Zgjohem sot dhe si edhe pas çdo zgjimi të çdo dite tjetër, pas përfundimit të procedurave të mëngjesit, shfletoj kabllogramet e mëngjesit. Kërkuesin Google e kam ashtu të "programuar", që automatikisht të më njoftojë për artikujt e rinj, ku si mbititull të tyre kanë Kosovën. Ashtu ndodhi edhe sot. Më arriti njoftimi për një artikull në “Washington Times” nga J.Michael Waller. Në të vërtetë, sa më përket mua, ky artikull lirisht ka mundur që për autor ta kishte edhe Vojislav Sheshelin, pasi që ishte shkruar në frymën dhe nga dioptria e tij fashiste. E di se cinikët do të thoshin që po Amerika është vend demokratik dhe mendimi ndryshe është njëri nga strumbullarët e këtij vendi demokratik, mirëpo në atë zanatin e diplomacisë njeriu e kupton se nuk ndodh rastësisht një artikull në “Washington Times” në kohë pandemie, 21 vjet më pas, me titull për dështimin e moçalit të Bill Clintonit të quajtur Kosovë, para fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Nuk e di saktësisht se kush është ky personazh dhe çfarë paraqet.
Nuk kisha se si të mos e shpërndaja këtë shkrim edhe në murin tim në Facebook.
Për mua si diplomat i rryer nga ky zanat është brengosëse, sepse kjo më bën që të kuptoj që lobi serb në Amerikë është në gatishmërinë e tij më të madhe dhe është duke e bërë punën e tij prapa skenave për fillimin e një narrative të re për dështimin e investimeve amerikane në Kosovë dhe dështimin e shoqërisë/politikës/shtetit kosovar.
Për t'ia shtuar shijen e hidhur këtij artikulli, është edhe deklarata e njërit prej akademikëve nga radhët e LDK-së para disa netësh, Kujtim Shala, i cili deklaroi se kur e kanë pyetur administratën amerikane (lexo Grenellin) se po qe se hiqen tarifa dhe reciprociteti me Serbinë, a do të mund kryeministri (lexo Albin Kurti) t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, përgjigjja e administratës amerikane (lexo Grenellit) ka qenë JO.
Kjo deklaratë e administratës amerikane paska mjaftuar që përkundër edhe rolit kushtetues, edhe vendimeve me rezoluta të Kuvendit të Kosovës mbi rolin udhëheqës të kryeministrit dhe Qeverisë në bisedimet me Serbinë, që këta burra me t’u kthyer nga Amerika për në Republikën ku nuk rriten bananet, por rritet çiçibojnuzi, të bëjnë mocion mosbesimi ndaj kryeministrit dhe Qeverisë, pjesë e së cilës ishin edhe vetë dhe ta rrëzojnë atë në kohë pandemie. Kështu Çiçibojnuz Republika, e barasvlershme me Banana Republikat e Amerikës Latine, është e gatshme ta rrënojë kushtetutshmërinë e saj me fishkëllimën më të vogël të çfarëdo emisari, qoftë ai edhe nga Shtëpia e Bardhë.
Sigurisht se ditari im ka filluar të bëhet repetitiv me ngjarjet dhe narrativin e vet, mirëpo e kam të vështirë që të shkruaj për gjëra dhe tema të tjera, kur Kosova dhe bota janë duke kaluar nëpër këto situata.
Nuk pretendoj se unë jam ai i cili kam në pronësi të vërtetën absolute, por sigurisht jam njëri nga ata i cili e jep edhe një mendim shtesë, më ndryshe, të bazuar nga gjendja faktike dhe duke e përcjellë rrjedhën e ngjarjeve me një logjikë të shëndoshë, e cila nuk është peng i askujt. Përfitimet e mia nga cilido aktor i politikës kosovare janë 0. Kurrë as edhe një kafe nuk e kam pirë me asnjërin nga ta, kurrë as edhe një favor nuk e kam kërkuar për veten time nga asnjëri prej tyre dhe kredibiliteti dhe paanshmëria ime nuk janë në hipotekë te asnjëri nga këta protagonistë.
Çiçibojnuz Republika faktorizon njerëz pa kurrfarë peshe dhe legjitimiteti politik që buron nga qytetari i Kosovës. Kush është Skënder Hyseni? Aq më intereson mua pozita e njerëzve në kuadër të partive të tyre politike, por çfarë përfaqëson ky njeri për votuesin e rëndomtë kosovar? Absolutisht asgjë. Aspiratat, ambiciet dhe lojërat e tij brendapartiake politike janë e drejtë legjitime e tij, mirëpo këtij xhuxhi politik (jo për nga shtatlartësia e tij, por nga pesha e tij politike) lojërat brendapartiake thuajse ia ngarkojnë përgjegjësitë politike këpucët, për të cilat këmba e tij është paksa më e vogël dhe do të zërë në thua me to.
