OpEd

Pse jo?

Nuk po na jepet bile një arsye e vetme pse nuk do të duhej të hapej ura. Po e kam shumë të zorshme ta kuptoj se përse duhen të qiten mbi tavolinë bisedimesh çështja e rrymës që serbët duhen paguar; se cilën valutë guxon ose nuk guxon ta përdorë Kosova, pavarësisht që tashmë që këtë punë formalisht e ka përkufizuar Kushtetuta; pse duhet biseduar për funksionimin e postave të një shteti të huaj – pra një aseti strategjik edhe për sigurinë e Kosovës dhe pse duhet biseduar për urën? Thuajse intenca e këtyre bisedimeve është që aty të përcaktohet e të vendoset një kufi ndarës mes etnish. Krejt e kundërta nga ajo që thuhet për Kosovën shtet shumetnik

Duket se Kosova ka hyrë në njëfarë “sleep mode” në këto javët e fundit.

Kuvendi i dembelëve është në pushim zyrtarisht (janë “këputë të shkretit”... duke na i prishur nervat, kryesisht); dy janë ministrat dhe një zëvendësministër që patjetër do të dalin në terren për të treguar se po punojnë diçka; një është kryetare e shtetit që nga një udhëtim privat me një kompani “low-cost” e bëri veten lajm që pas shumë reagimesh la shije shumë të keqe dhe dyshimin nëse versioni që e publikoi kabineti i saj njëmend kishte qenë i vërteti; dhe janë ndërkombëtarët që po bëjnë presion që çështja e një ure të zgjidhet në bisedime me Serbinë, pa e dhënë asnjë argument të qëndrueshëm se përse është problem hapja e saj.

Thuajse nuk e kemi asnjë telash tjetër për të cilën do të duhej të mendonim a bisedonim.

Viti i ri shkollor do të nisë për afro tri javë, nuk e dimë ende se çfarë do të ndodhë me librat dhe si do të shpërndahen.

Falë ardhjes së mërgimtarëve, ekonomia e Kosovës mori një infuzion jo të vogël për t’i kaluar muajt e verës më lehtë sesa rëndom. Duke i qëndruar besnike një politike absolutisht të pakuptimtë i mbledhjes së parave në thesar dhe duke ua humbur vlerën gjithë atyre milionëve të bllokuar, Qeveria i ka shpenzuar tre vjet e gjysmë në projekte të nisura nga qeveritë e tjera duke mos i përfunduar asnjërin. Dhe, nuk e ka marrë thuajse asnjë masë për ta përkrahur sektorin privat. Sepse pos ndarjes së buxhetit në copëza për subvencione të vogla, nuk duket të ketë ndonjë ide tjetër.

Të nisësh punën në projekte të infrastrukturës me paragjykimin se patjetër do të vidhet në tender, prandaj është më mirë të mos bëhen fare, tregon për mosbesimin në vetveten dhe njerëzit që i ke emëruar në krye të dikastereve.

Pra, Kosova e qeverisë Kurti 2 nuk mund të lavdërohet me asnjë të vetmin projekt infrastrukture bazike të përfunduar – rrugët për Podujevë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan e Gjakovë janë thuajse njësoj sikurse kanë qenë para se të vinte kjo Qeveri në pushtet. Ah, edhe të mos harroj urën e famshme të Badovcit që ka thuajse dy vjet që nuk ndërtohet.

Ama për këtë, e kemi zëvendësministrin e infrastrukturës (që në fakt më duket është më shumë ministër sesa vetë ministri, i cili ka me muaj nuk e shohim, thuajse jeton jashtë Kosove) i cili shfaqet tek ura e Mitrovicës dhe “koordinon” testimin e qëndrueshmërisë së urës me një grumbull kamionësh të ngarkuar shumë. Përafërsisht të të njëjtave pesha kalojnë përditë kamionët nëpër autostradën për në Prizren, por nuk mbaj mend ta kem parë ndonjëherë në inspektim aty, e as nuk e kam dëgjuar të flasë për nevojën që të vendoset taksa e veçantë e rrugës për ta siguruar mirëmbajtjen e saj.

