OpEd

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE duhet të bëhet pa hezitim

Kosova më 15 dhjetor pritet të aplikojë për anëtarësim në BE. Ky hap gjithsesi duhet të bëhet dhe Kosova nuk duhet të dekurajohet nga porositë se “nuk është koha e duhur”. Ndoshta vërtet nuk janë reale gjasat për të marrë së shpejti statusin e vendit kandidat, por nëse nuk aplikon gjasat nuk ekzistojnë fare. Kosova është i vetmi shtet jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën që ka aspirata të anëtarësohet për BE, por nuk ka bërë kërkesë formale. Aplikimi është dëshmi e orientimit gjeostrategjik të Kosovës, diçka që BE-ja vazhdimisht e përmend

Kjo javë do të sjellë më në fund një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Një hap të vonuar, por në të njëjtën kohë një hap pas të cilit pakkush e di se si do të veprohet. Duke dashur ta konkretizojë atë që me vite e ka quajtur “rrugëtim përkatës evropian” apo edhe “perspektivë evropiane”, Kosova do të aplikojë edhe formalisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rastësisht apo jo ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i cili e bëri të ditur datën se kur Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE. Dhe ai duket se e ka thënë pikërisht datën e saktë. Sepse ai vazhdon të ketë lidhje dhe ndikim edhe në BE, prandaj pa dyshim se i di edhe veprimet e paralajmëruara. Ka mundësi që edhe nxitja e trazirave në pjesën veriore të Kosovës të jetë e lidhur me këtë akt, pra me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, pasi tashmë Kosova ka kërkuar dhe anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikimi për anëtarësim është një hap që gjithsesi duhet të bëhet dhe Kosova nuk duhet të dekurajohet nga porositë se “nuk është koha e duhur”. Ndoshta vërtet nuk janë reale gjasat për të marrë së shpejti statusin e vendit kandidat, por nëse nuk aplikon gjasat nuk ekzistojnë fare. Kosova është i vetmi shtet jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën që ka aspirata të anëtarësohet në BE, por nuk ka bërë kërkesë formale. Aplikimi është dëshmi e orientimit gjeostrategjik të Kosovës, diçka që BE-ja vazhdimisht e përmend.

së shpejti do të mbushë 15 vjet prej kur e ka shpallur pavarësinë e saj. Ndërkohë të gjitha shtetet e rajonit, dhe ato të fqinjësisë lindore, kanë aplikuar për anëtarësim në BE. Të gjitha, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës dhe Gjeorgjisë, kanë marrë edhe statusin e vendit kandidat. Kosova, pasi nuk ka aplikuar, nuk është formalisht fare e përfshirë në këtë proces. Gjatë verës së këtij viti statusin e vendit kandidat e kanë marrë edhe Ukraina e Moldavia. Pra, kemi vetëm dy vende evropiane që kanë kërkuar anëtarësim, por nuk e kanë marrë statusin e kandidatit (Bosnjë-Hercegovina dhe Gjeorgjia) dhe vetëm një vend, Kosova, që nuk ka kërkuar akoma anëtarësim në BE. Zvicra. Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni nuk duan anëtarësim në BE dhe janë pjesë e EFTA-s, pra pjesë e tregut unik dhe e zonës së lëvizjes së lirë të njerëzve sikur edhe pjesë e zonës së lëvizjes së lirë të punëtorëve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Britania e Madhe me dëshirën e vet është larguar nga Bashkimi Evropian. Kështu tash pas datës 15 dhjetor, kur kryeministri i Kosovës, Kurti, do t’ia dorëzojë Presidencës çeke të BE-së aplikacionin për anëtarësim në BE, nuk do të ketë më asnjë shtet evropian i cili synon anëtarësimin në BE dhe që nuk e ka kërkuar këtë anëtarësim formalisht. Kështu do të mbetet derisa një ditë Zvicra apo Norvegjia, apo ndonjë shtet tjetër, të ndërrojë mendjen dhe të kërkojë anëtarësim. Apo derisa të mos demokratizohet dhe çlirohet populli i Bjellorusisë nga diktatura e mbështetur nga Rusia dhe të kërkojë anëtarësim në BE. Me aplikimin e Kosovës po përmbyllet një rreth që, kur të realizohet një ditë qëllimi i procesit të zgjerimit, do të përmbyllë edhe idealin e bashkimit të Evropës.

Aplikimi është gjithsesi një hap i guximshëm, me disa rreziqe, por hap që në çdo mënyrë duhet të ndodhë. Pa marrë parasysh se do të ketë shumë “këshilla miqësore” që të mos e ndërmerr “akoma” një hap të tillë, që të presë “një moment më të duhur” e deri tek ato më pak miqësore se “së pari duhet të merreni vesh me Beogradin”, Kosova duhet të vendosë vetë dhe ta bëjë këtë hap. Dhe është mirë që më në fund ka marrë guximin dhe ka vendosur.

Nuk ka dyshim se procesi i zgjerimit është shumë i ngadalshëm. Por Kosova dëshiron me të drejtë të jetë pjesë e këtij procesi, çfarëdo të jetë ai. Për shkak se 5 shtete të BE-në nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, shqyrtimi i aplikacionit të Kosovës do të jetë një sfidë e madhe për BE-në. Por Kosova në këtë mënyrë ia bart përgjegjësinë BE-së që ajo të kërkojë zgjidhje. Në të kundërtën, Kosova së paku do të dijë se në çfarë pozite është dhe populli i Kosovës do ta kuptojë më mirë se sa reale dhe të sinqerta janë pohimet për “perspektivën evropiane” të vendit të tyre.

BE-ja ka shumë kërkesa ndaj Kosovës. Kosova tash e ka një për BE-në; kërkesën për anëtarësim. Nuk ka mënyrë tjetër për të testuar se sa vërtet BE-ja “garanton” perspektivën evropiane për Kosovën, nëse me perspektivë mendohet në anëtarësim.

Pasi Kosova në shumë aspekte ka qenë vërtet “sui generis”, mund të jetë edhe në procesin e zgjerimit, sidomos në fazën para marrjes së statusit të kandidatit duke aplikuar pa qenë e njohur nga të gjitha shtetet anëtare. Një nen i Traktatit, i njohur si “Kriteret e Kopenhagës”, vërtet përmend termin “shtet evropian” kur thotë se “secili shtet evropian…” mund të aplikojë për anëtarësim. Por edhe pse institucionet e BE-së, me përjashtim të Parlamentit Evropian, i cili e trajton Kosovën si shtet dhe kërkon nga të gjitha shtetet anëtare ta njohin, kanë qëndrim “neutral ndaj statusit”, mund të mos jetë i saktë interpretimi se “Kosova nuk është shtet”, për shkak se nuk është njohur nga të gjithë. Po ashtu, disa nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, së pari mund ta bëjnë ndërkohë njohjen, por mund edhe të pajtohen për të nisur procesin e dhënies së statusit të kandidatit pa paragjykuar qëndrimet e tyre ndaj statusit. Por, pasi të nisë procedura, njohja duhet të vijë nga të gjithë, pasi procesi i negociatave është një proces ndërqeveritar e jokomunitar i BE-së. Pra, negociatat e anëtarësimit nuk bëhen me institucionet e BE-së por me qeveritë e shteteve anëtare. Kosova nëse nuk aplikon, ka për të humbur më shumë sesa nëse aplikon. E BE-ja do të duhej t’i gëzohej aplikimit, sepse do të jetë dëshmia më e fortë formale se Kosova e ka të qartë orientimin strategjik nga BE-ja. Prandaj aplikimi i Kosovës duhet të shihet si një hap i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian.