OpEd

Murtaja e re e shekullit 21

Lajmet e rrejshme janë rreziku më i madh për demokracinë. Lufta kundër tyre duhet të jetë obligim parësor i mediave.

Komunikimi digjital është një zhvillim fantastik. Për dallim nga vitet ’90, kur për të dërguar një tekst, ta zëmë, te gazeta e atëhershme «Bujku» apo te e përditshmja e sapo themeluar «Koha Ditore», duhej të prisje disa minuta për të vendosur lidhjen me faksin e redaksisë, sot dërgimi i një teksti është lojë fëmijësh. Dikur shpesh duhej provuar disa herë për të kapur sinjalin e famshëm të faksit, ndërsa sot mjaftojnë dy-tri klikime dhe teksti është në redaksi. Dërgimi i tekstit me faks ishte një torturë, shpesh lidhja këputej dhe betejën e dërgimit të tekstit duhej nisur nga fillimi. Kur, më në fund, faksi njoftonte se teksti është dërguar, pasonte thirrja e redaktorit, i cili thoshte se, për fat të keq, shkronjat pothuaj s’mund të lexoheshin. Kështu drama vazhdonte.

Gjëra të tilla sot janë të paimagjinueshme. Në vend të tyre bota mediale është infektuar nga lajmet e rrejshme, nga «fake news». Në krahasim me vitet ’90, kur gazetarët ishin si të thuash mbajtësit e monopolit mbi përhapjen e informacionit, sot çdokujt që ka një lidhje interneti mund t’i duket vetja gazetar. Ose së paku përhapës lajmesh e njoftimesh të çfarëdollojshme – nga agjendat partiake deri te reklamat për opinga. Sipas filozofit gjerman Philipp Hübl, i cili së fundi foli në Panairin e Librit në Leipzig mbi lajmet e rrejshme, mediat klasike kanë humbur funksionin e rojtarit të qarkullimit të lajmeve si pasojë e popullarizimit të mediave sociale. Aty mund të gjesh si lajme korrekte të shkruara nga profesionistët ashtu edhe lloj-lloj çervishi me shkronja. Tani, sipas Hübl, çdo individ duhet të mbrohet vetë dhe të jetë i sensibilizuar me temën e lajmeve të rrejshme. Secili është vetë përgjegjës për atë që beson. Qëllimi i lajmeve të rrejshme është mashtrimi i publikut për agjenda të ndryshme, qofshin këto politike, ekonomike, propagandistike. Një lajm i gabuar mund dhe duhet të korrigjohet, ndërsa lajmet e rrejshme nuk korrigjohen, sepse ata që i plasojnë këto lajme këtë e kanë biznes dhe strategji mbijetese. Kush shpërndan lajme të rrejshme nuk ka asnjë interes për të vërtetën, por për përhapjen e rrenave.

Të dielën shumica e portaleve të Kosovës dhanë lajmin se kryeministri i Spanjës e ka quajtur presidentin e Kosovës “kriminel”. Burimi i lajmit ishte portali deri më tani i panjohur “inserbia.info”. Ky portal i referohej gazetës serioze spanjolle “El Pais”, e cila kishte shkruar se Mariano Rajoy e kishte ndërmend të bojkotonte një samit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës. Sipas “inserbia.info”, Rajoy e paskësh quajtur “kriminel” presidentin e Kosovës. Në vend se të verifikohet lajmi, për shembull duke hulumtuar në webfaqen e “El Pais”, përkthyes-gazetari i portalit kosovar (nuk dihet se cili e hodhi gurin i pari, sepse lajmi u shpërnda me shpejtësi) u mjaftua me shqipërimin e propagandës serbe. Portali serb e kishte shkruar gabimisht mbiemrin e kryeministrit spanjoll: Rahoy në vend të Rajoy. Një gazetari të vëmendshëm edhe kjo do të duhej t’i binte në sy.

Vrapimi pas sensacioneve dhe dëshira për të arritur sa më shumë klikime me karrem -“lajme” duket se ka ndikuar që jo pak media të harrojnë obligimet që kanë ndaj publikut. Për shembull kryeobligimi është informimi korrekt dhe verifikimi i lajmit. Dhe jo kopjimi, vjedhja, plagjiatura që janë shndërruar në murtajë të gazetarisë shqiptare.

Në përgjithësi në mediat shqiptare, sidomos ato të Kosovës, përkthehen pa asnjë kriter lajme nga mediat serbe, madje nga mediat më joserioze dhe ultranacionaliste siç janë “Informer”, “Kurir” apo edhe “Veçernje novosti”. Para portalit “inserbia.info” lajmin e rrejshëm se kryeministri spanjoll e ka quajtur “kriminel” një politikan kosovar e ka dhënë “Informeri” i Beogradit, një fletushkë pallavrash në shërbim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Përkthimi dhe shpërndarja e lajmeve sensacionale të mediave serbe i bën mediat shqiptare të duken si distributore thashethemesh. Me këtë qasje jo vetëm që fyhet lexuesi, por edhe dëmtohet rëndë besueshmëria e mediave. Po aq i dëmshëm sa hedhja në opinion e turli lajmi nga laboratorët e propagandës së Beogradit, është edhe citimi gjithnjë e më i shpeshtë në mediat shqiptare i portalit rus “Sputnik” dhe i televizionit të Kremlinit “rt” (dikur Russia Today).

Nëse shtete të fuqishme si SHBA-të, Britania e Madhe dhe Gjermania janë të rrezikuara nga propaganda ruse, mund të merret me mend se çfarë rreziku i kanoset viseve shqiptare nëse mediat e çarshisë sonë të vogël shpërndajnë falas thashetheme të Beogradit dhe Moskës. Për fat të keq deri më tani ndaj këtij rreziku po qëndron indiferent edhe politika në Prishtinë dhe Tiranë. Shumë politikanë e oligarkë të Kosovës dhe Shqipërisë financojnë nga prapavija makina të propagandës si mjete për torturimin e rivalëve politikë dhe shkatërrimin e mediave serioze. Me këto sjellje e veprime politikanët dhe oligarkët shqiptarë në të vërtetë nuk dallojnë shumë nga “homologët” e tyre në Serbi e Rusi.