Kosova gjendet në udhëkryq vendimesh. Në këto vendime dhe drejtime, të cilat do t’i marrë Kosova tani, do të varet drejtimi që Kosova do ta marrë për së paku edhe 30 vjetët e ardhshëm, prandaj unë e shoh se ne gjendemi në një kohë shumë sensitive dhe determinuese për zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë në çdo sferë të zhvillimit
Sirtari im është përplot kabllograme diplomatike nga më të ndryshmet, të cilat kanë arritur që nga shkrimi im i fundit në ditar.
Koronavirusi vazhdon të shënojë progres dhe të përhapet në vende të ndryshme. Kam përshtypjen se mediet shkaktojnë edhe më shumë panik se që në të vërtetë paraqitet rreziku nga ky virus. Në Britaninë e Madhe janë shënuar më se 80 raste të të infektuarve me koronavirusin. Qeveria britanike sot ka sjellë një vendim të ri, i cili thotë se ata nuk do ta njoftojnë publikun në baza ditore në lidhje me rastet e reja të të sëmurëve me koronavirusin. Arsyeja qëndron në faktin se, pasi që po njoftohen rastet, po ka lëvizje të popullatës nga ai vend në një tjetër, e Qeveria dëshiron që t’u ikë skenarëve të tillë. Sot pashë foto të ndryshme të postuara në Facebook, ku “Oxford Street” e Londrës, vend ku zakonisht gjatë ditës frekuentojnë me qindra e mijëra njerëz, sot ishte shumë më i zbrazët dhe si duket njerëzit u ikin turmave, si masë preventive për të mos u infektuar me këtë virus. Si do të rrjedhin gjërat në ditët dhe javët të cilat do të vijnë mbetet të shihet.
Skena politike në Kosovë ende gjendet në ngërçin e tarifës ndaj mallrave dhe produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, insistimin nga SHBA-ja që ajo të pezullohet pa kurrfarë kushtëzimesh, ndërsa në planin qeveritar është një çakordim sa i përket pajtimit midis partnerëve të koalicionit qeverisës në atë se si t’i qasen kësaj çështjeje. LDK-ja e kërkon pezullimin e saj, ndërsa kryeministri Kurti është që të ketë heqje graduale të tarifës, si dhe implementimin e reciprocitetit me Serbinë.
Në anën tjetër janë mediet mercenare që, për agjenda dhe qëllime kush e di se çfarë, shkaktojnë presion të tepruar dhe merren me lajme të rreme, që të shtojnë presionin, si dhe t’i frikësojnë qytetarët. Unë nuk e di se në cilin shtet të botës mund të shihni debate politike me analistë politikë 5-6 herë në javë me minimum 1 orë program pothuajse në të gjitha televizionet nacionale dhe lokale. Tash jemi edhe dëshmitarë të zgjedhjeve lokale në Podujevë për kryetar të Komunës ku kandidatët, duke dashur që ta bindin qytetarin e tyre që t’ua japë votën, merren me tema madhore, siç janë Amerika, çështja e tarifës, si dhe shumë gjëra të tjera, që aspak nuk hyjnë në kompetenca të kryetarit të ri të Komunës së Podujevës. Edhe në studiot e televizioneve më të avancuara debatet e analistëve lënë shumë për të dëshiruar. Shpeshherë më lënë përshtypjen se nuk e tejkalojnë as nivelin e një çajtoreje të mëhallës. Shumë shpesh më shkon mendja se edhe Pentagoni, Shtëpia e Bardhë, Kongresi Amerikan, NSA-ja, NASA, si dhe Kremlini i kanë sytë dhe veshët të drejtuar dhe të hapur drejt televizioneve dhe debateve tona politike, ku ata përgojohen aq shpesh dhe me aq lehtësi.
Kabllogrami i fundit diplomatik, të cilin e lexova mbrëmë vonë, kishte të bënte me faktin se Baton Haxhiu kishte dhënë "dorëheqjen" nga pozita e drejtorit të Klan Kosovës. Batoni e ka këtë shkathtësi që e di kur duhet ta shpallë veten të "vdekur" për të na dalë prapë pas një kohe diku tjetër "lugat". E tash mendoj se për shërbimet, të cilat ua ka bërë shokëve të tij, e në veçanti Edi Ramës, ky tash mund të shpërblehet me një post diplomatik - nëse nuk jam gabim, ky tabelat e xhipit të vet i ka pasur diplomatike, tash vetëm nevojitet një zyrtarizim i një misioni diplomatik ku ai do të shërbente. Pse të mos jetë Rusia njëra nga ato opsione, për shembull? Sa bukur i buzëqeshej në foto Lavrovit me fytyrë pelin gjatë vizitës në Moskë së bashku me Edi Ramën javën që lamë pas. Këto janë insinuata të mia diplomatike, se jo që kam ndonjë informatë në lidhje me emërimin e tij si pjesë e diplomacisë shqiptare. Mbetet të shihet ky parashikim imi prej diplomati të rryer.
