Kujtim Dobruna
Në zgjedhjet e 9 shkurtit qytetarët e Kosovës dëshmuan sërish pjekurinë e tyre demokratike. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe për institucionet dhe partitë politike. Në fillim ishte KQZ-ja që befasisht tregoi paaftësi dhe hodhi një hije të keqe mbi procesin zgjedhor, duke vonuar shpalljen e rezultateve dhe duke mbjellë konfuzion e dyshim për të gjithë procesin. Më pas, dështimi kaloi në dorën e partive politike dhe deputetëve të zgjedhur, të cilët, duke bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë, treguan se kanë humbur çdo ambicie morale, e me këtë edhe çdo kredibilitet moral, që dikur buronte nga rezistenca paqësore, lufta për liri dhe periudha e shtetndërtimit. Sot, politika e Kosovës, e zhytur në mikrokozmosin e saj, është kthyer në një teatër të verbër provincial, që i ngjan skenarëve të telenovelave bajate. Në të njëjtën kohë bota, e në veçanti Evropa, po përballen me rreziqe të thella që kanosin sigurinë kombëtare, demokracinë liberale dhe mirëqenien ekonomike, ndaj të cilave as Kosova nuk është imune.
Perëndimi në krizë
Evropa po përjeton krizën më të rëndë të sigurisë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ballafaqimi mes demokracive dhe regjimeve autoritare po thellohet. Deri tani, Perëndimi ka vepruar mbi supozimin e një përballjeje me aksin e autokracive euroaziatike, Kinë, Rusi, Iran dhe Kore e Veriut, në kuadër të një lufte të ftohtë të re, pra Pax Americana kundër Pax Orientalis. Por tani, ShBA-ja si garantuesi kryesor i këtij rendi është në krizë orientimi. Retorika e paqëndrueshme nga Uashingtoni ka lëkundur besimin e aleatëve dhe ka rritur frikën se Evropa mund të mbetet e vetmuar dhe e pambrojtur.
Frika e evropianëve është e drejtë dhe e vetëshkaktuar, sepse përkundër agresionit rus që vazhdon, reagimi i vendimmarrësve në kryeqendrat evropiane ka qenë i ngadaltë dhe i çakorduar. Buxhetet për mbrojtje mbeten të pamjaftueshme. Evropa ka nevojë për një riarmatim urgjent, përfshirë investime të mëdha në logjistikë, mbrojtje ajrore dhe armë moderne, në një kapacitet të krahasueshëm me epokën e Luftës së Ftohtë. Por, kjo kërkon burime ekonomike që mungojnë. Prej krizës financiare të vitit 2008, Evropa ka ngecur për shkak të tre faktorëve kyçë: Dështimi për të ristrukturuar në mënyrë efektive sistemin bankar e financiar; menaxhimi i dobët i pandemisë, me mbyllje të tejzgjatura dhe rritje borxhesh, dhe dështimi të përfshihet mjaftueshëm në garën globale për inovacion dhe teknologji, që sot është burimi kryesor i investimeve dhe rritjes ekonomike.
Evropa e përçarë
Sot BE-ja është ndarë në dy blloqe: nga njëra anë, si flamurtare të rezistencës kundrejt neoimperializmit rus janë vendet baltike, nordike, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, që investojnë shumë në rritjen e kapaciteteve ushtarake. Nga ana tjetër janë vendet si Hungaria e Sllovakia, me qëndrime pro ruse, që pengojnë një reagim të përbashkët evropian. Jo më pak e rrezikshme, Serbia, në veçanti, edhe pse dërgon sporadikisht armë në Ukrainë, vazhdon ta përkrahë haptazi Putinin dhe ta destabilizojë Evropën Juglindore. Kjo përçarje e Evropës mund të thellohet, nëse e djathta ekstreme fuqizohet më tej në vende kyçe si Franca e Gjermania, gjë që përfundimisht mund të çojë deri te shpërbërja e BE-së dhe NATO-s. Dhe nëse Rusia fiton në Ukrainë, ajo do të ndihet e inkurajuar ta zgjerojë agresionin, përderisa Serbia do ta bëjë të njëjtën gjë në Ballkan.
Tre skenarët për të ardhmen
Tre skenarët e mëposhtëm mund të bëhen realitet, edhe pse mund të tingëllojnë të pamundur. Por, historia jep mësime të mjaftueshme, se një vlerësim real i situatës duhet doemos të mendohet përtej normave të imagjinatës standarde.
1. Shpërbërja e rendit perëndimor: Pax Americana me lidhjet e saj transatlantike dobësohet deri në margjinalizim. Demokracitë evropiane polarizohen më tej nga propaganda ruse dhe ekstremet politike të majta e të djathta. Si rrjedhojë, NATO dhe BE përçahen dhe shpërbëhen. Tregtia dhe investimet bien, duke çuar në recesion, krizë financiare, papunësi dhe trazira sociale që përfundojnë në kaos brenda Evropës.
2. Fuqizimi i neoimperializmit rus: Pavarësisht skenarit të mësipërm, Rusia përfiton nga përçarja dhe dobësia ekzistuese evropiane dhe transatlantike dhe zgjeron frontin në Evropën Lindore, me synim të rikthimit të ish-BRSS-së, Perdes së Hekurt dhe Luftës së Ftohtë. Evropa ndahet në dysh, përderisa popujt e ripushtuar vazhdojnë rezistencën e vet guerile ndaj Rusisë, që çon në një destabilitet të përhershëm në Evropë, rritje të intensitetit të luftës hibride, dezinformatave dhe tensioneve.
3. Dështimi i Rusisë: Një ashpërsim i sanksioneve ekonomike nga Perëndimi dhe një goditje tjetër financiare, për shembull përmes uljes së çmimit të naftës nën 40 dollarë për fuçi, si rezultat i aleancës perëndimore me OPEC-un, do të rrënonte aftësinë financiare të Kremlinit për të bërë luftë dhe në afat të mesëm do të mund të çonte në destabilizim të brendshëm, deri në rënie të regjimit. Kjo do të shpëtonte BE-në dhe NATO-n nga shkatërrimi, do të garantonte paqen edhe për një kohë në Evropë, përfshirë Ballkanin, do të forconte kohezionin evropian dhe transatlantik dhe do të fuqizonte Pax American kundrejt Pax Orientalis.
Dy skenarët e parë do të ishin katastrofikë për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, sepse projektet e “botës ruse” dhe “botës serbe” do të marshonin triumfalisht drejt realizimit. Shkatërrimi i NATO-s dhe BE-së do ta linte Kosovën pa garanci sigurie, pa aleatë, pa mbështetje ekonomike dhe pa perspektivë të integrimit euroatlantik. Serbia do të shfrytëzonte situatën për të nisur me mbështetje ruse një luftë të re kundër Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi e më gjerë. Ndërsa Kosova, e penguar nga vendet evropiane në konsolidimin e shtetësisë për shkak të pesë vendeve mosnjohëse, si dhe përmes kundërshtimit evropian për transformim të FSK-së në ushtri të plotë, do të mbetej e pambrojtur.
Çfarë duhet bërë?
Kosova nuk mund të gjejë zgjidhje për krizat botërore. Ajo duhet t’iu përshtatet rrethanave të reja dhe të mobilizohet me urgjencë rreth nevojave të veta me tri prioritete bazike:
1. Zhvillimi ekonomik: Aktivizimi i burimeve njerëzore, minerare dhe energjetike për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme zhvillimi përmes kapaciteteve të sektorit privat dhe investimeve të huaja. Pa rritje ekonomike, vendi do të rrëshqasë drejt krizës sociale e politike dhe nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë kapacitete mbrojtëse.
2. Siguria kombëtare: Ndërtimi i një ushtrie funksionale, të pajisur mirë, trajnimi i qytetarëve për vetëmbrojtje, etj. do të dekurajonin çdo ëndërr për ta ripushtuar Kosovën. Për këtë, rritja e buxhetit të mbrojtjes dhe thellimi i bashkëpunimit me aleatët janë të domosdoshme.
3. Diplomacia: Kosova duhet të ndërtojë një politikë të jashtme të guximshme, proaktive, që synon anëtarësimin në NATO, njohje dhe aleanca të reja dhe diplomaci ekonomike inteligjente.
Por asnjëra nga këto nuk është e mundur, përderisa vendi ngelet i bllokuar në krizën e brendshme politike dhe partitë politike pa vizion vijojnë të sillen si aktorë të dobët telenovelash absurde, të dëmshme, dhe të shkëputura krejtësisht nga realiteti.