OpEd

Bota paralele e demagogjisë

Fakti është se Kosova kurrë më ngushtë nuk i ka pasur punët ekonomikisht e financiarisht, dhe se jemi nisur në theqafje sepse askush nuk po do që të shohë përtej hundës së vet. Të flasësh për prosperitet në një shtet që qe një vit gjendet në fushatë të përhershme zgjedhore, e në të cilin ndërkohë të janë rritur çmimet deri në absurd, përderisa sektori privat është duke u tharë, është ta jetosh një jetë paralele që nuk përkon me realitetin

Të hënën nisi viti shkollor.

Sikurse vjet kur e përcollëm në shkollë kumaren time, edhe sivjet për mua ishte përjetim i veçantë.

Mbesa ime u nis në shkollë. E shikoja atë ditë, të veshur me fustan të kaltër kombinuar me baletanet, dhuratë e tezës, e me një buqetë lulesh në dorë, tek qëndronte jo pak e hutuar, rrethuar nga shumë fëmijë, prindër e familjarë që ishin mbledhur në oborr të shkollës.

Nuk e di se çfarë i shkonte nëpër mendje. Nuk e besoj se e kishte shumë të qartë se tash për të niste një fazë e re në jetë. Nxënia tash do t’i vijë prej librave e mësimeve të mësueses. Dukej thuajse mendjen e kishte te “Kuki”, lodra nga e cila nuk ndahet qëkur ka mundur ta kapte me duar...

Me të hyrë në klasë, plasi lufta mes prindërish se ku do t’u uleshin fëmijët... natyrisht që të gjithë në kërkim të bankës së parë, për këtë ose atë arsye. Veprim që është dashur të mos ndodhte. Klasa është perandoria e mësueses, e përzierja e prindërve, thjesht shkelje e asaj bote që do të duhej të ishte e rezervuar vetëm për fëmijët.

* * *

Nuk kaloi as dita dhe në atë shkollë shpërtheu kanalizimi. Bodrumi, ku zënë vend disa mësonjëtore, vërshoi nga ujërat e zeza dhe ndërtesa u mbush kundërmim. Çfarë dëshpërimi për ata fëmijë që një ditë më herët e nisën mësimin (edhe pse klasat e tyre janë sipër).

Por njëkohësisht edhe ballafaqimi më i prekshëm me atë që do t’i presë në të ardhmen – kur bëhen mjaftueshëm të vetëdijshëm për ta kuptuar se natyra njerëzish janë disa, dhe se jo të gjithë e kanë tipar ndershmërinë apo edhe sinqeritetin. Në fakt do të mësojnë se në Kosovë gjithmonë, e sidomos tash, në modë është të jesh demagog. Dhe sa më demagog që je, aq më i suksesshëm shitesh.

* * *

Komuna e Prishtinës e mbylli vitin 2024 me 33 milionë euro suficit. E një kanalizim i një shkolle, që është problem i kamotshëm, nuk ka gjetur hapësirë për t’u zgjidhur as për katër vjet. Zor se mund të thuhet se nuk ka pasur para. Ajo që mund të thuhet është se kanalizimi i një shkolle nuk është as projekt qallëmi e as projekt milioni. Fundja, çfarë rëndësie kanë qaty nja dymijë fëmijë. Plus që puna e kanalizimit as që shihet, se supozohet se gypat duhen shtrirë nën tokë.

Dy ditë me radhë u kërkua përgjigjja nga komuna se çfarë do të ndërmerrej për zgjidhjen emergjente të problemit. Përgjigje nuk pati. Prej asnjë drejtorie komunale. Pati një deklaratë nga drejtoresha e shkollës, së cilës i ishte thënë se ndërhyrja për riparimin e shkollës do të mund të ndodhte në mars të vitit tjetër. Tamam në mes të vitit shkollor. Konsideratë e jashtëzakonshme për nxënës, arsimtarë e prindër.

Se përse nuk janë kryer punimet në verë, vetëm do të mund të spekulohet, meqë askush nuk denjohet të japë përgjigje. Pra, njëra nga arsyet mund të jetë se planifikimi ka qenë i keq; që para mund të mos ketë pasur; që projekti është i imët krahasuar me ndonjë që shihet si “transformim qyteti” e që mundet edhe të mos nisë për shkak të shkeljes së ligjit, pavarësisht se është lidhur kontratë detyruese që në rast shkëputjeje do t’u kushtojë qytetarëve të Prishtinës.

Buxheti i Prishtinës, i miratuar nga Kuvendi Komunal vetëm në dhjetor të vjetëm, nuk është përfshirë në Ligjin për buxhetin e votuar njësoj vjet, por në nëntor. Nuk është përfshirë, sepse është votuar jashtë afatit. Dhe është votuar në Komunë në ditën kur në Kuvend është miratuar ligji i fundit nga legjislatura e shkuar.