Në Çiçibojnuz Republikë, presidenti i saj Kushtetutën e ka shndërruar në një album nga ato të fëmijërisë sonë "Mbretëria e kafshëve", ku ai si gjarpër në fron vendos edhe heq fotografitë e kafshëve të tjera të mbretërisë sipas tekeve të tij gjarpërore. Lëkura e gjarprit shitet shtrenjtë në tregun politik dhe këtë gjë presidenti i Çiçibojnuz Republikës na e ka dëshmuar sa e sa herë dhe çuditërisht ende ka njerëz të cilët dyshojnë në këto pohime. Në fakt, as ata nuk dyshojnë, mirëpo çdo të arritur të tyre jetësore dhe "profesionale" e kanë të vendosur në hipotekë tek gjarpri, kështu që personalisht kanë shumë për të humbur po që se do t’i suleshin gjarprit në këtë kohë. Mirëpo e njohim ne sojin e tyre. Këta do të bëhen ata më të zhurmshmit kundër tij një ditë të bukur, kur ky gjarpër nuk do të përgjigjet për të gjitha të bëmat e tij.
Në Çiçibojnuz Republikë gjithçka është e mundshme. Në Çiçibojnuz Republikë Televizioni Publik deklaron se Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit për një gjë, për të cilën Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim. Normalisht që kjo shtëpi publike mediatike ka vite të tëra që e shpërndan këtë lloj mjegullnaje në emër të sejmenëve të tyre, të cilët i vendosën aty nëpër vendet përgjegjëse të punës. Aty i vetmi person tragjiko-komik, i cili po mungon është Hajrie spikerica. E kujtojmë të gjithë atë qenie me shpirt të shitur, e cila i lexonte lajmet 10-minutëshe në gjuhën shqipe nga televizioni i uzurpuar i Prishtinës nga ana e regjimit serb. Tashmë roli i Hajrie spikericës ka evoluar në pozita drejtorësh, kryeredaktorësh dhe redaktorësh.
Në Çiçibojnuz Republikë, në emër të demokracisë bëhen veprime jodemokratike për arritjen e një qëllimi politik. "Kurrë mos e nënvlerësoni fuqinë e budallenjve në grupe të mëdha", kishte deklaruar komediani i ndjerë amerikan, George Carlin. E fuqinë e tillë e hasim në thirrjet e 82 deputetëve, të cilët numrin e tyre prej ⅔ të votave na e shesin si diçka absolute në emër të popullit. Ja që rregullat e demokracisë janë pak më të ndërlikuara se mendja shterpe e këtyre njerëzve dhe atyre të cilët avokojnë për ta. Besimin e juaj të fituar kthejeni te sovrani dhe kërkojeni prapë për një konstalacion të këtillë dhe po qe se e merrni, atëherë mund të flisni për 82 votat dhe përfaqësimin e popullit. Përndryshe, gjithçka ishte vetëm një tyxharllëku i rëndomtë politik dhe asgjë më shumë. Ju jeni larg nga populli me vite drite. Transaksionet e këtij tyxharllëku do t’i kuptojmë më vonë, njëjtë sikur edhe ato të mëhershmet kur në Kuvend trimat e LDK-së e zgjidhnin Hashim Thaçin për president.
Në Çiçibojnuz Republikë kurtizanet flasin dhe ndërtojnë normat e moralit në shoqëri. Në Çiçibojnuz Republikë sharlatanët thirren për "ekspertiza" nga më të shumëllojshmet. Në Çiçibojnuz Republikë matrapazët me kollare, pjesë e llumit të shoqërisë, ndërtojnë vlera dhe norma shoqërore. Në Çiçibojnuz Republikë të dënuarit dhe keqpërdoruesit e sistemit të shëndetësisë të japin ters në televizione për pandeminë dhe dështimin e shtetit për mbrojtje nga Covid-19. Në Çiçibojnuz Republikë është me rëndësi që t’i besosh gënjeshtrës tënde, sepse për t’i bindur të tjerët do ta kesh një makineri të tërë në shërbimin tënd.
Në Çiçibojnuz Republikë nuk ekziston përgjegjësia etike. Ti mund të thuash dhe të bësh çfarë të duash, duke e ditur se nuk do të ketë kurrfarë pasojash për ty, se për ndonjë dorëheqje morale as që mund të flasim. Ato në Çiçibojnuz Republikë bëjnë pjesë në fanta-shkencë.
Në Çiçibojnuz Republikë ti mund të jesh i bankrotuar nga kredibiliteti yt qoftë profesional, qoftë personal, mirëpo ti do të jesh aty në rreshtin e parë të hiçave, të cilët njihen sikur opinionbërës të shoqërisë kosovare.
Në Çiçibojnuz Republikë ata të cilët nuk e kërkuan besimin e popullit, apo të cilët me 1,000 salto politike mezi e kapërcyen pragun zgjedhor sot flasin për zgjidhjet që duhet marrë shteti në emër të popullit.
Në Çiçibojnuz Republikë kujtesa vazhdon të mos e tejkalojë atë të peshkut dhe harresa bëhet banori kryesor në trurin e një politikani të pandërgjegjshëm. E nënvlerësojnë fuqinë e popullit, të cilit nuk po i lënë opsion tjetër, përveçse të dalë në rrugë…