Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Çasti i së vërtetës i demokracisë amerikane

Vetëm duke e pranuar realitetin e kthesës autoritare në politikat amerikane, erozioni i mëtutjeshëm demokratik mund të luftohet. Pa marrë parasysh se cili është rezultati, kjo detyrë mbetet

Në çaste të caktuara të historisë – rëndom pasi që përparimi i konsiderueshëm shoqëror t’i ketë zhbllokuar segmentet e caktuara të shoqërisë – një individ shfaqet në skenën politike, duke pretenduar se ngrihet për diçka të madhe dhe të re. I regjur në artet e vetëprezantimit dhe manipulimit emocional, ai (është përherë një burrë) i rrëmben zemrat dhe mendjet e milionave me kapardisjen prej maçoje.

kohën e duhur, një lloj kulti personal ngrihet përreth tij. Dhe ndonëse është kërcënuar apo ka përdorur dhunën në ngritjen e tij drejt pushtetit, ai prapëseprapë gëzon mbështetjen e besnikëve, të cilët e shohin si shpëtimtarin që do t’ia sjellë rendin botës në rrëmujë.

Ky përshkrim tipik i burrështetasve që qeverisin me grusht të çeliktë u shkon për shtati shumë liderëve aktualë. Dhe, duke nisur prej Brazilit të Jair Bolsonaros e Turqisë së Recep Tayyip Erdoganit krejt deri te Rusia e Vladimir Putinit e Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën Donald Trumpin, ata janë pikërisht burrat që qeverisin me disa prej vendeve më të rëndësishme gjeopolitike për botën.

Qëkur Donald Trumpi e mori detyrën në fillim të 2017-s, SHBA-ja ka përjetuar erozion të demokracisë dhe ka qenë dëshmitare e shpalosjes së një udhëheqjeje autoritare. Zgjedhjet presidenciale në afrim janë prandaj një referendum për drejtimin e ri joliberal, së cilës Amerika i ka hyrë nën një president që ka shndërruar ekstremizmin e së djathtës ekstreme në një rrjedhë të përgjithshme dhe ka ndjekur politika të jashtme të bazuara në aleancat transatlantike me despotët vrastarë kudo përreth botës.

Zgjedhjet përherë mund të ngërthejnë befasi, siç ka treguar disfata e papritur e Hillary Clintonit më 2016. Megjithëkëtë, një drojë ekzistenciale mbizotëron rreth zgjedhjeve të 2020-s, të cilat kanë nxjerrë në pah mundësitë që më herët ishin krejtësisht të paimagjinueshme. Trumpi vazhdimisht ka sinjalizuar se mund të refuzojë që t’i bindet humbjes, dhe shumëkush druan se mund edhe të nxitë dhunë politike po qe se rezultatet nuk i shkojnë për shtati. Vetë mundësia e krejt këtyre skenarëve është simptomë e mjedisit të degraduar demokratik politik, dhe dëshmi e qartë se sa larg aktualisht ka avancuar ribërja autoritare e Amerikës së Trumpit.

Disa ekspertë, si kolumnisti konservator i “New York Times”, Ross Douthat, tallen me përshkrimin e Trumpit si burrështetas. Ata e shohin yllin e dikurshëm televiziv si tepër të dobët dhe në kajde të palaços për t’i shkaktuar dëm serioz shoqërisë amerikane, edhe në rast se rizgjidhet.

Duke i përdorur si matës regjimet thellësisht joliberale, si atë të Rusisë së Putinit, këta skeptikë përqendrohen në ato që Trumpi nuk i ka bërë. Ai nuk i ka mbyllur mediat opozitare apo nuk ka vendosur kontroll të plotë mbi gjyqësorin dhe institucionet e tjera, andaj çfarë ka për t’u shqetësuar?

Por ky është një krahasim çorientues. Çdo lider modern autoritar e nis punën në një shoqëri me liri më të mëdha, dhe gradualisht e jetëson procesin e kapjes së shtetit. Sidomos në shekullin njëzetenjë, evolucioni, më shumë sesa revolucioni (apo ndonjë tentim puç ushtarak), ka qenë modeli nëpërmjet të cilit liria është zëvendësuar me despotizëm. Për më tepër, pa një shikim të esëllt kah ato që Trumpi ka realizuar, ne nuk mund të jemi në gjendje që të kuptojmë se si mbërritëm deri në këtë pikë të rrezikshme, apo çfarë të presim në javët, muajt apo vitet në vijim, në rast se Trumpi e siguron rizgjedhjen.

Historiku i presidencës amerikane është një udhërrëfyes i dobët për interpretimin e veprimeve të Trumpit, nisur prej marrëdhënies së tij me elitat politike republikane që i janë qepur pas edhe gjatë skandaleve të tija seksuale e korruptuese, hetimeve për shkarkim, dhe keqmenaxhimin e dukshëm me pandeminë COVID-19.

