajçaku e as që Lajçaku i ka thënë këto fjalë. Dhe me siguri ka edhe shumë politikanë, dhe jo vetëm, kosovarë që e kanë dëgjuar të njëjtën gjë nga Lajçaku.

Por kjo nuk vlen asgjë përderisa ai këtë nuk e thotë në prani të delegacionit të Serbisë. Dhe përderisa ky qëllim nuk proklamohet si qëllim i dialogut edhe nga BE-ja, Serbia do të jetë e inkurajuar në qëndrimin që të mos e njohë Kosovën dhe të përsërisë atë që e tha në Bruksel Vuçiqi se “kurrë nuk do ta njohë Kosovën”.

Nëse vërtet BE-ja e ka për qëllim njohjen e ndërsjellë, e që askush me logjikë të shëndoshë nuk e mohon si mundësi të vetme për suksesin e dialogut, ka ardhur koha ta thotë këtë publikisht. Prandaj BE-ja duhet të reagojë ndaj deklaratave të Serbisë se “kurrë nuk do ta njohë Kosovën”, sepse ato automatikisht sugjerojnë se nuk do të ketë normalizim të raporteve.

BE-ja tërë dialogun e ka zhvilluar deri tash duke e marrë si fakt se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe “të shohë se çfarë mund të bëjmë pa e kontestuar këtë qëndrim të Serbisë”. Për përfaqësuesin e lartë Borrell dhe të dërguarin e posaçëm Lajçak, është përforcuar edhe më shumë mirëkuptimi në BE për pozicionet e Serbisë. Dhe kryeministri Kurti nuk do ta ketë të lehtë në dialog të përballet me këtë realitet, nëse diçka nuk ndryshon me ndërhyrjen e shteteve kryesore të BE-së. Dikush mund të thotë se “Borrelli dhe Lajçaku zbatojnë politikën e BE-së”, por fakti tjetër është se ata edhe janë kreatorë të asaj politike.

Nuk presim nga Borrelli dhe Lajçaku të thonë se “nuk besojmë se do të ketë marrëveshje” dhe se dialogu “do të zgjasë edhe 10 vjet”. Por të thuash 22 vjet pas luftës, 11 vjet pas nisjes së dialogut, se “vetë fakti se takimi u zhvillua është sukses”, dëshmon dobësitë e mëdha të BE-së për ta çuar dialogun nga përmbyllja e suksesshme. Por Borelli dhe Lajçaku janë në pozitë komode, sepse fajin për dështim mund t’ua lënë palëve. Nëse vetë BE-ja nuk ka arritur të ketë një qëndrim unik rreth statusit të Kosovës që prej publikimit të Propozimit të Ahtisaarit, e Borrelli dhe Lajçaku kanë dhënë kontributin e tyre si ministra të jashtëm të vendeve nga vijnë që të mos ndërtohet uniteti i BE-së rreth statusit të Kosovës, si do ta bindë Serbinë që të ndryshojë qëndrimin ndaj statusit të Kosovës. Pyetjen që kryeministri i Kosovës, Kurti, ia ka bërë presidentit të Serbisë, Vuçiq, se “kur do ta njihni Kosovën”, sipas Vuçiqit, do të duhej të ishte pyetje që e bën BE-ja. Nëse BE-ja nuk shkon në këtë drejtim, atëherë vërtet parashtrohet pyetja se a ka kuptim dialogu i tillë dhe pas takimeve të përsëritet se “takimi nuk ishte i lehtë”, por se “mirë që u zhvillua”.