Shkarkimet e ndryshme të bordeve menaxhuese të ndërmarrjeve publike, si dhe të diplomatëve të shumtë në misionet e ndryshme diplomatike nëpër botë nga Qeveria e Kosovës vazhdojnë që të ndodhin. Mbështeten në parregullsi, shkelje ligjesh dhe në rastin e bordeve menaxhuese për performancë të dobët dhe shkelje autorizimesh etj. Do të jetë interesant të shihet se me cilët emra do të mbulohen dhe do të zëvendësohen këta njerëz dhe këto pozita. Mendoj se në të shumtën e tyre Kosova nuk e ka më luksin që në ato vende të dërgojë militantë e diletantë partiakë. Për këtë që do ta them më poshtë sigurisht se shumë njerëz do të më hidhen mbi kokë, por ja që unë do ta them pa marrë parasysh.
Në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Washington DC unë personalisht do të dëshiroja ta shihja Veton Surroin. Për t’ua shuar kërshërinë, me Vetonin as nuk njihem personalisht, edhe pse ditari im publikohet në gazetën ish-pronar i së cilës është. Kosovës në këtë fazë dhe në këtë periudhë do t’i nevojitej dikush i atij kalibri, i cili gjërat do t’i kapte në ajër dhe do të ishte një përfaqësues i denjë i shtetit tonë. Ndoshta ai as që do ta pranonte një pozitë të tillë, por ja që kjo do të ishte një dëshirë e imja. T’i emërojnë më të aftit tanë, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo përkatësive partiake. Interesat e Kosovës janë më të mëdha sesa ato partiake. Kosova gjendet në udhëkryq vendimesh. Në këto vendime dhe drejtime, të cilat do t’i marrë Kosova tani, do të varet drejtimi që Kosova do ta marrë për së paku edhe 30 vjetët e ardhshëm, prandaj unë e shoh se ne gjendemi në një kohë shumë sensitive dhe determinuese për zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë në çdo sferë të zhvillimit. Qeveria e re është funksionale qe vetëm 1 muaj dhe për këtë kohë pati guximin që të ndërmerrte disa vendime jo të lehta dhe të guximshme dhe në përgjithësi mund të vërej se në heshtje edhe shumë skeptikë të kësaj qeverie nuk i mohojnë disa punë dhe veprime të mira të saj. Mirëpo ne duhet të vazhdojmë të mbetemi kritikë ndaj saj dhe të mos i lejojmë që të na i përsërisin të njëjtat gabime, prandaj me apo pa qëllim, sikur që e bënë qeveritë e mëparshme. Unë mbetem skeptik sa i përket nepotizmit se sa do të mbesin imunë ndaj kësaj dukurie të nepotizmit, e cila e ka planguar shoqërinë tonë një kohë të gjatë. Disi na është ngulitur si pjesë e mentalitetit dhe besoj se ndonjëra parti politike është imun ndaj kësaj dukurie. Ashtu siç do t’ia japim kreditë për secilën punë të kryer mirë, në të njëjtën kohë do të duheshim të mbetnim kritikë ndaj çfarëdo dukurie negative apo pune jo të bërë mirë nga Qeveria.
Nga kabllogramet ndërkombëtare do të veçoja vendimin e Turqisë për hapjen e kufijve për refugjatë sirianë. Jetën dhe peripecitë e të qenit refugjat ne e kuptojmë shumë mirë, sepse në një të kaluar jo aq të largët ne jemi ballafaquar me një dukuri të tillë si popull. Por kjo gjendja me refugjatët sirianë është me të vërtetë e mjerë. Ne i pamë pamjet se sa të padëshiruar ishin në Greqi dhe si patrulla kufitare detare tentonte ta rrotullonte barkën me refugjatët sirianë, ku kishte gra dhe fëmijë. E kur sheh gjëra të tilla, e kupton se sa gjë e shpifur janë kufijtë imagjinarë të ngulitur në kokat e njerëzve. E kupton se si njeriu mund ta llogarisë jetën e një qenieje tjetër njerëzore si aq të pavlerë. Gjërat dhe ngjarjet e tilla më bëjnë gjithmonë ta them atë se ne nuk e meritojmë këtë planet. Sa të pafajshëm vijmë në këtë botë, por se sa shumë na helmohet shpirti gjatë rrugëtimit tonë jetësor.
Për Turqinë kjo mbetet si mjeti i të bërit presion ndaj EU-së për t’i arritur qëllimet e saja.
P. S. Albin, në hapësirën e ndarë për mesazhin drejtuar ty, nëpërmjet ditarit tim desha edhe një herë ta potencoj nevojën e pezullimit të asaj tarife. Atë pezulloje sa më shpejt, e sa i përket reciprocitetit ti s’ke nevojë aspak të trumbetosh se a do ta vendosësh atë, ajo vetëm duhet bërë funksionale dhe e zbatueshme. Tarifa i ka kryer punën dhe funksionin e saj në një moment të caktuar. Tashmë veçse i ka dalë boja…