Në vend të kësaj, duhet t’i kthejmë sytë kah modelet e “qeverisjes personale” të autoritarëve, në të cilat pushteti përqendrohet te një individ, interesat politike e financiare të së cilit rëndom i mbizotërojnë interesat kombëtare. Nën regjimet e këtilla, besnikëria ndaj liderit dhe aleatëve të tij, dhe pjesëmarrja në korrupsionin e tij, më shumë sesa ekspertiza apo përvoja profesionale, janë kualifikimet parimore për shërbim në qeverisje.

Suksesi i Trumpit në adoptimin e shtresës politike është përherë më i vërejtshëm, kur të kihet parasysh se shumica e despotëve të tjerë e themeluan apo e bazuan ngritjen e tyre përbrenda vetë partive të tyre.

Erdogani, kryeministri hungarez Viktor Orbani dhe Benito Mussolini, për shembull, kanë pasur bazë të etabluar pushteti shumë kohë para se i kanë filluar zaptimet e tyre autokratike të pushtetit. Trumpi nuk e ka pasur një mjet të tillë tanimë të krijuar për jetësimin e ambicieve të tija. Por brenda një periudhe kohore prej vetëm pak vjetësh, ai ia ka dalë ta transformojë Partinë Republikane në një tjetër franshizë personale.

Nga ana e tyre, republikanët duket se e konsiderojnë Trumpin si një mënyrë për përmbushjen e synimeve të tyre të kahershme (në mbrojtjen e hegjemonisë së bardhë krishtere, derregullimin e sektorëve të tërë të ekonomisë dhe shkurtimin e taksave për më të kamurit). Por pa marrë parasysh se cilat janë arsyet e tyre, ata janë rreshtuar prapa tij në numër aq të madh dhe me aq furi sa ta transformojnë Partinë e Madhe të Moçme.

Për sa i përket këtij qarku zgjedhor, partia nuk ka ofruar platformë politike, dhe në vend të kësaj ka përpiluar një deklaratë të frikshme të “mbështetjes së pakusht për presidentin Donald Trump dhe administratën e tij”, duke e ilustruar një klimë frike dhe frikësimi që tani ngadhënjen përbrenda partisë. Republikanët janë tkurrur në cilësinë e zhvilluesve të betejave të burrështetasit, duke i njollosur armiqtë e tij dhe duke e mbrojtur atë kundruall çfarëdo forme të llogaridhënies, përfshirë edhe hetimin për shkarkim të fillimvitit.

Kjo marrëdhënie autoritare lider-pasues reflekton një ndryshim thelbësor në kulturën politike të Partisë Republikane që amerikanët do të duhet ta marrin në konsideratë, pa marrë parasysh rezultatin zgjedhor.

Një sërë studimesh krahasimore të kohëve të fundit kanë treguar se Partia Republikane nuk është më një organizatë thelbësisht demokratike, as në retorikë e as në veprime. Tani është diçka më e afërt me partitë e Orbanit dhe Erdoganit sesa me konservatorët britanikë apo demokristianët gjermanë.

Në fakt, shumë kohë para se Trumpi të shfaqej, Partia Republikane, e lartësuar përbrenda një universi të fuqishëm të mediave djathtiste, po i flakte përkushtimet e mëhershme ndaj nocioneve demokratike të tolerancës së dyanshme dhe qeverisjes dypartiake. Por, Trumpi ka legjitimuar elementet ekstremiste që dikur ishin izoluar në periferinë e partisë.

Siç këshilltarja e lartë e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, kishte shkruar në Twitter menjëherë pas inaugurimit të Trumpit, në kundërpërgjigje ndaj furisë së shkaktuar rreth urdhrit të tij për ndalimin e udhëtarëve nga vendet me shumicë myslimane: “Mësohuni me këtë. @PRESIDENTIISHBA-së është një burrë i veprimit dhe ndikimit. Premtime të dhëna, premtime të mbajtura. Shokim për sistemin. Dhe veçse ka filluar”.

Qëllimisht e zbatuar pa ndonjë paralajmërim, ndalesa e udhëtimit e vuri vendin në gjendje kaosi, duke i ofruar publikut dhe nëpunësve federalë një prezantim të thellësishëm rreth administratës që, me mbështetjen e plotë të Partisë Republikane, i kishte shpallur luftë vetë popullit të saj. Gjatë katër vjetëve pasues, Trumpi dhe pasuesit e tij do t’i ndanin fëmijët imigrantë prej familjarëve, do të vendosnin forcat federale kundër demonstruesve paqësorë, të inicionin një fushatë masive dezinformimi dhe të shpërbënin apo të riorientonin agjenci të numërta qeveritare.

Vetëm duke e pranuar realitetin e kthesës autoritare në politikat amerikane, erozioni i mëtutjeshëm demokratik mund të luftohet. Pa marrë parasysh se cili është rezultati, kjo detyrë mbetet.

(Ruth Ben-Ghiat, profesoreshë e historisë dhe studimeve italiane në Universitetin e New Yorkut, është eksperte e regjimeve autoritare dhe liderëve të tyre, si dhe autore e librit të ardhshëm: “Strongmen: Mussolini to the Present”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Artikuj të ngjashëm