U deshën të kalonin 9 muaj që kryetari dhe nënkryetari i Prishtinës ta organizonin një shfaqje dje – ta dorëzonin një ankesë në Kushtetuese për çështje të buxhetit. Natyrisht lajmërimin e çuan te të gjitha mediat, dhe e shfrytëzuan rastin për një konferencë për shtyp në rrugë – për ta bërë akuzën e përhershme: se pushteti qendror po e bllokon Prishtinën.

S’do mend se është lëvizje e planifikuar në fushatën zgjedhore komunale që ka nisur shumë më herët sesa e parasheh ligji.

Për politikanët, asgjë e jashtëzakonshme, ngase duhen shfrytëzuar çdo çast të mundshëm për t’i bërë vetes reklamë. Për ne qytetarët është fundosje e mëtejme në dëshpërim: në vend se t’i gëzohemi një progresi shoqëror, ne duhet t’ua durojmë akuzat e kundërakuzat që hem i bëjnë me paratë tona, e hem i bëjnë në emrin tonë pa na pyetur asnjë gjë.

* * *

Kushtetuesja dje u bë e gjallë sërish – me edhe një masë të përkohshme, me të cilën e shtyu edhe afatin e dytë 30-ditësh për konstituimin e Kuvendit, deri më 30 shtator 2025.

Posa doli vendimi i gjykatës, nisën deklaratat politike kundërshtuese. LDK-ja e përdori termin e preferuar: bllokada/bllokuesi – për ta akuzuar VV-në se nuk e dëgjon arsyen, pra LDK-në, që gjithë kohën thotë se po shkelet Kushtetuta. Sipas parimit të cilin e përsërit, del se edhe vetë LDK-ja e ka shkelur Kushtetutën që në çastin kur e votoi Emilija Rexhepin, ndaras nga kandidati serb për nënkryetare të Kuvendit. Por këtë nuk e përmend. Sepse kur ndodh kjo, ka veç respektim të Kushtetutës.

Mandej, natyrisht, u lajmërua VV-ja, e cila në ciklin e fundit të reagimeve, si përherë, do ta gjejë një arsye për ta kritikuar çfarëdo vendimi që vjen nga Kushtetuesja apo Supremja që nuk i përshtatet.

Në një komunikatë që më shumë i ngjante një udhëzim/tërheqje vërejtjeje se çfarë aktgjykimi do të duhej marrë sesa një reagimi, VV-ja u përpoq të tregojë se është e vetmja e cila e kundërshton LS-në dhe e vetmja e cila e mbron të drejtën që askush të mos ketë veto në konstituim të Kuvendit (edhe pse me veprimet e veta, pikërisht këtë e ka bërë që nga prilli i sivjetmë).

Fakti vazhdon të qëndrojë: Kosova nuk ka Kuvend të konstituuar. Nuk ka trup që do të duhej ta votonte buxhetin, nëse asgjë tjetër; nuk ka trup që do të duhej të vendoste se a duhet të vazhdojmë të mbesim peng i një dokumenti i bërë shoshë që më nuk i ngjet asgjëje, për shkak se “u këput” duke u ndryshuar sa herë duhet akomoduar një interes politik.

Fakti është edhe se Kosova kurrë më ngushtë nuk i ka pasur punët ekonomikisht e financiarisht, dhe se jemi nisur në theqafje sepse askush nuk po do që të shohë përtej hundës së vet. Të flasësh për prosperitet në një shtet që qe një vit gjendet në fushatë të përhershme zgjedhore, e në të cilin ndërkohë të janë rritur çmimet deri në absurd, përderisa sektori privat është duke u tharë, është ta jetosh një jetë paralele që nuk përkon me realitetin.

E realiteti është i hidhur.

* * *

Me të përfunduar java e parë e mësimit, mbesa ime e kishte pyetur nënën e vet nëse përditë do të shkonte në shkollë. S’ka dyshim se për të ndryshimi i nisur para pesë ditësh është i madh e i duhet kohë për t’u adaptuar.

Këtë e kam ngushëllim në këtë çast: që brenga e saj më e madhe është nëse do të mund ta marrë “Kukin” ndonjëherë me vete në shkollë. Shyqyr që nuk e di se çfarë barrësh po duhet t’i bartim ne të rriturit në shpinë, për shkak të një grumbulli demagogësh që nuk dalin dot nga flluskat në të cilat jetojnë.

Sa më parë të shpërthejnë, aq më parë do të nisim, mbase, të frymojmë.

[email protected]