Kosova është mësuar që “hapi i fundit” për të në cilindo proces të jetë pothuajse i pafund. Tash e sa vite dëgjojmë për “hapat e fundit” apo “kilometrin e fundit” në procesin e liberalizimit të vizave. Dhe atë jo vetëm nga politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës, premtimet e të cilëve as tash nuk duhet të merren seriozisht, por edhe nga vetë zyrtarët e BE-së. Thënë të vërtetën, nga zyrtarët e BE-së asnjëherë nuk janë dëgjuar premtimet për data se kur do të hiqen vizat, e nuk dëgjohen as tash kur kosovarët mendojnë se kjo është pothuajse punë e kryer. Licitimin me data e kanë bërë politikanët e Kosovës, shpesh duke dashur që meritat t’i marrin për vete, ndërsa përgjegjësinë për vonesa kurrsesi.
Me gjithë përshëndetjet dhe mirëpritjet nga zyrtarë të BE-së, në Bruksel tërheqin vërejtjen se nuk duhet nxituar me licitime për datat e mundshme të liberalizimit të vizave, pasi në fund duhet mbështetje edhe nga vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Tash fokusi, thonë, do të jetë në kushtin e fundit që ka mbetur, e ai është luftimi konkret i krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe dhënia konkrete e dëshmive se kjo po ndodh.
Kjo u pa edhe në deklaratat e para të tre përfaqësuesve të Komisionit Evropian, të cilët në njërën apo tjetrën mënyrë janë të përfshirë në këtë proces.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, komisari për Migrim dhe Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, dhe ai për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, Johanes Hahn, u përshëndet ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin, por ai quhet vetëm si “një prej kritereve kyç” për liberalizimin e vizave, duke e bërë të qartë kështu se ai nuk ka qenë kushti i fundit, siç pretendohej në Kosovë. Kështu, siç kanë thënë edhe burime të ndryshme të BE-së në Bruksel, tash fokusi duhet të jetë në përmbushjen e kushtit të fundit, atij që lidhet me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ratifikimi i sotëm i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, nga ana e Kuvendit të Kosovës, paraqet një arritje reale, një progres të mirëpritur dhe konkret, i cili është shumë në frymën e raporteve të mira fqinjësore, si dhe me strategjinë e re të Komisionit Evropian për Ballkanin. Ratifikimi është po ashtu përmbushje e një prej kritereve kyç për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ashtu siç ka thënë presidenti Juncker gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, është hap krucial drejt liberalizimit të vizave, që para së gjithash do të jetë në përfitim të qytetarëve të Kosovës”, thuhej në këtë deklaratë të përbashkët të lëshuar në ditën kur në Kuvendin e Kosovës u mblodhën 80 vota për ta kaluar këtë marrëveshje.
Në këtë deklaratë rikujtohet se si Komisioni Evropian që në vitin 2016 i kishte propozuar Këshillit dhe Parlamentit Evropian që të heqin vizat për Kosovën me kuptimin se Kosova do ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe do të përforcojë dëshmitë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Vlerësimi për dëshmitë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon edhe në dritën e informative të fundit që i kanë dhënë autoritetet e Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.
E njëjta përfundon me thirrjen që BE-ja u drejton të gjitha palëve të Kosovës për të vazhduar punën e zellshme dhe përpjekjet e suksesshme për të arritur lëvizjen pa viza për njerëzit e Kosovës dhe në interes të tërë rajonit”. Edhe përmes kësaj porosie dëshirojnë të bëjnë të qartë se rruga në përmbushjen e kritereve, edhe pse është bërë hap i madh, nuk ka përfunduar me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Pasi u ratifikua Marrëveshja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, që nuk është dashur fare të ishte kusht për liberalizim vizash, u bë e qartë se ai nuk ishte as kushti i vetëm e as i fundit për liberalizim vizash. Kushti tjetër është që Kosova të ketë një regjistër të dëshmive për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nëse do BE-ja, apo shtetet anëtare, mund të gjejë dëshmi se ky kusht nuk është plotësuar. Por në këtë mënyrë do t’i dënojnë dyfish qytetarët e Kosovës. Së pari, ata janë dënuar me vetë ekzistimin e nivelit të tillë të krimit dhe korrupsionit të strukturave në Kosovë. Dhe së dyti, me vonesat në liberalizim vizash do të dënohen përsëri qytetarët e thjeshtë e jo ata të cilët janë të përfshirë në dukuritë negative. Ata, qofshin politikanë apo kriminelë, apo edhe politikanë e edhe kriminelë, nuk e kanë problem as udhëtimin pa viza e as marrjen e vizave.
