Ndikimi rus në Ballkan duhet ta alarmojë Bashkimin Evropian. Që nga viti 2003, kur u mbajt Samiti i Selanikut, me ç’rast vendeve të Ballkanit iu premtua perspektiva evropiane, e deri më sot, është zhvilluar një garë e rrejshme: BE-ja është bërë sikur është e hapur për vendet e Ballkanit, ndërsa këto janë bërë sikur po i plotësojnë kushtet. Kjo lojë duhet të marrë fund.
Nga udhëtimi i saj i fundit në Ballkan kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u kthye e dëshpëruar në Bruksel. Në Beograd i fishkëllyen nacionalistët e Vojislav Sheshelit, në Shkup ajo nuk u mor seriozisht nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov, nga i cili kërkoi që t’u jepej mandati për krijimin e qeverisë së re socialdemokratëve maqedonas dhe partnerëve të tyre shqiptarë, në Kosovë Mogherini u kërcënua se po qe se nuk miratohet demarkacioni me Malin e Zi nuk do të hiqen vizat e Schengenit për qytetarët kosovarë, por ky apel i saj nuk u mor aq seriozisht në Prishtinë, në Tiranë ish-ministrja e Jashtme italiane u mundua t’ua bëjë të qartë dy partive kryesore politike që t’i lënë anash kërcënimet e ndërsjella, të miratojnë reformën e drejtësisë, të organizojnë zgjedhje të ndershme dhe kështu t’i mundësojnë Shqipërisë të hapë negociatat për anëtarësim në BE. Në Bosnjë Mogherini nuk arriti të shkojë për shkak të motit të keq, por edhe po të shkonte nuk do të arrinte ndonjë sukses, përveç nëse sukses mund të konsiderohet përsëritja e apeleve që dëgjohen dhe harrohen brenda pak minutash.
Vizita pa rezultate e Federica Mogherinit tregon se sa ka rënë ndikimi i BE-së në Ballkan. Formalisht të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit theksojnë se synim i tyre kryesor mbetet integrimi në BE, por pothuaj çdo ditë organizojnë beteja gjelash, të cilat dëshmojnë se ka një hendek të madh mes vlerave evropiane dhe përkushtimit për jetësimin e tyre.
Që nga viti 2003, kur u mbajt Samiti i Selanikut, me ç’rast vendeve të Ballkanit iu premtua perspektiva evropiane, e deri më sot është zhvilluar një garë e rrejshme: BE-ja është bërë sikur është e hapur për vendet e Ballkanit, ndërsa këto janë bërë sikur po i plotësojnë kushtet. Kjo të kujton atë skenën kur më 1991 ushtria jugosllave doli nga kazermat në Slloveni për të penguar pavarësinë e kësaj republike jugosllave. Televizioni slloven ia afrua një ushtari të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe e pyeti se çfarë po bënte këtu në dushkajë. Ai tha: “Ata po bëhen sikur duan të shkëputen, ndërsa ne po bëhemi sikur po i pengojmë”. Kjo lojë duhet të marrë fund. Dhe prapë është vështirë të marrë fund, sepse prej vitesh është krijuar një simbiozë e premtuesve të Brukselit dhe të Ballkanit.
Në këtë situatë ndikimi rus në Ballkan po rritet, sepse gjithnjë e më shumë politikanë janë të gatshëm të pranojnë modelin rus – biznes me “demokraci të kontrolluar”. Ata politikanë që nuk mund të kenë raporte të mira me Rusinë (kryesisht nga bota shqiptare dhe ajo myslimane e Bosnjës) e kanë opsionin tjetër: padishahun Rexhep Taip Erdoan, modeli i të cilit i përngjan atij rus. Mbi rrezikun e këtij modeli të Moskës ka tërhequr vërejtjen këtë javë David McAllister nga Unioni Kristiandemokrat Gjerman (CDU). McAllister është shef i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. BE-ja ka të hapura shumë kantiere (Brexiti, rreziku nga popullistët e djathtë, Trumpi, Turqia e Erdoanit). Tash kantieri i ri, “baushtelli” i Evropës quhet Ballkan. “Ballkani është një rajon tepër i ndjeshëm, ku me veprime të papërgjegjshme brenda një kohe shumë të shkurtër mund të rindizen konflikte për të cilat është menduar se janë tejkaluar qëmoti”, tha McAllsiter për gazetën gjermane “Die Welt”. Sipas politikanit gjerman Moska po përpiqet që përmes mediave të veta të ndikojë në mënyrë masive ndaj shoqërisë civile në Serbi. “Rusia po ndjek në Serbi një politikë të qëllimshme destabilizimi. Kjo është shqetësuese”. Deri në vitin 2020 BE-ja ka planifikuar t’i japë Serbisë 1.5 miliardë euro me qëllim të stimulimit të reformave dhe projekteve ekonomike. Në të njëjtën kohë Serbia ka nënshkruar një partneritet strategjik me Moskën, të dyja shtetet (Rusia dhe Serbia) janë pajtuar të shkëmbejnë informacione që mbledhin shërbimet sekrete përkatëse, të zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake, Kremlini ka vendosur t’ia dhurojë Beogradit gjashtë avionë MIG. Me vite të tëra BE-ja i ka mbyllur sytë përballë këtyre zhvillimeve dhe ka toleruar lojën e dyfishtë të Beogradit, andaj alarmi i politikanit gjerman David McAllister mund të jetë edhe i vonshëm.