OpEd

BE-ja duhet të ngrihet në Glasgow

Çdokush, çdo kund do të përfitojë po qe se BE-ja, liderët e saj, si dhe makineria e saj diplomatike veprojnë tani për ta shmangur katastrofën dhe për ta siguruar ngadhënjimin në veprimin global, gjithëpërfshirës dhe ambicioz klimatik. Paratë e përnjëmendta, si dhe reduktimet e përnjëmendta të emetimit duhet të jetësohen nga Glasgowi. Bota nuk mund t’ia lejojë vetes edhe një tjetër Kopenhagë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, mund të mos jetë fort tërheqës për gjithsecilin – veçanërisht për liderët e Bashkimit Evropian të ndikuar nga Brexiti. Por Mbretëria e Bashkuar është nikoqire e raundit më të fundit të negociatave globale klimatike, COPR26, në Glasgow muajin e ardhshëm, andaj BE-ja duhet që t’i lërë mënjanë telashet me Johsonin dhe të paraqitet e përgatitur në punë.

Deri më tani historia e bisedimeve globale klimatike të mbajtura nën Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike ishte përrallë e dy qyteteve evropiane: Kopenhagës dhe Parisit.

Më 2009, liderët botërorë dhe negociatorët e tyre kombëtarë u mblodhën në Kopenhagë për ta përmbyllur një traktat gjithëpërfshirës që do ta nxiste zotimin e mbarë botës për veprim të gjithmbarshëm në parandalimin e shkatërrimeve më të rënda nga ngrohja globale.

Kjo gjë nuk ndodhi. Shumë prej lojtarëve të mëdhenj (dhe ndotësve) hynë në bisedime pa propozime të zbatueshme për reduktimin e emetimit të gazeve serrë (GHG), ndërsa liderët e BE-së u gjendën duke bredhur korridoreve derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe India e hartuan një marrëveshje jodetyruese që i la shumicën e problemeve pa zgjidhje. Përfaqësues të shumicës prej vendeve më të brishta shikuan në dëshpërim derisa interesat e tyre po anashkaloheshin edhe një herë tjetër.

Një keqkalkulim bazik politik e çoi takimin e Kopenhagës drejt dështimit: Derisa BE-ja është kampione e vet popullit të saj, është njashtu edhe partnere qendrore e atyre shteteve më të goditura prej pasojave tmerruese të ndryshimeve klimatike. Pa partneritetin evropian – dhe me këtë e nënkuptoj ndihmën e përnjëmendtë politike, praktike dhe financiare – më të cenuarit lihen pa ndonjë rol në negociata dhe pa zgjidhje në aspektin e resurseve dhe kushteve të ndihmës së disponueshme për ta.

Por BE-ja ka nxjerrë mësim prej kësaj përvoje. Më 2011, gjatë COP17-s në Durban të Afrikës Jugore, BE-ja priu duke dalë me një udhëpërshkrim që e garantonte një zë për të gjithë ata që ishin më në rrezik. Kjo iniciativë gjeneroi si rezultat atë që i hapi rrugën Marrëveshjes klimatike të Parisit në COP21, katër vjet më vonë.

Më 2015, kur liderët botërorë u mblodhën në Paris, evropianët sërish e luajtën rolin prijës. BE-ja ndihmoi në formimin e Koalicionit të Ambicieve të Larta, një grup ky joformal i vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim, i përkushtuar në mbështetjen e synimit të përbashkët për transicion të përnjëmendtë drejt ekonomisë së gjelbër.

Kësaj radhe SHBA-ja dhe Kina sinjalizuan se e kishin të qartë interesin e përbashkët për veprim klimatik. Kësisoj ishte përcaktuar caku i kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë celsius, shkallë kjo e përafërt me nivelet paraindustriale, dhe vendet e zhvilluara u zotuan që t’i financojnë përpjekjet e vendeve më të varfra për ta zbutur ndikimin e ndryshimeve klimatike, si dhe për ta jetësuar rritjen e qëndrueshme ekonomike. Ekonomive të mëdha u binte përgjegjësia për të vepruar shpejt dhe për t’i ndarë përfitimet e pasurive dhe njohurive të tyre.

