OpEd

Koordinimi

Njëmend nuk e kam të qartë assesi se përse pra lejohet nga superfuqitë, që i gjithë ai investim në para dhe njohuri, të dështojë në një vend kaq të vogël që dikur e ka pasur një rëndësi gjeostrategjike, nëse jo vetëm humanitare, për to? Përse nevoja për ta mbajtur këtë vend si vatër krize të përhershme? Përse kështu të hapen shtigjet e reja për ndikimin e rrymave të turli lloji që mund të na shtyjnë edhe më prapa sesa jemi, duke nisur rrëshqitjen mbase edhe nga Lindja?

“Veprime të njëanshme”, është ajo që përherë e më shpesh e dëgjojmë nga përfaqësuesit politikë e diplomatikë ndërkombëtarë, sa herë që diçka nis të lëvizë në veri. 

Sikurse edhe te rasti i urës, kur nuk na thuhej drejtpërsëdrejti se përse nuk bënte të hapej, ka kohë që dëgjojmë kryesisht qortime të intensitetit të ndryshëm, për “veprimet e njëanshme” të Prishtinës, a të Kosovës, a të Qeverisë – varësisht se kë dhe sa do që ta shtyjnë për mur me qëllimin e disiplinimit apo edhe të shtyrjes drejt “koordinimit me faktorin ndërkombëtar”.

Pra, që nga maji i vitit të shkuar, mbajtja e zgjedhjeve, vendosja e kryetarëve të zgjedhur me vota minimale (për shkak të bojkotit të serbëve) në ndërtesat komunale; zëvendësimi i simboleve shtetërore serbe me ato të Kosovës nëpër ndërtesat publike në veri; mbyllja e komunave paralele në pjesën jugore të Kosovës; mbyllja e zyrave postare serbe; heqja e dinarit nga qarkullimi; që nga pardje e dje edhe hapja e një poste të Kosovës në Mitrovicë dhe mbyllja e komunave ilegale edhe në veri - krejt këto janë quajtur në një formë a tjetrën, “veprime të njëanshme”, edhe pse bëhej fjalë për vendosjen e kushtetutshmërisë në një pjesë të territorit që mbi dy dekada ka qenë jashtë kontrollit të shtetit të Kosovës.

* * *

Para dy ditësh, Beogradin e vizitoi kryetari i Francës, Macron. Kjo vizitë e pasoi atë të kancelarit gjerman Scholz para disa javësh. Që të dyja vizitat lidhen për interesat e Francës dhe Gjermanisë – por edhe të Serbisë. Në rastin e Francës, Serbia i jep para për të blerë aeroplanë luftarakë; në rastin e Gjermanisë, Serbia merr para për lejimin e eksploatimit të litiumit. Dhe në të dyja rastet, marrëveshjet arrihen me Vuçiqin – i cili vazhdon ta luajë mençur lojën e tij. Vazhdon t’i përkrahë Rusinë e Putinin; vazhdon të ketë lidhje shumë të mira me Kinën; vazhdon të vjelë fonde nga Evropa dhe SHBA-ja dhe rrugës refuzon çfarëdo obligimi që mund të dalë nga dialogu maratonik me Kosovën – dhe nuk e ha asnjë sanksion të vetëm.

Prej kohësh, shtetet perëndimore janë duke na treguar se partner më të pranueshëm për çfarëdo e kanë Serbinë sesa Kosovën. Janë duke na treguar se ka kohë që e kanë marrë anën e Serbisë, për shkak se ka kohë që insistojnë të themelohet “Zajednica” dhe që “të ruhen lidhjet mes serbëve të Kosovës dhe shtetit amë”. I fundit që e përsëriti tërthorazi qe emisari gjerman për dialogun, Sarrazin, i cili tha, pak a shumë, se pa kompromise nuk ka normalizim.

Pra, Kosovës, pas futjes së Planit të Ahtisaarit në Kushtetutë i kërkohen ende kompromise, për shkak se duhen akomoduar Serbinë, nga e cila duket se kanë shumë më shumë leverdi, politike dhe ekonomike. Kosovës i kërkohet që hala të cungojë sovranitet, duke e krijuar një krijesë artificiale dhe paralele të pushtetit në veri, që do t’i kthehej mënyrës së të vepruarit sikur ishte para një viti: me urdhra të drejtpërdrejta të kriminelëve dhe terroristëve të sojit të Radoiçiqit, dorës së zgjatur të Vuçiqit.

