Samiti i Sofjes konfirmoi të vërtetat e hidhura se s’ka përshpejtim të integrimit në BE për rajonin

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 23 maj 2018 08:12

Kur presidenti francez, Macron, është aq i ashpër ndaj zgjerimit, kur kancelarja gjermane, Merkel, është shumë e rezervuar, kur Holanda si shtet shumë i rëndësishëm ka aq shumë aversion ndaj përmendjes së zgjerimit të BE-së, kur skepticizëm ndaj zgjerimit ka edhe në Belgjikë e Danimarkë, atëherë është vështirë të besohet se mund të ndodhë ndonjë kthesë pozitive në këtë proces që do ta përshpejtonte atë. Pa marrë parasysh se cili është qëndrimi i institucioneve në Bruksel, Komisionit dhe Parlamentit, ky është një proces ku vendosin shtetet anëtare dhe atë me konsensus. E te shtetet anëtare nuk ka entuziazëm, dhe kjo u pa shumë qartë në Samitin e Sofjes.

Javën që shkoi në Sofje të Bullgarisë u zhvillua një samit i BE-së dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili ishte paramenduar që të shërbejë si inkurajim për vendet e rajonit që të ecin me një dinamikë më të shpejtë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ishte gjithsesi një ide e mirë me qëllim fisnik nga ana e kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov, e mbështetur edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

Nëse lëmë anash problemet rreth pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit joformal, atëherë duhet të themi se porosia nga ai nuk ishte edhe aq inkurajuese. Madje ishte një përballje me një të vërtetë të hidhur se për shtetet kryesore të BE-së, të cilat edhe vendosin, procesi i zgjerimit nuk bën të përshpejtohet e madje paralajmëruan se ai mund të ngadalësohet edhe më shumë sepse, siç u shpreh presidenti i Francës, në të kaluarën është menduar tepër shumë për zgjerim dhe prandaj BE-ja ka ardhur këtu ku është.

Samiti i Sofjes pra kësaj radhe nuk ishte për zgjerimin e BE-së, por më shumë për çështje si konektiviteti, zhvillimi digjital, migracioni, reformat dhe çështje e tjera, të cilat duhet të avancohen në rajon në mënyrë që ai të afrohet me BE-në. Dëgjuam porosi se pa zhvillim ekonomik do të jetë vështirë që vendet e rajonit të Ballkanit të afrohen me BE-në, dhe të bëhen të pranueshme për qytetarët e BE-së. Edhe vetë kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, në një konferencë në Sofje në prag të samitit ka përmendur si shembull se të gjitha gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor së bashku nuk e kanë nivelin e Bruto Prodhimit të Brendshëm sa i ka Sllovakia vetëm. E Sllovakia për nga GDP-ja është po ashtu nën mesataren e BE-së, ndërkohë që Bullgaria vazhdon të jetë shteti më i varfër i unionit, edhe më shumë se dhjetë vjet sa ka si anëtar i BE-së. Por edhe si më e varfra në BE Bullgaria është shumë, shumë para vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kur në Ballkan mendojnë se BE-ja do t’i pranojë së shpejti edhe 6 shtetet që duan anëtarësim, pasi që i kanë pranuar edhe Bullgarinë e Rumaninë duhet të mendojnë se në shtetet e pasura të BE-së ka një shkollë tjetër të të menduarit: “i kemi pranuar këta si të varfër, të papërgatitur, por e kemi nxjerrë mësimin dhe nuk do ta përsërisim më gabimin”. Kjo mund të jetë edhe një prej arsyeve pse ka aq shumë vonesa në procesin e zgjerimit të BE-së.

Se sa ka ngecur procesi i zgjerimit të BE-së dhe si ka dalë ai në plan të dytë krahasuar me periudhën e para 15 vjetëve ka përkujtuar në Sofje kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Ai ka rikujtuar se kur ishte zhvilluar Samiti i Selanikut në vitin 2003, vetëm një muaj pas nënshkrimit të Traktatit të anëtarësimit të 10 anëtarëve të ri në BE, një muaj pasi Kroacia kishte aplikuar për anëtarësim, ishte ideja që takime të tilla të zhvillohen çdo 3 vjet, por deri më tash nuk ka pasur asnjë të tillë prandaj edhe ky i sotmi në Sofje ka rëndësinë e veçantë. Plenkoviq ka paralajmëruar se Kroacia gjatë kryesimit të saj të BE-së në pjesën e parë të vitit 2020 do të zhvillojë një samit të tillë. Edhe ai ka bërë thirrje për BE-në që të jetë më e qartë rreth zgjerimit, por edhe për vendet që kufizojnë me Ballkanin Perëndimor, e këtu është edhe Kroacia, të ngritin më shumë zërin në favor të vendeve të rajonit.

Teksti i deklaratës së përbashkët që u miratua në këtë samit, së pari nga liderët e 28 shteteve anëtare e më pas të mbështetet edhe nga “partnerët e Ballkanit Perëndimor” ishte dakorduar kohë më parë në Bruksel në takimet e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare.

“Ne, liderët e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të saj anëtare, në konsultim me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor dhe në prani të hisedarëve relevantë rajonalë, sot kemi konkluduar si vijon: BE-ja mirëpret përkushtimin e përbashkët të partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj vlerave dhe parimeve evropiane, dhe vizionit për një Evropë të fortë, stabile dhe të bashkuar, të përforcuar nga lidhjet tona historike, kulturore dhe gjeografike, dhe nga interesat tona të përbashkëta politike, të sigurisë dhe ekonomike”, thuhet në këtë deklaratë.

