OpEd

Dëbimi i ëndërrimtarëve

Ëndërrimtarët janë pothuajse subjekt i përsosur për diskrecion prokurorial. Ata nuk e kanë shkelur me vetëdije ligjin; prindërit e tyre ose të afërmit ishin ata që e shkelën. Dhe sipas definicionit, ëndërrimtarët janë njerëzit që e respektojnë domosdo më së miri ligjin për shkak të telasheve të përfolura

Kundërshtarët e regjur të imigrimit e kanë një përparësi kur vjen puna te agjenda e tyre: Shtetet e Bashkuara duhet të fuqizojnë sundimin e ligjit.

“Po të bëhej fjalë për ndonjë temë tjetër, nëse do të bëhej fjalë për evazion taksash, dhe ne po të thoshim, paj mirë, nuk e kanë shkelur me dy këmbët ligjin – kanë mashtruar pak, dhe nuk do të mundë të thoshin, hej, a përnjëmend t’i çojmë në burg apo t’i ndëshkojmë me një gjobë?” – ka shtruar pyetjen Sean Spicer prej zyrës për informim të Shtëpisë së Bardhë kur ende ishte sekretar për media.

“Dhe tekefundit, ligjet janë ligje”, shtoi Spicer. “Dhe nëse njerëzit kanë problem me ligjin, pavarësisht a bëhet fjalë për çështje lokale, shtetërore ose federale, atëherë duhet t’u dorëzojmë peticion ligjvënësve dhe qeveritarëve në ndonjë degë të caktuar të Qeverisë, dhe ta ndryshojmë”.

Administrata e Trumpit tani duket e gatshme që ta mbrojë këtë argument skajshmërisht dhe t’i rrezikojë me depërtim 80 mijë Ëndërrimtarë – njerëz që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë. Në aspektin teknik, administrata synon t’i japë fund programit të njohur si DACA, Aksioni i vonuar për fëmijët e porsaardhur.

Kostoja humane e ndryshimi do të ishte e lartë. Ëndërrimtarët “janë rritur në Amerikë, dhe nuk kanë asnjë shtet tjetër që mund ta konsiderojnë vendlindje. Shpërngulja e këtyre të rinjve do t’u shkaktonte dëme të pariparueshme”, shkruan David Coleman, presidenti i Bordit të Kolegjit, organizatë që zakonisht i shmanget politikës. Ndryshimi i politikës, shkruan në CNN Elizabeth Aranda, profesoreshë në Universitetin e Floridës Jugore, “mund t’i kthejë në kohën kur ata ishin të frikësuar dhe të pasigurt për çdo hap të tyrin”.

Përveç kostos njerëzore, ma merr mendja se është e rëndësishme gjithashtu të përfshihet në debat edhe argumenti filozofik i zyrtarëve të Trumpit – se ligjet janë ligje, dhe se ata thjesht po i zbatojnë. Është gabim i madh për shkak se injorohet shumë shkelje ligjore që i injoron Qeveria jonë.

Ta zëmë, dje e kam shkelur ligjin. Dje e kam këputur rrugën në pjesën ku nuk kishte zebra për këmbësorët dhe policia nuk më ndali. Pardje, ta zëmë, e shkela ligjin meqë e shkela gazin më shumë se e lejonte kufizimi i shpejtësisë. Për më tepër, që është edhe më e rëndësishme, shumica e emigrantëve që hynë në fillim të shekullit të njëzetë në Shtetet e Bashkuara, shkelën ligjin kur kaluan kufirin me dokumente të falsifikuara.

Qeveria nuk ia kushtoi burimet e veta përndjekjes së tyre – ose të më arrestonte mua gjatë javës – sepse kishte prioritete më të rëndësishme. “Prioritizimi i burimeve për zbatimin e ligjit nuk është kurrgjë e re”, shkroi Janet Napolitano, ishkryeprokurore, ish-guvernatore dhe ish-sekretare e Sigurisë së Brendshme në një opinion të publikuar vjet në “Times”. “Është i njohur si ‘diskrecion prokurorial’, dhe mund ta shohim ngado që kthejmë kokën – prej departamenteve lokale të policisë që vendosin ta ndalin filan makine në trafik e deri te prokurorët federalë që fokusohen në një mashtrim më të madh se të merren me të gjitha shkeljet”.

Ëndërrimtarët janë pothuajse subjekt i përsosur për diskrecion prokurorial. Ata nuk e kanë shkelur me vetëdije ligjin; prindërit e tyre ose të afërmit ishin ata që e shkelën. Dhe sipas definicionit, Ëndërrimtarët janë njerëzit që e respektojnë domosdo më së miri ligjin për shkak të telasheve të përfolura. (Ndryshe, ata do të ishin subjekte të dëbimit, meqë Qeveria federale e ka prioritet dëbimin e emigrantëve ilegalë që kryejnë shkelje të reja ligjore).

Duke marrë hapa për dëbimin e tyre, veprohet ashpërsisht dhe pa konsistencë në raport me vlerat tona legale. Nëse administrata e Trumpit e ka vendosur, tani dëshiron të zë sebep për çfarëdo shkelje që janë të fushave të tjera sa për të justifikuar dëbimin.

Rekomandoj të lexoni opinionin e Bret Stephensit për Ëndërrimtarët shkruar në qershor, si dhe opinionin e ri të Linda Greenhouset për rastin e bujshëm të emigrantëve të kësaj administrate në Gjykatën Supreme.

Në një rrëfim të lidhur me këtë, amerikanët e rinj po tëhuajësohen prej Partisë së sotme Republikane, derisa ekspertja republikane, Kristen Soltis Anderson, shpjegon në opinionin e fundit të Ron Brownsteinit në “The Atlantic”.

A ishit dikur përkrahës i Trumpit, që tani ua ka prishur qejfin presidenti, ose a e njihni dikë që i shkon për shtat ky përshkrim? “Times” dëshiron të dëgjojë se çfarë mendojnë amerikanët.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës amerikane, “New York Times”, prej së cilës është marrë komenti)