Nëse plani i propozuar, që përfshin edhe Marrëveshjen për asociacionin/autonominë, do të jetë në të mirë a në dëm të shtetit, nuk mund të themi me siguri të madhe. Çështja është se a janë më të mençura pranimi apo mospranimi i tij: nëse e pranojmë, çfarë duhet bërë që të jetë në të mirë të shtetit dhe të integrimit të serbëve; nëse nuk e pranojmë, çfarë në vijim
Siç po shihet, ka një përpjekje drejt një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi nga evropianët dhe amerikanët. Platforma e kësaj përpjekjeje është e shtruar në një dokument që po quhet Plani franko-gjerman” dhe që, sipas kryeminstrit të Kosovës, i është ofruar Kosovës në stilin “merre ose lëre”. Kjo maksimë është e njohur në gjuhën angleze si “take it or leave it!” dhe në shqip i bie: pranoje kështu siç është ose mos e prano, por kjo nuk mund të ndryshojë. Nëse mund të mbështetemi në publikimet jozyrtare të planit, nenet e tij janë të lakmueshme si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë.
Mirëpo, ky plan për një marrëveshje përfundimtare ngul këmbë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në mes Kosovës e Serbisë. Kafshata e madhe është marrëveshja për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e nënshkruar në vitin 2013. Nuk ka ende një propozim të qartësuar deri në hollësi, por nga ajo që është arritur deri më sot, domethënë nga marrëveshja për parimet e asociaciont e nënshkruar në vitin 2015 dhe nga aludimet, një asociacion i tillë, thënë troç, i bie të jetë vetëqeverisje e serbëve kosovarë brenda kuadrit të një entiteti autonom serb në Kosovë. Me një fjalë, një autonomi serbe në Kosovë.
Dilema: refuzim a pranim
Në këtë situatë gjendemi para dy zgjedhjeve alternative: e para, ta refuzojmë kategorikisht autonominë serbe dhe, e dyta, ta pranojmë në parim, por të negocojmë karakterin e saj aq sa të mundemi. Zgjedhja e parë refuzuese thotë që kjo është kërkesë keqdashëse e Serbisë që do t’i siguronte asaj më tepër leva në Kosovë dhe që autonomia serbe bie në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës.
Mirëpo, refuzimi mund të mos jetë rrugë e mençur, thonë përkrahësit e opsionit të dytë. Janë tri arsye kryesore që theksojnë kundërshtarët e zgjedhjes së parë. Arsyeja e parë thotë që refuzimi do të kuptohej si mungesë vullneti për të bashkëpunuar me shtetet partnere të Kosovës, një hap shumë i pamatur i një vendi me shtetësi ende të kontestuar. E dyta thotë që Marrëveshja për asociacionin është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë e obligueshme. E treta thotë që është mirë të shfrytëzohet ky moment në këtë konstelacion forcash politike në nivel ndërkombëtar dhe rajonal, pasi që nuk është e sigurt se zhvillimet do të shkojnë në të mirë të pozitës negocuese të Kosovës me Serbinë: nuk mund të jemi të sigurtë në qëndrueshmërinë e rendit ndërkombëtar, sidomos tash me luftën në Ukrainë, forcimin e lëvizjeve euroskeptike në kontinent dhe drejtimin që këto zhvillime mund t’u japin marrëdhënieve Perëndim-Rusi.
Nëse zgjedhim të dytën, mbase krejt çfarë mund të bëjmë është të negociojmë shkallën e kësaj autonomie serbe në Kosovë dhe kompetencat e entitetit të ri serb. Në këtë negocim dy gjëra nuk mund të lejojmë me asnjë kusht: së pari, nuk mund të lejojmë një autonomi të asaj shkalle dhe të asaj natyre që kërcënon funksionimin e shtetit, domethënë kryerjen e funksioneve kryesore qeverisëse të organeve qendrore të shtetit dhe, së dyti, nuk mund të lejojmë një autonomi që mundëson shkëputje të entitetit autonom serb ose të një pjese të saj.
