OpEd

Dialogu me të papëlqyerin: realitet i domosdoshëm pas zgjedhjeve lokale

Në vend të retorikave dhe veprimeve populiste, që e ushqejnë iluzionin e fitores, por që në fakt nuk paraqesin asgjë tjetër veç humbjes në afat të gjatë, nevojitet një politikë largpamëse, e mençur, e cila e afirmon Kosovën si një vend paqësor, synimet e së cilës janë bashkëjetesa paqësore e brendshme në fqinjësi të mirë me të gjithë. Për ta arritur këtë, duhet ulur në tavolinë edhe me ata që nuk të pëlqejnë, por që i ke realitet politik; të ndërtosh mekanizma të besueshëm institucionalë në veri që nuk varen nga forca, por nga besimi i ndërtuar në mes të komuniteteve. Një narrativë e re, në të cilën Kosova shihet si shtet që e do dhe përpiqet për paqen, e vë Kosovën në pozicion më të favorshëm sesa që është tani. Në të kundërtën, do të mbetemi peng i një spiraleje në të cilën farsa e krijon historinë e që, gjithsesi, nëse përsëritet, do të jemi viktima e saj e parë

Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të kenë ndikim të madh në politikën e Kosovës. Këto zgjedhje do t’i thellojnë kontradiktat politike në katër komunat me shumicë serbe në veri të lumit Ibër. Paqartësitë do të jenë edhe më të mëdha kur e kemi parasysh krizën politike në kryeqendër, që do të prodhojnë pasoja akoma më të thella në raport me veriun. Prandaj, është më se e domosdoshme që krizës aktuale t’i jepet një zgjidhje, ngase pas zgjedhjeve lokale situata në veri do të ndryshojë plotësisht. Atje pushtetin do ta fitojë Lista Serbe, dhe kjo do të ketë ndikim të madh në atë se si do të zhvillohen ngjarjet në veri.

Qeveria e legjislaturës së tetë (2021-2025) e ka pasur luksin e veprimit në veri në prani të pushteteve lokale të PDK-së dhe LVV-së, për shkak të bojkotit të qytetarëve serbë, të orkestruar nga Beogradi dhe Lista Serbe. Mirëpo, përveç dislokimit të forcave speciale pas dorëheqjes masive të policëve serbë, kjo qeveri nuk ka zhvilluar programe konkrete të integrimit të serbëve. Në vend të kësaj, ajo është marrë me veriun kryesisht përmes pranisë policore në emër të shtrirjes së sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës. Mirëpo, kjo politikë nuk mund të prodhojë efekte afatgjata, sepse, në fund të fundit, prania policore shërben për ta ruajtur rendin publik, e jo për t’u dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve të veriut, të cilët, dorën në zemër, nuk e pëlqejnë praninë e forcave të rendit, ashtu siç janë të pranishme sot.

Prandaj, një qeveri e ardhshme e Kosovës, nëse është kësmet që ta kemi – po mbështetem në kësmet, sepse logjika e shëndoshë nuk mund ta kapë dot këtë që po ndodh tash e katër muaj në Kuvend – duhet të mendojë seriozisht për mënyrat se si t’i qaset veriut.

Mendoj se për këtë janë dy rrugë: e para është të instalohet një dialog i brendshëm me përfaqësuesit legjitim të serbëve në veri, e këta përfaqësues sigurisht se do të jenë të Listës Serbe, një forcë politike që është besnike e pushtetit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Refuzimi i dialogut me këtë parti politike nuk është në interes të Kosovës. Ky refuzim nga LVV-ja, por edhe nga partitë e tjera, bëhet për shkak të konsumit të brendshëm dhe ka masë të madhe të hipokrizisë në këtë refuzim. Shpallja tradhtarë e atyre që refuzojnë të bashkëbisedojnë me Listën Serbe nuk është asgjë më shumë sesa një patriotizëm i rrejshëm, i bazuar në etno-nacionalizmin folklorik, të cilit në fund nuk do t’ia shohë hairin askush. Për këtë shkak, në rrezik timin, që edhe unë të shpallem tradhtar nga ndonjë patriot fejsbukian, po e them se nuk ka asgjë të keqe nëse Kuvendi konstituohet dhe qeveria zgjidhet edhe me pjesëmarrjen, pro ose kundër, të deputetëve të Listës Serbe.

Dihet botërisht që Lista Serbe është vegël e pushtetit të Vuçiqit. Mirëpo, ky është realitet politik dhe nëse merr pjesë në procesin zgjedhor, pjesëtarë të saj do të jenë ata me të cilët duhet ulur dhe diskutuar për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në veri. Lista Serbe mund edhe të organizojë protesta paqësore apo të dhunshme që do të jenë të drejtuara kundër pranisë së institucioneve shtetërore të Kosovës në veri. Për ta parandaluar një gjë të tillë, duhet menduar se si të instalohet një polici lokale, e cila do ta reflektonte përbërjen e popullsisë në veri. Ky pra, do të jetë problemi i parë me të cilin do të ballafaqohemi pas zgjedhjeve lokale. Pastaj, në rend vijnë edhe institucionet e drejtësisë, prej të cilave po ashtu ka pasur dorëheqje masive të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë. Problemet e tjera, siç janë punësimi, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike janë procese që kërkojnë më shumë kohë, por të cilave, secila qeveri e ardhshme e Kosovës duhet t’u kushtojë rëndësi të veçantë, sepse, nëse shteti është i pranishëm në veri vetëm përmes forcave të policisë, kjo jo vetëm që nuk do ta paqësojë veriun, por do ta thellojë më tutje rezistencën e popullsisë serbe atje ndaj pranisë së shtetit të Kosovës në veri.

Për ta tërhequr një paralele me këtë që sapo e thashë më lart, e që mund të jetë paralele e padrejtë, por gjithsesi nga e cila mund të marrim mësim, po e citoj një fragment të kujtimeve të Tibor Varadit, një hungarez etnik dhe ish-zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë (Jugosllavisë së cunguar), në kohën sa kryeministër i kësaj federate ishte serbo-amerikani Millan Paniq. Paniqi e kishte porositur Varadin që të bisedonte me shqiptarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë të vitit 1992 dhe të votojnë për të (kundërkandidat i tij ishte as më pak e as më shumë se kasapi i shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve, Sllobodan Millosheviqi), për ta rrëzuar kështu nga pushteti Millosheviqin dhe për ta rivendosur statusin e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Ky i fundit po e kontrollonte Kosovën përmes policisë speciale dhe represionit sistematik policor. Sipas Tibor Varadit, në një bisedë që e kishte pasur me profesor Fehmi Aganin, ish-nënkryetar i LDK-së dhe dora e djathtë e presidentit Ibrahim Rugova, ky i kishte thënë se për shqiptarët vërtet do të jetë edhe më keq me Millosheviqin sesa me Paniqin, porse me Millosheviqin në krye të Serbisë, Kosova e kishte të garantuar pavarësinë. Natyrisht se të përcaktuar për pavarësi, shqiptarët nuk morën pjesë në zgjedhjet e Serbisë, me gjithë premtimet e Paniqit, por i organizuan zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale për Republikën e Kosovës, që atëbotë quheshin zgjedhje paralele.

Prandaj, fokusimi në polici, si mjet i vetëm për ta shtrirë sovranitetin në veri, mund të prodhojë kundër-efekte dhe që kërkesat politike të serbëve të avancojnë në dëm të ekuilibrit delikat ndëretnik të Kosovës. Po e them ekuilibër delikat, sepse në këtë mes hyn edhe Serbia, si kujdestare politike dhe ofrues i mirëqenies sociale për shumicën e serbëve të Kosovës. Prandaj, rruga e dytë do të jetë vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani duhet të bëhet përmes një plani të veprimit, të cilin duhet ta propozojë Bashkimi Evropian për të dyja palët. Kosova, natyrisht, duhet të kërkojë garanci se nuk do të pengohet në anëtarësimin në organizata dhe institucione ndërkombëtare dhe se Serbia nuk do të ndërhyjë në Kosovë, në çfarëdo mënyre – politike, ekonomike, sociale (aq më pak ushtarake), pa marrëveshje eksplicite me Kosovën, e cila duhet ta japë pajtimin për ndërhyrje të tilla.

Dialogu, pra, nuk bën të shndërrohet në qëllim në vetvete, por në mjet të rregullimit/normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen de fakto si periudhë tranzitore dhe njohjen de jure si finale e këtij normalizimi. Këtë qëndrim e kanë edhe SHBA-ja, edhe liderët e fuqive më të mëdha evropiane (Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e bashkuar). Prandaj, tensionet politike në vijën Prishtinë-Beograd janë në kundërshtim me interesin vital shtetëror të Kosovës, sepse vetëm sa i thellojnë kontradiktat dhe e ushqejnë nacionalizmin serb. Dialogu, zbatimi i marrëveshjeve të arritura që e mundësojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare janë interes vital shtetëror.

Të mos flasim për sanksionet aktuale të Bashkimit Evropian dhe për bllokimin e mjeteve financiare qindra-milionëshe si pasojë e bllokadës institucionale. Të mos flasim as për reputacionin e Kosovës, i cili është duke u dëmtuar, mbase edhe në mënyrë të pakthyeshme, si pasojë e paaftësisë së akterëve politikë për të gjetur zgjidhje për krizën aktuale politike. Të mos flasim për stagnimin e integrimeve euro-atlantike dhe për mungesën e investimeve të huaja.

Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e NATO-s, e aq më pak e Bashkimit Evropian (nuk mundi të anëtarësohet as në Këshillin e Evropës) nëse nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nëse veriu nuk paqësohet me mjete politike. Mungesa e dhunës që po e shohim aktualisht në veri, nuk është garanci se dhuna nuk do të ndodhë nesër. E kur ajo të ndodhë, përsëri do të jemi të pranishëm në kryetitujt e mediave ndërkombëtare si vend jostabil, kurse nacionalistët në Beograd do ta përdorin këtë për t’u viktimizuar dhe, si pasojë, kërkesat politike të serbëve mund edhe të rriten dhe të futen në agjendat e kancelarive perëndimore. Kur kjo të ndodhë, nuk do të ketë kthim prapa. Do ta kemi gëlltitur hapin e hidhët të humbjes de fakto (nëse jo de jure) të sovranitetit në një pjesë të territorit. Kjo mund edhe të shkaktojë konflikte të armatosura dhe futje në luftë, e cila do të zhvillohej te ne e jo diku tjetër.

Ndokush nga ata kokëshkretët mund edhe të thotë: “Ani çka nëse bëhet luftë?”. Ka nga ata “patriotë” që edhe do ta kërkonin luftën, në të cilën nuk do të kishte fitues, por vetëm humbës. E neve lufta na konvenon më së paku, sepse në rast lufte, e përsëris, ajo do të zhvillohej në vendin tonë, jo diku tjetër. Prandaj, një politikë që nuk e përligj retorikën nxitëse dhe viktimizuese të Beogradit është ajo që i nevojitet më së shumti Kosovës. Beogradi, prejse e njohim, e ka përdorur viktimizimin për ta përligjur dhunën në Kosovë. Kjo ka ndodhur gjatë viteve të tetëdhjeta, kur në emër të mbrojtjes së serbëve në Kosovë, Millosheviqi e fitoi pushtetin dhe e filloi fushatën për ta shtrirë kontrollin e Serbisë, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë ish-Jugosllavinë. Asgjë nuk ka ndryshuar në strategjinë e Beogradit. Për dallim prej atëherë, Beogradi po vetëpromovohet si “ruajtës i paqes dhe i stabilitetit” në dëm të Kosovës, të cilën sanksionet e BE-së po tregojnë se po mbahet përgjegjëse për përshkallëzim.

Prandaj, në vend të retorikave dhe veprimeve populiste, që e ushqejnë iluzionin e fitores, por që në fakt nuk paraqesin asgjë tjetër veç humbjes në afat të gjatë, nevojitet një politikë largpamëse, e mençur, e cila e afirmon Kosovën si një vend paqësor, synimet e së cilës janë bashkëjetesa paqësore e brendshme në fqinjësi të mirë me të gjithë. Për ta arritur këtë, duhet ulur në tavolinë edhe me ata që nuk të pëlqejnë, por që i ke realitet politik; të ndërtosh mekanizma të besueshëm institucionalë në veri, që nuk varen nga forca, por nga besimi i ndërtuar në mes të komuniteteve. Një narrativë e re, në të cilën Kosova shihet si shtet që e do dhe përpiqet për paqen, e vë Kosovën në pozicion më të favorshëm sesa që është tani.

Në të kundërtën, do të mbetemi peng i një spiraleje në të cilën farsa e krijon historinë e që, gjithsesi, nëse përsëritet, do të jemi viktima e saj e parë.