Takimi i fundit në Bruksel i liderëve të BE-së dhe i Ballkanit Perëndimor thuhet të ketë qenë aq dështim i madh, saqë tash askush nuk e merr guximin të zotohet se do të organizojë më takime të tilla. Tash BE-ja është në hall edhe me Ballkanin, edhe me vetveten. Si të zhvillohen takime të tilla të kota dhe frustruese pa rezultat. Nëse jo, si të dëshmohet atëherë se BE-ja dëshiron raporte sa më të afërta me rajonin, përfshirë edhe përmes takimeve të shpeshta në nivelin më të lartë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti BE-në si një familje të sëmurë, në takimin e fundit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së në Bruksel. Pa dyshim, pranojnë shumë liderë që morën pjesë në atë takim dhe folën me gazetarë, fjalimi i Ramës ka lënë përshtypjen më të madhe. Thonë të ketë qenë një fjalim mes ironisë, kritikës së merituar ndaj BE-së, fyerjeve dhe pranimit se s'ka rrugë tjetër pos integrimit.
Një prej pjesëmarrësve në takim e dha këtë përshkrim: “Takimi ishte një dështim i pafalshëm i BE-së. Aq dështim, saqë duhet të mendojmë mirë se sa ka kuptim të zhvillohen takime të tilla në të ardhmen. Pa asnjë rezultat, me fjalime në të cilat përziheshin premtimet, zotimet, dashuria e ndërsjellë, por edhe zhgënjimet”.
Veçohen paraqitjet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit, thonë disa pjesëmarrës, la pa fjalë të gjithë duke shprehur zhgënjimin e saj për fatin se kosovarët ende nuk gëzojnë liberalizimin e vizave. Ajo citohet të ketë thënë se është e vetmja pjesëmarrëse në takim që edhe për të ardhur në këtë takim të liderëve u desh të merrte vizë.
“Të gjithë mbetën pa fjalë kur ajo i pyeti se si mund t'ua shpjegojë 1,9 milionë qytetarëve të Kosovës se ata nuk mund të udhëtojnë në BE pa viza, por këtë të drejtë e kanë disa vende nga Lindja e Mesme, ose nga Venezuela”, tha një nga pjesëmarrësit.
Edhe Edi Rama la përshtypje duke rikujtuar se sa absurd është që banorët e Kosovës në kohën kur jetonin në komunizëm mund të udhëtonin pa viza në Evropën Perëndimore e sot nuk munden.
Liderët e BE-së kanë mësuar që vite me radhë të zhvillojnë nga një takim me kolegët e tyre nga Ballkani. E që vetë zhvillimi i takimit të shpallet si “sukses i madh” pa pasur asnjë rezultat. Që në secilin takim të “rikonfirmohet përkushtimi për perspektivën evropiane të rajonit”. E që pas takimeve të tilla të vazhdojnë bllokadat, siç anë ato të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Pas Samitit të Sofjes në vitin 2018, së paku një herë në vit organizohen samite BE-Ballkan. Por gjithmonë pa rezultate. Ajo që duket edhe më ironike është se pikërisht vendet që organizojnë takime të tilla, për të dëshmuar sa shumë e duan procesin e zgjerimit, vetë e bllokojnë këtë proces duke bllokuar fqinjët. Greqia organizoi Samitin e Selanikut në vitin 2003, kur iu dha “perspektiva evropiane rajonit”. Por Greqia me vite bllokoi Maqedoninë, e cila tash quhet Maqedonia e Veriut. Sllovenia organizon edhe Procesin e Bërdos dhe mbështet zgjerimin, por për vite kishte bllokuar disa kapituj në negociatat e anëtarësimit të Kroacisë në BE, për shkak të mospajtimeve bilaterale. Tash Bullgaria, që organizoi Samitin e Sofjes, shquhet me bllokimin e Maqedonisë së Veriut për shkak të mospajtimeve rreth identitetit etnik dhe interpretimit të historisë.
Nuk ka nevojë që vendet e Ballkanit të jenë xheloze ndaj Ukrainës e Moldavisë, të cilat me shpejtësi të paparë deri më tash morën statusin e kandidatit. Për vetëm tre muaj nga aplikimi. Sepse këto ishin vendime krejtësisht politike. Por nuk mund të mos quhen të logjikshme edhe pyetjet se a e meriton Venezuela apo Gjeorgjia liberalizimin e vizave më shumë se Kosova. Apo, a e meriton Moldavia statusin e kandidatit për anëtarësim në BE vetëm tre muaj pas aplikimit e Bosnjë-Hercegovina këtë nuk e meriton as gjashtë vjet prej kur ka dorëzuar kërkesën formale.
BE-ja është tash në hall edhe me vetveten, edhe me Ballkanin. Është fati gjeografik se ky rajon është i rrethuar nga BE-ja, si një enklavë. Por gjërat nuk po lëvizin. E kur nuk lëvizin nga ana e BE-së, nuk ka reforma as nga vendet kandidate apo nga “kandidatët potencialë”. “Kandidatë potencialë” kanë mbetur vetëm Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Gjeorgjia. Këto dy të fundit kanë aplikuar, por u janë vendosur disa kushte për status kandidati. Kosova nuk ka aplikuar dhe është i vetmi shtet në Evropë i cili dëshiron të bëhet pjesë e BE-së, por nuk ka aplikuar. Shtete të tjera që duan të jenë në BE e nuk kanë aplikuar nuk ka më. Prandaj BE-ja duhet tash të gjejë një mundësi për të avancuar procesin. Por kjo nuk bëhet me takime të kota dhe të pakuptimta, siç ishte ai në Bruksel në mëngjesin e 23 qershorit.
Takimi i fundit në Bruksel i liderëve të BE-së dhe i Ballkanit Perëndimor thuhet të ketë qenë aq dështim i madh, saqë tash askush nuk merr guximin të zotohet se do të organizojë më takime të tilla. Tash BE-ja është në hall edhe me Ballkanin, edhe me vetveten. Si të zhvillohen takime të tilla të kota dhe frustruese pa rezultat. Nëse jo, si të dëshmohet atëherë se BE-ja dëshiron raporte sa më të afërta me rajonin, përfshirë edhe përmes takimeve të shpeshta në nivelin më të lartë.
Duket se Presidenca çeke do të jetë testi i parë për këtë. Nga një dëshirë e madhe për të pasur një samit BE-Ballkani Perëndimor në Pragë, apo në ndonjë qytet tjetër të këtij shteti që ka kryesimin e radhës, tash vërehet një skepticizëm, sepse nuk duan të ftojnë 33 liderë shtetesh dhe 3 liderë të institucioneve të BE-së në një takim që nuk do të prodhonte asgjë.