Nuk e kam as dyshimin më të vogël se perëndimoret i dinë hesapet e tyre shumë më mirë se cilido nga vrojtuesit që i pësojmë efektet e politikave apo të qëndrimeve të tyre. Porse, e besoj se gjithashtu e dinë se zor do të gjendet një popull e shtet me orientim më properëndimor sesa jemi ne dhe shteti ynë. 

Deri në majin e shkuar, koordinimi ka nënkuptuar nënshtrim ndaj urdhrave që kanë ardhur nga të huajt (sikurse ka qenë situata kur na është thënë se simbolet shtetërore mund të duken vetëm kështu siç janë tash, sa për ta marrë një shembull). Në shumë raste, këta urdhra kanë qenë absolutisht jetikë dhe kyçë për vendosjen e themeleve të një shteti të ri. 

Por, insistimi që, me çdo kusht, të ndalohet ose ngadalësohet shtrirja e sovranitetit, sado e brishtë që është, dhe sado që serbët e shohin si tragjike për popullatën lokale – duhet ta ketë një shpjegim përtej kërkesës për koordinim dhe për parandalimin e veprimeve të njëanshme. Pas gjithë punës që e kanë bërë për të na shpëtuar, çliruar dhe për të na bërë me shtet, është shumë vështirë e kuptueshme se përse përpjekja për ta mbajtur situatën e pazgjidhur në veri. Dhe, përse nuk gjendet mënyra e komunikimit të krejt këtyre ideve këtij populli, meqë vendimet kanë të bëjnë me jetën e pjesëtarëve të tij.

Mbase nuk jemi ekspertë të gjeopolitikës, porse kjo nuk do të thotë se nuk do të mund ta kuptonim një argumentim logjik të asaj se përse çfarëdo që ndodh në veri është “veprim i njëanshëm” i Kosovës, por jo edhe i Serbisë. Nuk e di se në cilin shtet të BE-së mund të ndodhë që fqinji të hyjë në territor e të hapë posta e banka për të operuar me valutë tjetër që nuk është euro, apo edhe të hapë zyra për të lëshuar letërnjoftime e pasaporta ku krejt vendbanimet e atij shteti aneksohen, së paku në dokumente, nga shteti ndërhyrës.

Nëse nuk e kam gabim me atë që e shkrova më lart, njëmend nuk e kam të qartë assesi se përse pra lejohet, nga superfuqitë, që i gjithë ai investim në para dhe njohuri të dështojë në një vend kaq të vogël që dikur e ka pasur një rëndësi gjeostrategjike, nëse jo vetëm humanitare, për to? Përse nevoja për ta mbajtur këtë vend si vatër krize të përhershme? Përse kështu të hapen shtigjet e reja për ndikimin e rrymave të turli lloji që mund të na shtyjnë edhe më prapa sesa jemi, duke nisur rrëshqitjen edhe nga Lindja?

* * *

Natyrisht se një pjesë e madhe e fajit është jona.

Ne nuk kemi ditur të formojmë e të mbajmë shtet vetë. Nuk kemi qenë të interesuar me gjasë. Kemi shikuar ëndrra syhapur, duke menduar mbase se gjërat kryhen vetvetiu. Kemi qenë të zënë duke e zhvatur vetveten, dhe duke e gënjyer veten në çdo cikël zgjedhjesh.

Cikli i ri ka nisur ka kohë, dhe e dimë se do të na e çajnë kokën duke na treguar se Kosovën do ta bëjnë Zvicër a Suedi; se do të gjendet një shkop magjik për të ndryshuar gjithçka brenda natës dhe se që nga shkurti i ardhshëm do të jetojmë më mirë.

Në pesë muajt e ardhshëm do të përballemi me arrogancën e pushtetit dhe të numrave, që shumë lehtë mund të pësojnë rënie, për shkak se rrethanat e para katër vjetëve nuk janë më – janë më ndryshe. Shumë raste u humbën për përmirësime thelbësore.

Vendimet populiste të çastit të fundit janë një diçka që e kemi parë çdo të tretin vit. Akuzat shpesh joracionale të opozitës janë njësoj diçka që kemi parë më herët. Ndërkohë që vazhdojmë të jemi ndër shtetet më të varfra në Evropë – për shkak se jemi njerëz dembelë, që nuk ia dimë vlerën asaj që e kemi.

Humbja eventuale e përkrahjes ndërkombëtare do të na kushtonte shumë. Por edhe humbja e mëvetësisë për vendime strategjike dhe sovrane do të na bënte shumë dëm. Do të na shkaktonte shumë dhimbje dhe kthim shumë prapa. Thuajse aty, ku duhet nisur nga e para.

[email protected]