Për qytetarët e Kosovës do të ishte e domosdoshme që të bëheshin të dyja, dhe heqja e vizave, edhe insistimi në rezultate konkrete për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por duhet pasur kujdes, sepse shpesh zyrtarët e BE-së partnerë në proces nuk i kanë popullin, as mediat e as ata që luftojnë kundër dukurive të tilla negative, por i kanë strukturat politike, të cilat janë përgjegjëse për këto dukuri.
Problemi tek kushti i fundit është se nuk ka një njësi të qartë matëse me të cilën do të bëhej një vlerësim i duhur i përmbushjes së tij. Nëse do të ketë vullnet politik në BE, atëherë mund të gjejnë dëshmi se është përmbushur kushti. Në një mënyrë të tillë tash po mendohet në Komisionin Evropian, që të thuhet se Kosova ka bërë një progres të mirë në rritjen e një regjistri të rasteve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, se janë miratuar edhe disa strategji të reja në këtë drejtim, dhe është rritur gatishmëria politike për këtë gjë. Në këtë mënyrë do të mundë të jepet së shpejti një rekomandim nga Komisioni, i cili do t’u hapte rrugën procedurave në Parlamentin Evropian dhe në Këshill. Nuk ka dyshim se Parlamenti Evropian do të mbështesë liberalizimin e vizave dhe, me gjasë, do të përmbyllë procedurat deri para pushimit të verës. Por për këtë vlerësimi i Komisionit Evropian duhet të vijë shumë shpejt, jo më vonë sesa kur të publikohet Raporti i progresit më 17 prilli
Por pastaj i tërë procesi duhet të përmbyllet në Këshillin e BE-së. Janë të panevojshme tash llogaritë matematikore që bëhen në Kosovë se sa vota duhen në Këshill për të miratuar vendimin. Nuk pritet të ketë shumë problem nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, së paku jo nga të gjitha. Ka madje vende të tilla që pikërisht duke mbështetur liberalizimin e vizave duan të dëshmojnë se, duke refuzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk kanë asgjë kundër popullit të Kosovës dhe lëvizjes së lirë të tyre në vendet e BE-së dhe të Shengenit.
Por nëse nuk ekziston vullnet politik për të zhvilluar me procedurë normale, mund të ndodhë përsëri zgjatje e procesit. Nëse nuk do të ketë mbështetje të duhur nga vendet e BE-së, vendimi as që do të paraqitet për votim në Këshill. Nuk kanë shumë rëndësi këtu vendet që nuk e njohin Kosovën. Ka edhe “entitete” nga bota që nuk njihen nga askush si vende të pavarura dhe kanë liberalizim vizash për BE. Në fund, gjithçka do të varet nga Gjermania. Nëse ky shtet do të jetë në favor, atëherë as vendet e tjera skeptike, si Holanda apo Austria, nuk do të jenë kundër. Një mbështetje e fuqishme e Gjermanisë do të zbehte edhe qëndrimin e Francës, së cilës për momentin, sipas burimeve diplomatike, nuk i ngutet.
Ka një shtytje nga institucionet e BE-së, që për Kosovën, po ashtu, të ndodhë sa më parë liberalizimi. Jo për shkak se ndiejnë ndonjë borxh ndaj qytetarëve të Kosovës, por thjesht për shkak të oportunizmit politik. Tash të gjithë e kanë të qartë se qytetarët e Kosovës kanë përjetuar një padrejtësi duke mbetur për një dekadë pa liberalizim vizash, krahasuar me fqinjët e tyre. Dhe, po ashtu, Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të rëndësishëm drejt BE-së, pos Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Në dy tre muajt e ardhshëm do të bëhen lëvizje të mëdha për vendet e tjera në këtë proces. Shqipëria dhe Maqedonia, sipas të gjitha gjasave, do të marrin një rekomandim të Komisionit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE. Mali i Zi dhe Serbia do të hapin kapituj të rinj në këto negociata. Komisioni nis punën për të dhënë mendimin për status kandidati për Bosnjë-Hercegovinën. Ndërsa për Kosovë nuk ka asgjë. Prandaj si diçka e madhe që BE-ja po i jep Kosovës mund të shitet së paku liberalizimi i vizave. Dhe, sado që vonohet, ky liberalizim do t’i gëzojë kosovarët. Dhe në këtë mënyrë të gjithë do të jenë të lumtur.
Pra, momenti politik është në favor të liberalizimit, por gjithçka tash varet nga rezultatet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe nga mënyra se si do ta shohin këtë shtetet kryesore anëtare të Bashkimit Evropian.