OpEd

A do të ndikojnë zgjedhjet në SHBA te rezultati zgjedhor në Kosovë?

Rezultati zgjedhor në Kosovë do të jetë i paqartë përderisa të kemi një president të ri të SHBA-së. Kjo për shkak se, kur bëhet fjalë për preferencat e tij politike, lideri i LVV-së dhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i ka vendosur të gjitha vezët në njërën shportë, duke krijuar kështu kundërshtarë aty ku nuk ka nevojë

Partisë në pushtet i ka konvenuar mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në verë apo në vjeshtën e hershme, mirëpo kanë qenë partitë opozitare ato që e kanë kundërshtuar shpërndarjen e Kuvendit sipas iniciativës së LVV-së. Ato kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë si mënyrë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, gjë që për liderin e LVV-së dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka qenë e papranueshme, sepse kërkesa për dorëheqjen e qeverisë së tij lidhej me pretendimin e LDK-së dhe të AAK-së, parti opozitare që e kundërshtuan iniciativën e LVV-së dhe PDK-së për shpërndarje të Kuvendit, se Qeveria e udhëhequr nga Kurti duhej të jepte dorëheqje për shkak të qeverisjes së dështuar. Në këtë mënyrë, plani i LVV-së që zgjedhjet parlamentare në Kosovë t’u paraprijnë zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk u realizua.

Kjo i jep hapësirë partisë në pushtet që t’i mbulojë disa dështime me iniciativa legjislative, të cilat bëhen për konsum zgjedhor. Këto iniciativa legjislative filluan me dy projektligje të miratuara këtë javë: ai për pagën minimale dhe për sigurimet shëndetësore. Në këtë mënyrë po hyjmë në fazën e ligjvënies zgjedhore, por e cila nuk do të ketë efekt praktik deri pas konstituimit të legjislaturës së ardhshme dhe zgjedhjes së qeverisë së re që do të rezultojë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Më 9 shkurt 2025, presidenti apo presidentja e re amerikane do ta ketë marrë detyrën. Ky mund të jetë Donald Trumpi apo Kamala Harrisi. Zgjedhjet presidenciale amerikane, që do të mbahen më 5 nëntor, mund të përcaktojnë edhe rezultatin zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Kjo ngase, po që se zgjedhjet i fiton Trumpi, ndaj të cilit kryeministri Kurti ka shprehur antipati të hapur, politika e SHBA-së ndaj Kosovës me Kurtin në pushtet mund të ndryshojë rrënjësisht. Kjo mund të argumentohet edhe me faktin se njëri prej njerëzve më të afërt të Trumpit, Richard Grenelli, po ashtu ka shprehur hapur mospëlqim për kryeministrin Kurti, duke e quajtur atë madje edhe fashist. Pavarësisht se personalisht nuk pajtohem me cilësimet që Grenell ia ka bërë Kurtit, kritikat e tij të shpeshta për Kurtin tregojnë se marrëdhëniet ndërmjet dy administratave: asaj të Trumpit, po qe se ai i fiton zgjedhjet, dhe asaj të Kurtit, po qe se edhe ky i fiton zgjedhjet, do të jenë, thënë së buti, të tendosura. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së kanë një dozë tendosjeje edhe gjatë administratës së Joe Bidenit, por megjithëkëtë ato janë funksionale. Me ardhjen e mundshme të Trumpit në pushtet, mund të shohim një përkeqësim të skajshëm të marrëdhënieve Kosovë-SHBA. Nëse zgjedhjet i fiton Harris, cilësia e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së do të varet kryesisht nga politika e qeverisë në raport me veriun dhe qasja e saj ndaj dialogut me Serbinë, përkatësisht veprimet që Qeveria do t’i ndërmarrë apo nuk do t’i ndërmarrë në raport me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sido që të jetë, skenari në të cilin zgjedhësit në Kosovë shkojnë tek kutitë e votimit, pasi që të jetë përcaktuar fituesi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, është më pak i dëshiruar për Kurtin dhe LVV-në. Kjo për arsye se me një mandat të freskët, akëcili president i ri i SHBA-së që do ta marrë detyrën në janar 2025, do të jetë më i ashpër në raport me politikën e qeverisë ndaj veriut, që ka qenë shtylla e qeverisjes Kurti dhe që do të përdoret si adut i LVV-së në fushatën zgjedhore. Në vazhdim mund të ketë edhe veprime të tjera në raport me veriun, veprime të cilat do të jenë të ndërlidhura drejtpërdrejt me fushatën zgjedhore. Vizitat e ministrave të Qeverisë në veri po bëhen, por kjo nuk është shenjë e integrimit të veriut, sepse këto vizita po bëhen nën masa të rrepta sigurie. Ç’është e vërteta, rezultati i Qeverisë së Kosovës është se e ka vënë veriun nën kontroll policor, por kjo nuk do të thotë se ka arritur diçka konkrete për të integruar veriun përbrenda sistemit politiko-ligjor të vendit. Ndryshimi i status quosë, në të cilin veriu ka qenë nën sundimin efektiv të bandës së Milan Radoiçiqit, me funksionim nominal të policisë, administratës dhe gjyqësorit, po ashtu të kontrolluar nga ai e me bekimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka krijuar një pat pozicion, në të cilin veriu është vënë nën kontroll policor, por pa pjesëmarrjen e qytetarëve të atjeshëm, të cilët vazhdojnë të jenë nën urdhrat e Beogradit. Prandaj duhet të mendohet për hapa të radhës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë se si sovraniteti të mos ketë vetëm pamjen e uniformës së kaltër, por që ai të funksionojë në të gjitha aspektet.

Në rast të fitores së Trumpit, politika e SHBA-së ndaj dialogut Kosovë-Serbi mund të ndryshojë. Trumpi mund të kërkojë ndonjë marrëveshje të re mes Kosovës e Serbisë, të mbikëqyrur drejtpërsëdrejti nga ai, dhe kjo nga ana administratës së tij mund të duket e pamundshme me Kurtin në pushtet. Prandaj, nuk do të ishte çudi që në rast të fitores, njerëzit e afërt me Trumpin të dërgojnë mesazhe të drejtpërdrejta kundër LVV-së, gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë. Kjo do të ketë ndikim tek mënyra se si do të votojnë votuesit kosovarë dhe mund t’i shkaktojë tkurrje të konsiderueshme zgjedhore LVV-së.

Prandaj, rezultati zgjedhor në Kosovë do të jetë i paqartë përderisa të kemi një president të ri të SHBA-së. Kjo për shkak se, kur bëhet fjalë për preferencat e tij politike, lideri i LVV-së dhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i ka vendosur të gjitha vezët në njërën shportë, duke krijuar kështu kundërshtarë aty ku nuk ka nevojë.