Vështrime

Meloditë e Kosovës

Kur sot e shikon luginën e Lepencit apo atë të Lumëbardhit të Deçanit, ato përshtaten krejtësisht me meloditë e krijimeve që marrin “like”-t e audiencës kosovare. Së bashku pastaj përshtaten me mendësinë institucionale të shtetit të ri, i cili përveçqë është kampion për papunësi, varfëri, arsim të dobët... është edhe për resurse të mangëta të ujit

“An der schönen blauen Donau”, që i bie “Danubi i bukur i kaltër” është një kompozim i Straussit i shekullit XIX me të cilin mburret Austria sot. Mburret jo veç me harmoninë e kënaqësinë që të sjellë melodia, por edhe me lumin që i dedikohet. Ndër shekuj kujdeset e i promovon të dyja. Shumë nga ne, posaçërisht gjeneratat e viteve ’70, ‘80 e ‘90, e njohim këtë vepër të Straussit. E kemi përjetuar pa e ditur se bëhet fjalë për një vepër botërore, të cilën nëse sot e kërkon në YouTube, ta kujton Tomin dhe Xherin.