Kur flasim për këtë protagonistin tjetër, presidentin e Kosovës, asgjë nuk është më i dëmshëm coronavirusi sesa që është ky burojavirusi ynë. Sa herë që ky prononcohet, aty diku është i fshehur një qëllim meskin. Është lojtar i rryer i intrigave dhe varrmihës i kundërshtarëve të vet politikë, e pse jo edhe i partnerëve. Të vetmin partner që Hashimi nuk e ka tradhtuar asnjëherë është egoja e tij
Do ta shkruaj ditarin tim të radhës pa drojën se nga gazeta e blerë disi do të mund të infektoheshit dhe të sëmureshit nga coronavirusi. Jo se unë e kam atë, por një gazetë që del nga shtypshkronja dhe procesi i distribuimit kalon duar më duar, aty gjithmonë ekziston rreziku i kontaminimit të tyre.
"Koha Ditore" është përkujdesur që gjatë gjithë kohës sa do të zgjasin masat parandaluese kundër coronavirusit të mos shtypet, por lexuesi të ketë qasjen e plotë në versionin online të gazetës pa pagesë. Kudos Flaka për këtë vendim.
Pasi që nuk ekziston rreziku i kontaminimit, ditarin tim do ta shkruaj pa dorëza. E shikoni, iniciativa e Flakës - udhëheqëse e një gazete, televizioni dhe një shtëpie botuese - është iniciativë e një personi privat dhe një biznesi privat, por që masë preventive ka mbrojtjen e qytetarit, duke mos e shpërndarë gazetën e saj të shtypur. A mund ta mendoni se ku do të ishte Kosova jonë sot sikur një qasje të tillë ta kishin edhe njerëzit, të cilët edhe paguhen për mirëqenien e popullit të tyre dhe të cilët e kanë kërkuar edhe votën e qytetarit për atë besim. Në fakt, ata njerëz të cilëve do t’iu referohem në këtë ditar nuk patën as kurajë që ta kërkonin votën e qytetarit, por ja që partitë me saltot e tyre mortare i vendosin ata njerëz në pozita ministrore dhe në pozita të tjera udhëheqëse qeveritare.
E këta njerëz të pavotuar nga askush luajnë me fatin e popullit të tyre në kohë krizash, kur mbarë bota po vuan nga një pandemi e cila po i shemb nga sistemi shërbimet shëndetësore të sofistikuara, dhe të cilat as nuk mund të krahasohen me katrahurën politike të quajtur QKUK, pjellë e politikëbërësve të 20-vjeçarit të fundit. Ka shumë mjekë dhe personel mjekësor të përgjegjshëm, të cilët punojnë aty dhe këto ditë puna dhe sakrifica e tyre janë më se evidente. Por ka edhe shumë nga ata të cilët aty e kanë kullotur si në bashqe të babës, prandaj edhe sot ky segment shoqëror gjendet në situatën në të cilën gjendet. Sikur të mund të fliste ai qeni topall pranë QKUK-së, sigurisht se do të dëgjonim drama dhe trilogji nga më të ndryshmet.
Çfarë pamë ditëve të kaluara? Kabllogramet diplomatike tani janë kthyer më shumë në thirrje për bashkëpunim të qytetarëve me organet qeveritare të cilat e menaxhojnë situatën e krizave në vendet e tyre. Evropa është shndërruar në vatër të krizës së virusit COVID-19 dhe më së keqi e pësoi Italia deri në këto momente kur unë po shkruaj këtë ditar. Deri më tani atje janë të evidencuar 35.713 të infektuar me virus dhe 2.978 vdekje. Është numër shumë i lartë i fataliteteve, edhe pse zyrtarët italianë thonë se të gjithë të vdekurit ishin të moshës 83+ dhe të cilët vuanin edhe nga sëmundje të tjera kronike. Coronavirusi vetëm sa e komplikoi gjendjen e tyre shëndetësore, të cilën ata nuk ishin në gjendje që ta përballonin. Sido që të jetë, ikja e tyre nga jeta në këtë mënyrë është e trishtueshme. Edhe shtetet e tjera evropiane kanë ndërmarrë masat e tyre preventive kundër pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Disa nga shtetet duke mësuar nga gabimet e shtetit italian e disa shtete të tjera duke luajtur poker me fatin e qytetarëve të tyre. Njëra ndër to është edhe Britania e Madhe me një qasje ndryshe ndaj pandemisë, ndaj së cilës unë jam shumë skeptik. Qofsha i gabuar.
Coronavirusi nuk është duke u zhdjergë me digitron në dorë dhe MS Excel që t’ia përshtatë statistikat dëshirave dhe prognozave të qeverisë. Pandemia më shumë do ta përshtatë luftën e saj bazuar në injorancën e popullatës dhe të qeverive për parandalimin e saj. Me tempin si është duke shkuar Britania e Madhe me qeverinë e saj londineze për parandalimin e kësaj pandemie, kjo çfarë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me Italinë, do të na tingëllojë sikur një ninullë. Jo nuk jam duke mbjellë panik, por as nuk dua të shtirem injorant ndaj realitetit të hidhur i cili po rëndon mbi ne. Në të njëjtën kohë ushtria britanike i ka në gatishmëri 20.000 ushtarë, të cilët mund t’i dalin në ndihmë qeverisë në çdo kohë që asaj i kërkohet nga qeveria.
Qeveria e Kosovës kishte filluar me masat e parandalimit me mbylljen e shkollave dhe kopshteve, më pas të ndalimit të fluturimeve nga aeroporti "Adem Jashari", me mbylljen e kufijve, si dhe masat e tjera të ndryshme përbrenda vendit. U futën në karantinë katër qendrat e para prej ku rezultuan 20 të infektuar deri më tani. Qeveria mori lëvdata edhe nga Ambasada amerikane, edhe nga ajo gjermane për menaxhimin e situatës, të cilën po e bënte Qeveria duke e krahasuar atë edhe me atë të vendeve të tjera shumë më të zhvilluara evropiane. Një natë të bukur i teket profesorit Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, që të shkruajë një status në Facebook, ku ai po kërkonte vendosjen e masave të jashtëzakonshme në vend. Nuk vonoi dhe të nesërmen presidenti Thaçi me të marrë dritën jeshile nga ish-partneri i tij qeveritar e thirri Këshillin e Sigurisë së Kosovës, ku iu tha se ai do ta dorëzonte dekretin e tij në Kuvend për aprovimin e masave të jashtëzakonshme. Masa këto të cilat do ta merrnin ushtrimin e fuqisë ekzekutive nga dora e Qeverisë, respektivisht nga kryeministri Albin Kurti. I nderuari profesor Mustafa, a jeni këshilluar ju me partnerin tuaj qeverisës para se të bënit një status me një kërkesë të tillë? Ju jeni duke qeverisur bashkë apo jo? Sepse të tërat që i dëgjuam nga ana e LDK-së qysh nga formimi i këtij koalicioni qeverisës ishin ankesat e juaja se qysh kryeministri Albin Kurti nuk ishte këshilluar me ju për tarifën, për disa shkarkime të tjera dhe disa vendime të tjera qeveritare. Ju dërguat edhe emisarin e juaj partiak në Washington, Skënder Hysenin. A u konsultuat me partnerin e juaj qeverisës për këtë gjë?
Kjo loja kush kujt po ia len këmbët e arushës në dorë më nuk po pin ujë.
Kur flasim për këtë protagonistin tjetër, presidentin e Kosovës, asgjë nuk është më i dëmshëm coronavirusi sesa që është ky burojavirusi ynë. Sa herë që ky prononcohet, aty diku është i fshehur një qëllim meskin. Është lojtar i rryer i intrigave dhe varrmihës i kundërshtarëve të vet politikë e pse jo edhe i partnerëve. Të vetmin partner që Hashimi nuk e ka tradhtuar asnjëherë është egoja e tij. Të gjithë të tjerët e kanë provuar puthjen e gjarprit. Nuk do të shihja në parim asgjë të keqe edhe në masat e jashtëzakonshme, mirëpo kur e di se kush është president dhe kush merr fuqi ekzekutive me atë akt, atëherë jam më se i bindur se qëllimet e tij nuk janë aspak të sinqerta, por thjesht meskine, me kalkulimet e tij për të shpëtuar lëkurën e vet. E ajo lëkurë nuk ka çmim të cilin ky nuk është i gatshëm për ta paguar në mënyrë që ta shpëtojë atë. Së fundmi dolën edhe letërkëmbimet e tij me sekretarin e shtetit amerikan, z. Pompeo, ku presidenti Thaçi kërkon nga ai pengimin e Gjykatës Speciale apo ndërprerjen e saj. Pse burojavirusi asnjëherë nuk e paditi eurodeputetin Dick Marty ashtu siç kishte proklamuar pasi që Dick Marty po e kërcënonte burojavirusin me vepra të krimeve të luftës. Se si ka mundur të udhëheqë një njeri si ky një shtet si Kosova për 15 vjet më shumë më tregon për gjendjen e atij elektorati dhe populli, të cilët e votojnë këtë sesa për te personalisht.
Ditën e djeshme kryeministri Kurti e shkarkoi nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Arsyen e këtij shkarkimi e tregoi kryeministri në një prononcim të gjatë për media, të cilin e pati në mbrëmjen e 18 marsit.
Z. Veliu gjithmonë kishte qenë kundërshtar i këtij koalicioni dhe emërimin e tij nga Isa Mustafa unë gjithnjë e kam shikuar si "Kalin e Trojës" përbrenda këtij koalicioni, dhe ajo rezultoi të ishte e vërtetë. Tashmë LDK-ja po kërcënon me ngritjen e një mosbesimi për kryeministrin Kurti. Tamam mendon se i ke parë dhe dëgjuar të gjitha mbrapshtillëqet e mundshme politike del LDK-ja dhe të surprizon me një të re.
P. S. Albin, sa i përket luftës për parandalimin e coronavirusit unë mendoj, e edhe shumë lexues dhe qytetarë të Kosovës me siguri do të pajtoheshin me mua, se Qeveria e juaj dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, keni bërë një punë të mirë, mirëpo nuk e di se sa ke qenë i përgatitur për burojavirusin, prej të cilit lëngon Kosova qe 20 vjet. Vaksina kundër këtij virusi ende nuk është zbuluar. 20 vjet edhe në deti me të çu mërzitesh e lëre më të vuash nga burojavirusi.