“Duke rikujtuar Samitin e Selanikut të vitit 2003, BE-ja ripërsërit mbështetjen e parezervë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Duke ndërtuar mbi progresin e arritur deri më tash, partnerët nga Ballkani Perëndimor kanë ripërsëritur përkushtimin për perspektivën evropiane si zgjidhje e tyre e prerë strategjike, për të përforcuar përpjekjet e tyre dhe mbështetjen e ndërsjellë. Kredibiliteti i këtyre përpjekjeve varet nga komunikimi i qartë publik”, thuhet më tej. Por nuk ka asnjë element inkurajues se politika e BE-së do të ndryshojë karshi zgjerimit dhe kjo u pa në Sofje edhe nga porositë e presidentit të Francës, Emanuel Macron, kancelares gjermane, Merkel, kryeministrave të Holandës dhe Belgjikës. Të gjithë ata duan lidhje më të forta me rajonin, angazhim më të madh të BE-së në rajon dhe rritje edhe të asistencës ekonomike. Por jo edhe që ato shtete së shpejti të bëhen anëtare të BE-së. Madje Macron ka bërë ftesë që të kihet kujdes me procesin e zgjerimit dhe të pritet që edhe vendet e rajonit të kryejnë reformat, por edhe BE-ja të thellojë reformat e veta para se të mendojë të zgjerohet.

“Un jam për të lidhur Ballkanin Perëndimor me Evropën. Me shumë kujdes dhe vëmendje duhet shikuar çdo zgjerim. Negociatat, të cilat po zhvillohen duhet vazhduar, duhet ndihmuar vendeve të cilat bëjnë reforma dhe avancojnë drejt BE-së, dhe kjo është edhe zgjedhja ime strategjike. Por nuk jam në favor të kësaj para se të kemi të gjitha garancitë dhe para reformave të cilat do të mundësonin thellimin dhe funksionimi më të mirë të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të shkohet më pas drejt zgjerimit”, ka thënë Macron.

“Në 15 vjetët e fundit është dëshmuar se ka qenë gabim që gjithmonë të mendohet në zgjerim. Nuk do t’u bëjmë shërbim as shteteve që janë kandidate për anëtarësim e as vetvetes me mekanizma që nuk kanë rregulla, dhe i cili shkon gjithmonë drejt zgjerimit. Un jam në favor që të rrisim dialogun strategjik me Ballkanin Perëndimor, që të ndjekim për së afërmi, reformat që po bëhen dhe i inkurajojmë, por pa lëshime dhe pa hipokrizi”, ka thënë presidenti i Francës.

Kundër afateve në procesin e zgjerimit është shprehur edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. E pyetur se a është afati i anëtarësimit të disa vendeve kandidate në BE deri në vitin 2025, ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk është reale dhe se datat nuk duhet të jenë në fokus, por reformat, sikur edhe zgjidhja e kontesteve kufitare mes vendeve të rajonit.

“Unë nuk besoj në këtë datë si qëllim, sepse fjala është për zgjerimin, i cili është i bazuar në progres në çështje e jo që ka ndonjë afat kohor në horizont. Me rëndësi është se çfarë është arritur deri më tash në forcimin e sundimit të ligjit, sa kanë arritur në luftë kundër korrupsionit, cilat janë kornizat e tjera të kushteve, si për shembull mospajtimet rreth kufijve. Siç shohim edhe Sllovenia e Kroacia, dy anëtare të BE-së, ende vazhdojnë të flasin për kufijtë e tyre sot dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë përsëri në të ardhmen”, ka thënë Merkel. Në këtë drejtim ajo ka nënvizuar se “Ishte një lajm shumë i mirë arritja e zgjidhjes për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi”. “Procesi duhet të bazohet në rregulla, kushtet duhet të përmbushen e jo të japim korniza kohore, por përmbushja e kushteve duhet të jetë faktori i cili vendos edhe për shpejtësinë pastaj”, ka thënë kancelarja gjermane.

Kur presidenti francez, Macron, është aq i ashpër ndaj zgjerimit, kur kancelarja gjermane, Merkel, është shumë e rezervuar, kur Holanda si shtet shumë i rëndësishëm ka aq shumë aversion ndaj përmendjes së zgjerimit të BE-së, kur skepticizëm ndaj zgjerimit ka edhe në Belgjikë e Danimarkë, atëherë është vështirë të besohet se mund të ndodhë ndonjë kthesë pozitive në këtë proces që do ta përshpejtonte atë. Pa marrë parasysh se cili është qëndrimi i institucioneve në Bruksel, Komisionit dhe Parlamentit, ky është një proces ku vendosin shtetet anëtare dhe atë me konsensus. E te shtetet anëtare nuk ka entuziazëm dhe kjo u pa shumë qartë në Samitin e Sofjes.

Kësaj duhet shtuar edhe faktin se në shtetet kryesore të BE-së mbi 60 për qind e qytetarëve janë kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ndoshta, siç ka thënë presidenti i Grupit të Parisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian Weber, ky kundërshtim kaq i madh është për shkak të Turqisë e jo Ballkanit Perëndimor , por as për vendet e Ballkanit nuk ka ndonjë mbështetje të madhe. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe liderët e vendeve të Ballkanit, kur bëhen kinse kanë marrë garanci për rrugë të sigurt të vendeve të tyre drejt integrimit në BE. Vërtet ka mbështetje të fuqishme për rajonin, por kjo nuk do të thotë se ka mbështetje edhe për anëtarësimin e tyre në BE, në një të ardhme të afërt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj