“Borea” është projekti i parë komunal në partneritet publiko-privat, më i madhi i këtij lloji, ndaj suksesi i tij është hapje e një kapitulli të ri për komunat kosovare, të cilat decentralizimin politik do ta transformojnë në atë ekonomik. Thjesht, duke i bërë komunat kosovare atraktive për jetesë në to, duke ndalur eksodin nga to drejt kryeqytetit, dhe duke përmirësuar bazën ekonomike të banorëve të tyre
U deshën më shumë se dy vjet debat për ta mbajtur gjallë idenë e kompleksit turistik “Brezovica” për ta përmbyllur atë në qershor të vjetëm me kumtin për dështimin e njërit ndër projektet më kapitale në Kosovën e pasluftës.
Komuniteti drejtues ndërministror njoftoi se konsorciumi i udhëhequr nga “MDP Consulting – Compagnie des Alpes” ka dështuar t’i sigurojë 163 milionë euro për fazën e parë të investimeve në kompleksin turistik “Brezovica”.
I përcjellë me polemika nga të gjitha anët, me skepsë maksimale, ky projekt 400-milionësh dështoi, duke lënë pas një historik të mjegullt të dështimit të stimuluar nga vetë bartësit e projektit- qeveritarët kosovarë.
Shto kësaj edhe interferimin e Beogradit, i cili pretendon të ketë hise atje, projekti ideor për kompleksin turistik mbeti vetëm i tillë.
Asnjë garanci investitorëve të mundshëm nuk iu kërkua nga qeveritarët, ndaj skepsa u përmbush.
Në më pak se një vit, një projekt i ngjashëm, por me kosto shumë më të vogël, po tentohet të realizohet në cepin tjetër, në perëndim të Kosovës.
I pagëzuar me emrin e hyjneshës ilire të borës Borea, Peja tashmë është në hapat e fundit për një qendër skijimi, e cila do të jetë një nga pikat turistike që do të mundë të bëhet referencë për turizmin dimëror të Kosovës.
Pas shpalljes publike të procedurave për shprehje të interesit, për operatorët e interesuar për të ndërtuar këtë qendër, Peja tashmë ka tri oferta nga kompani të huaja.
Kompania franceze “Poma SAS”, kompania sllovene “GH Holding d.d.” dhe konsorciumi italiano–slloven “Leitner AG SPA & FILAV SA” kanë shprehur interesimin për ndërtimin e qendrës së skijimit në Bjeshkët e Kopranikut.
Njëra nga këto kompani do ta ketë në shfrytëzim për 40 vjet qendrën që parashihet të ndërtohet për 18 muaj me një kosto prej 54 milionë eurosh.
“Borea” është vetëm 900 metra larg qendrës së Pejës. Sipas vlerësimeve, për afro 15 minuta mund të arrihet lartësia mbidetare prej 2.400-metrash. Kjo qendër parashihet të shfrytëzohet në katër stinë. Qendra do të ketë shtigje skijimi, hotele dhe qendrën e nisjes së teleferikut me kabina të mbyllura për 10 persona. Teleferiku do të ndërtohet në afërsi të universitetit publik “Haxhi Zeka”, në tokën e ish-kazermës. Nga aty teleferiku do të ngjitet deri në vendin e quajtur “Livadhi i Adilit”, e prej aty vazhdohet me skilifte me 6 ulëse që ngjiten në majat ma të larta të Bjeshkës së Kopranikut, te pistat e skijimit, që do të jenë në një gjatësi 20 kilometra për kategori të ndryshme.
Nëse në rastin e “Brezovicës”, projekti madhor dështoi shkaku i gabimeve të vetëdijshme të qeveritarëve, në rastin e “Boreas”, së paku deri në këtë fazë nuk është evidentuar ndonjë problem, ndaj konkretizimi i tij do të shënojë një kthesë serioze për zhvillimin e turizmit jo vetëm në Pejë.
Përpos që Kosova do ta bëjë një adresë të dytë të turizmit dimëror, do të jetë projekti i parë që synohet të realizohet në nivel komunal, më i madhi në Pejë ndoshta që prej ekzistencës së saj.
Kjo, para së gjithash, Pejën do ta shkëpusë nga turizmi i flive që aktualisht zhvillohet në Bogë.
Pra, një investim që synon t`iu sjellë përfitime jo vetëm pejanëve, por edhe Kosovës, duke e bërë pjesë të hartës së turizmit dimëror.
Kjo nuk është e mjaftueshme, nëse pushteti lokal i atjeshëm nuk përshpejton në përmirësimin e infrastrukturës së domosdoshme.
Problemet e furnizimit me rrymë në Rugovë dhe në fshatrat e tjera që kanë kapacitete turizmi në këtë anë shfaqin domosdoshmërinë e reagimit të të dy niveleve qeverisëse, që projekti i “Boreas” të mos e ketë fatin e atij të “Brevozicës”. Kjo, ngaqë parametrat aktualë flasin për rritje të fluksit të turizmit në Pejë.
Gjatë vitit 2016, në Zyrën komunale të turizmit informacione kanë kërkuar 9 mijë turistë. Kjo statistikë është e mjaftueshme për ta kuptuar seriozitetin e qasjes ndaj resurseve të turizmit që ka Peja, ndaj reagimi kundrejt kësaj shifre duhet të jetë i menjëhershëm. Teksa disa biznese në Rugovë sivjet kanë pezulluar punën shkaku i mospastrimit të borës në rrugët që çojnë atje, Komuna duhet paraprakisht ta ketë idenë se me “Borean” një neglizhencë e tillë do t’ju kushtojë.
Prej afro një viti kjo komunë nuk ka arritur ta përzgjedhë një operator për mirëmbajtjen e rrugëve, ndaj përpjekje për t`iu hyrë projekteve kapitale si kjo qendër skijimi kërkojnë qasje më dinamike në qeverisjen komunale.
Bërja e “Boreas” e zgjeron mozaikun e turizmit në Pejë dhe gjithashtu edhe listën e referencave nacionale që ka krijuar ky qytet.
Dikur vetëm me birrën “Peja”, pastaj me emra të sferës së kulturës si Istref e Faruk Begolli, me basketbollin, e së fundi edhe me sportin ikonik të kësaj komune - xhudon.
Majlinda Kelmendi ka kohë që është bërë më e famshme sesa vetë Peja. Ditë më parë, e arta e saj në Paris vetëm sa e vulosi këtë fakt. Ky angazhim i saj, i trajnerit dhe i xhudistëve të tjerë, do të kurorëzohet me Qendrën e xhudos që do të ngrihet në vendlindjen e Majlindës. Pra, një rikonfigurim i pozitës së gjithëmbarshme të Pejës, që është një tentim për zhvendosjen e polit nga kryeqendra drejt qendrave të tjera kosovare ku bëhet dhe ofrohet diçka.
Në këtë sens “Borea” është projekti i parë komunal në partneritet publiko-privat, më i madhi i këtij lloji, ndaj suksesi i tij është hapje e një kapitulli të ri për komunat kosovare, të cilat decentralizimin politik do ta transformojnë në atë ekonomik. Thjesht, duke i bërë komunat kosovare atraktive për jetesë në to, duke ndalur eksodin nga to drejt kryeqytetit, dhe duke përmirësuar bazën ekonomike të banorëve të tyre.
“Borea” është më shumë sesa projekt, një test për Pejën. Tregues nëse komunat mund të realizojnë projekte madhore dhe njëherësh forcim i statusit të tyre, duke i nxjerrë nga korniza e të qenit vetëm zyra ofiqarie.
Praktikisht Peja, përveç shtegut të hekurt (Via Ferrata), të cilin e ka nga vitit 2013, shtegut në ajër 550-metërsh (zip-line), me realizimin e “Boreas” bëhet edhe me shtigje të bardha, duke e kompletuar triptikun turistik për të gjitha stinët, përfshirë këtu katër zonat turistike në të cilat është e ndarë Peja, ku bëjnë pjesë edhe: parku kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Maja e Gjeravicës, Burimi i Drinit të Bardhë, Shpella e Radacit, Liqenati, dhe atraksione të tjera natyrore.
Pejës duhet t`i hiqet tisi i demarkacionit, ndaj “Borea” është rasti më i mirë!