Nëse amerikanët dhe evropianët do t’i pranonin këto dy kushte, kjo zgjedhje ka më shumë gjasa. Ndryshe, funksionimi i shtetit unitar është në rrezik. Po u pranua me këto kushte, energjitë dhe kapacitetet negocuese shtetërore do të duhej të orientoheshin drejt gjetjes së një zgjidhjeje që nuk rrezikon disfunksionalitetin e shtetit. Temat e tjera mund të diskutohen. Ama, autonomia është autonomi! Në ditshin dhe në mundshin negociatorët tanë për të nxjerrë më shumë, do të kishte qenë mirë. Mirëpo, duhet të jemi realë në kërkesa, nëse duam të arrijmë diçka prej tyre.
Në këtë situatë politike në Kosovë e Serbi dhe në kontekst të qasjes ndërkombëtare në rajon, një zgjidhje e problemit të veriut nuk shfaqet në horizont. Qeveria aktuale ka eksperimentuar të bëjë diçka, ngapak me kërbaç e më pak a hiç me karota. Mirëpo, ajo vetë nuk është e sigurt për rezultatet dhe pasojat. Është plotësisht e kuptueshme: në një territor të kriminalizuar e të ndikuar nga qeveria aktuale e Serbisë, kërbaçi është vështirë i zbatueshëm atje, por as joshja me karota nuk është efikase. Sidoqoftë, do ta kemi kuptuar deri më tash se problemi i veriut është problem politik dhe për t’u marrë me të kërkohet një zgjidhje politike që paqëson palët, por që nuk e kënaq plotësisht asnjërën. Kjo është natyra e praktikës politike.
Politika në mes idealizmit dhe realizmit
Për politikën mund të mendojmë në dy rrafshe: në rrafshin ideal dhe në rrafshin real. Të dyjat janë të rëndësishme për mendimin politik. Ndoshta idealja do të ishte që problemi i veriut të zgjidhej duke integruar komunat me shumicë serbe atje në të njëjtën mënyrë dhe shkallë që janë integruar komunat e tjera serbe në Kosovë. Mirëpo, duke pasur parasysh rrethanat dhe mundësitë aktuale, zgjedhja pranuese mbështetet në konsiderata të politikës realiste. Kjo zgjedhje vendos se cila është e keqja më e vogël që duhet pranuar kur gjendemi para situatave që na ofrojnë vetëm opsione të këqija. Për realizmin, politika është art i zgjedhjes së të keqes më të vogël në mesin e të këqijave që i ke përpara. Asociacioni i komunave serbe, domethënë autonomia serbe, nuk është zgjidhje për të cilën mund të krenohemi. Nuk është zgjidhje ideale, por në rrethana larg ideales, ku nuk mund të pritet zgjidhje ideale. Ky është, pak a shumë, arsyetimi i zgjedhjes pranuese, që mbështetet në mendimin realist të politikës.
Duke pasur parasysh gjendjen në veri të vendit, raportin e Prishtinës zyrtare me të dhe qasjen ndërkombëtare të problemit, zgjedhja pranuese nuk ka iluzione që mund të presim zgjidhje më të mirë. Për këtë zgjedhje tash për tash Asociacioni/autonomia serbe në Kosovë është zgjidhja më e mundshme dhe më e pranuar në rrethanat aktuale dhe, për aq sa mund të shihet, potenciale. Sidoqoftë, përcaktimi për zgjedhjen pranuese nuk është e thënë të jetë mbështetje e pakusht e një asociacioni/autonomie serbe, por një përpjekje për të orientuar mendimin drejt një zgjidhjeje të mundshme politike të çarjeve ndëretnike në vend dhe drejt finalizimit të njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës.
Na presin shumë muaj për të menduar e diskutuar për këto tema. Ende nuk është fundi i lojës. As atëherë kur të jetë, nuk do të përfundojë çdo gjë. Në politikë nuk ka asgjë të përfunduar njëherë e përgjithmonë. Tash për tash Kosova është para udhëkryqit dhe duhet të vendosë “ta marrë a ta lërë” ofertën ndërkombëtare për marrëveshje me Serbinë. Është një dilemë hamletiane: “Take it or leave it!”, kjo është çështja. Nëse plani i propozuar që përfshin edhe Marrëveshjen për asociacionin/autonominë do të jetë në të mirë a në dëm të shtetit, nuk mund të themi me siguri të madhe. Çështja është se a janë më të mençura pranimi apo mospranimi i tij: nëse e pranojmë, çfarë duhet bërë që të jetë në të mirë të shtetit dhe të integrimit të serbëve; nëse nuk e pranojmë, çfarë në vijim.
(Autori është profesor i sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës)