OpEd

Zhgënjimi i Lajçakut

Emisari Miroslav Lajçak e filloi mandatin me qëndrimin se dialogu është “çështje muajsh” dhe e përfundoi me deklaratën se “shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim”. Por problemi i dialogut nuk është Lajçaku. Ai do të shkojë tani, por shkaqet themelore të ngecjes së dialogut do të mbesin po të njëjtat

Përvjetorët janë mënyrë e mirë për të na kujtuar se sa shpejt po kalon koha. Isha në një lloj shoku dje kur kuptova që ishte katërvjetori i Marrëveshjes së Washingtonit. Po kështu, mendova për kohën mbrapa nesh kur e pashë deklaratën e fundit të Lajçakut, ku ai tha se “shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim”. Ky ton pesimizmi ishte në kontrast të thellë me Lajçakun optimist në fillimin e mandatit të tij, kur ai besonte se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë është “çështje muajsh, dhe jo vitesh”. 

Të punosh në diplomaci është të merresh me gjëra të vështira. Prandaj një nga kërkesat themelore të të qenit diplomat është të jesh optimist. Të shohësh një shteg për zgjidhjen e një problemi atëherë kur askush tjetër nuk sheh zgjidhje. Por, siç duket, dialogu Kosovë – Serbi ka arritur të mposhtë edhe një nga diplomatët më optimistë evropianë. Dhe ky nuk është faji i Lajçakut. Ashtu siç nuk ka qenë faji i Catherine Ashtonit apo i Federica Mogherinit. Është shumë më e lehtë që faji për ngecjen në dialogun Kosovë – Serbi t’i faturohet një personi, por realiteti është më kompleks. 

Të marrim shembull Marrëveshjen e Washingtonit. Momenti i Marrëveshjes së Washingtonit është moment kurioz, sepse është momentumi i vetëm në historinë e dialogut ku autoriteti i presidentit të SHBA-së u përfshi personalisht dhe drejtpërdrejt në dialogun Kosovë – Serbi. Atëherë si ka qenë e mundur që të dështojë një marrëveshje për të cilën garantoi personi më i fuqishëm në botë? 

Janë tri arsye.

E para, përkundër prezencës personale të presidentit të SHBA-së në ceremoninë e nënshkrimit, vetë administrata amerikane nuk ishte serioze për marrëveshjen e Washingtonit. Ajo u bë shpejt e shpejt në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe u pa si një iniciativë personale e Richard Grenellit dhe jo një proces institucional i formuluar dhe i mbështetur nga të gjitha elementet e administratës amerikane. Kjo është edhe arsyeja përse administrata pasuese e Bidenit, ndonëse asnjëherë nuk e anuloi Marrëveshjen e Washingtonit, praktikisht e varrosi atë në histori, duke e pushuar përmendjen e saj në çfarëdo komunikimi publik zyrtar amerikan. 

Së dyti, Marrëveshja e Washingtonit nuk e pati suksesin e synuar, sepse ajo nuk u koordinua me aleatët evropianë. Pra, duke qenë një ndërmarrje personale e Grenellit ajo u formulua jashtë kornizave diplomatike dhe institucionale të bashkëpunimit transatlantik. Si pasojë, ajo u injorua nga evropianët dhe duke qenë se Kosova dhe Serbia janë çështje evropiane, dështimi për ta siguruar përkrahjen evropiane e siguroi edhe dështimin e Marrëveshjes së Washingtonit.

Së treti, gjithë këtë mungesë serioziteti e kuptuan edhe liderët e Kosovës dhe ata të Serbisë. Prandaj ata e përdorën marrëveshjen vetëm si mjet akuze për shkeljet e palës tjetër, dhe jo si mjet i dobishëm për avancimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. 

Marrëveshja e Washingtonit është një tjetër episod, i cili na mëson për vështirësitë dhe kompleksitetin që e rrethon dialogun Kosovë – Serbi. Nga ajo kuptojmë se janë së paku tri parakushte themelore që duhet të përmbushen për të pasur sukses në kuadër të dialogut. 

E para, dialogu duhet ta këtë vëmendjen serioze institucionale të arkitekturës së vendimmarrjes amerikane. Nuk është e mjaftueshme që dialogu të ketë vetëm vëmendjen e një këshilltari polik apo një burokrati diplomatik. Dialogu duhet të njihet nga të gjitha elementet e vendimmarrjes amerikane, si çështje prioritare që duhet dhënë fund në Ballkanin Perëndimor.

E dyta, pas konsensusit amerikan, dialogu duhet të këtë edhe mbështetjen e lidershipit evropian. Progresi në dialog nënkupton avancimin e dy vendeve drejt BE-së, prandaj mbështetja evropiane është kritike dhe e pazëvendësueshme. Vëmendja e këtij viti e tre liderëve – Sholz-Macron-Meloni – ishte hap në drejtimin e duhur dhe formulë që duhet eksploruar tutje. Pranimi i Asociacionit nga ana e Kurtit në takimin me tre liderë, më 27 tetor 2023, ishte tregues i fuqisë së këtij lidershipi evropian. Nga ana tjetër, refuzimi i nënshkrimit nga ana e Vuçiqit ishte tregues i dobësisë.

Dhe e fundit dhe më e rëndësishme, dialogu kërkon vullnet nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë. Për kohë të gjatë kemi parë se si dialogu po përdoret për kalkulime të brendshme politike. Kohëve të fundit Vuçiq ka bërë çdo gjë për ta sabotuar dialogun – nga dhimbja e dorës së nënshkrimit e deri te Banjska. Kurti nga ana tjetër e zëvendësoi agjendën e dialogut me agjendën e sovranitetit. Me dy qasje të tilla mund të ketë vetëm një efekt: ngecja e dialogut.

Duke shikuar përpara, njeriu duhet të jetë pesimist. Këto tri parakushte të cilat i përmenda nuk do të përmbushen as në një të ardhme të afërt. Zgjedhjet në SHBA dhe në Kosovë do të sigurojnë që të këtë fare pak lëvizje këtë vit në kuadër të dialogut. Në Serbi, Vuçiq është i preokupuar me çështje të brendshme, sikur ato të litiumit dhe EXPO 2027. Me fjalë të tjera, viti 2024 është praktikisht i përfunduar për dialogun. E gjithë kjo na sjell në vitin 2025, kur vetëm mund të shpresojmë se epilogu zgjedhor në SHBA do të jetë në favor të rajonit tonë. Se në rajonin tonë vetëm kjo ka ngelur: shpresa.