Marrëveshja e Parisit ishte nënshkruar, dhe krejt përnjëherë e ardhmja dukej më e ndritur. Por gjashtë vjet pas kësaj, shkalla vjetore globale e emetimit të gazeve serrë vazhdoi të rritet, madje edhe në vitin 2020 të pllakosur nga pandemia. Modelet klimatike u dëshmuan shkatërrimisht të sakta, teksa vërshimet, uraganet, zjarret dhe valët vrastare të vapës u shtuan si për nga shpeshtësia ashtu edhe intensitet. Dhe ky, siç të gjithë e dimë, është vetëm fillimi.

Derisa të diskutuarit rreth krizës klimatike dikur konsiderohej si problem për brezat e ardhshëm apo për ata që ende jetojnë në kushte ekstreme, tani po vuan edhe Evropa. Gjermanët dhe belgët kanë vdekur nga përmbytjet, ndërsa temperaturat ekstreme kanë mbërthyer komunitete të tëra përreth Mesdheut.

Dhe këtu arrijmë në Glasgow. Ky është viti kur të gjithë nënshkruesit e Marrëveshjes së Parisit, duke qenë se i kanë vlerësuar përparimet e tyre, do të duhej që të ktheheshin në tryezën e negociatave të përgatitur për t’i rritur ambiciet e tyre për veprim në vend dhe, në rastin e vendeve më të pasura, për t’i mbështetur ato më të varfra. Por jo shumë para të reja janë duke u ofruar. Dhe vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për ta reduktuar përkushtimin e tij historik prej 0.7 për qind të GDP-së për ndihma të jashtme, vetëm pak muaj para se ta marrë presidencën në COP, e përçon një mesazh të gabuar.

Ndërkohë, disa pjesë të Qeverisë britanike duket të jenë më të përqendruara në spektakël sesa në substancë, përderisa SHBA-ja dhe Kina duken më të interesuara në nxitjen e njëra-tjetrës sesa të përqendrohen në kontributet e tyre respektive për ta luftuar ngrohjen globale. Detyrat për dy emetuesit më të mëdhenj në botë, që bashkërisht janë përgjegjës për pothuajse gjysmën e emetimeve globale, janë të qarta: SHBA-ja duhet t’i përmbahet premtimit për të ofruar financa klimatike, ndërsa Kina duhet të heqë dorë nga përdorimi i thëngjillit. Akëcila prej këtyre është po aq e rëndësishme sa tjetra.

Por ku janë evropianët?

Të pakta qeveri të BE-së, nëse fare ndonjëra, janë angazhuar në diplomaci serioze për ta ringjallur Koalicionin e Ambicieve të Larta që ishte jetik për suksesin në Paris, ndërsa BE-ja nuk është duke ushtruar presion të përnjëmendtë ndaj SHBA-së për ta ndarë hisenë e saj vjetore prej 100 miliardë dollarësh të premtuar për vendet e varfra, si ndihmesë për përshtatjen dhe lulëzimin.

Nëse COP26 do që ta zërë vendin e duhur në histori si një moment kur bota përnjëmend vendosi të bashkëpunojë për adresimin e kërcënimit tonë më të madh ndonjëherë, atëherë BE-ja duhet që të ngrihet. BE-ja është blloku më i kamur tregtar në botë, forca më e themeluar diplomatike dhe shembulli prijës i fuqisë së tolerancës e paanësisë. Po qe se nuk e luan rolin kyç, COP26 do të dështojë.

Çdokush, çdo kund do të përfitojë po qe se BE-ja, liderët e saj, si dhe makineria e saj diplomatike veprojnë tani për ta shmangur katastrofën dhe për ta siguruar ngadhënjimin në veprimin global, gjithëpërfshirës dhe ambicioz klimatik. Paratë e përnjëmendta, si dhe reduktimet e përnjëmendta të emetimit duhet të jetësohen nga Glasgowi. Bota nuk mund t’ia lejojë vetes edhe një tjetër Kopenhagë.

(Connie Hedegaard ka shërbyer si komisionere evropiane për veprim klimatik (2010-2014) dhe ishte ministre daneze e Mjedisit (2004-2007), si dhe ministre për Klimë dhe Energji (2007-2009). Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).