Para zëvendësministrit në Mitrovicë u panë duke bërë xhiro ministrat Sveçla e Krasniqi, që janë bërë si “Gjara me Gjurën”, pra të pandashëm. Pra përderisa kryejnë punë, absolutisht nuk do të duhej pasur ndonjë telashe me faktin se gjithmonë qarkullojnë bashkë, por punët kryhen edhe pa pompozitet edhe pa pasur nevojë për përcjellje mediale. Sidomos kur flasim për punën që mund ta kryejë Ministria e Brendshme. Por, është e qartë pseja e parakalimit nëpër komunat veriore: për të dëshmuar se diçka ka ndryshuar, se më nuk është sikurse kishte qenë deri vjet. Dhe, për shkak se deri te zgjedhjet ka më pak se gjashtë muaj.

* * *

E përmenda javën që shkoi, kurse vizita e Kurtit në Maqedoni dhe reagimet e kabinetit të Osmanit, vetëm sa e vërtetuan se kryetarja është në kërkim të një përkrahjeje politike tjetërkund për ta siguruar rizgjedhjen në postin e së parës së shtetit.

Pas takimit Mickoski-Kurti, reagoi kabineti i Osmanit për të shprehur pakënaqësinë për konferencën e përbashkët të kryeministrave, duke shtuar se shprehja e keqardhjes, ndonëse e mirëseardhur, nuk i adreson vërejtjet për shkelje të rregullave ndërkombëtare diplomatike, që i ka paraqitur Kosova përmes notës së protestës.

Dje reagoi Agjencia e Aviacionit Civil të Maqedonisë, duke e hequr përgjegjësinë dhe duke e fajësuar Osmanin për incidentin. Një pjesë e deklaratës, po qe se është kështu qysh thuhet, e vendos Osmanin, e nëpërmjet saj edhe Kosovën, në pozitën e palës konflikte që nuk i respekton rregullat protokollare. Në deklaratë thuhet: “Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti i avionit kishte refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie”.

Kabineti i Osmanit reagoi sërish dhe e hodhi poshtë deklaratën e AAC-së së Maqedonisë, duke thënë se Maqedonia e Veriut i kishte shkelur rregullat ndërkombëtare dhe se Osmani e kishte shmangur kthimin nga Maqedonia për shkak të “propagandës marramendëse të sigurisë”. Megjithatë, fakti është se për incidentin e telefonit Kosova e kuptoi nga kabineti i saj që doli me një komunikatë në pikë të natës një të enjte. Po të mos ishte komunikata nga zyra e saj, gjasat janë që as që ishte diskutuar kjo punë dhe do ta dinin vetëm të implikuarit, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, që assesi të zbulohet se çfarë ka kërkuar në këtë ngjarje dhe si u përfshi në të.

Kabineti doli dje pasdite me komunikatë të re, duke thënë se Osmani nuk do të udhëtojë më nga Maqedonia. Po mirë, aeroport ka edhe Prishtina, ani që me fluturime me numër më të kufizuar destinacionesh. Zyra e kryetares së shtetit merr para nga buxheti i Kosovës për t’i mbuluar shpenzimet e udhëtimeve zyrtare (privatet duhet t’i mbulojë vetë, ashtu siç ka bërë javën e kaluar kur ndodhi incidenti, e për të cilin nuk e dimë nëse janë kryer të gjitha procedurat paraprake protokollare), dhe do të ishte shumë mirë që rastet si ky i Shkupit të mos përsëriten – pavarësisht se kush është fajtori. Pasojat e reklamës së keqe i ha Kosova.

* * *

Saga me urën po vazhdon. Reagimet e Departamentit amerikan të Shtetit dhe të BE-së qenë mjaft të ashpra. Përderisa amerikanët flisnin për mungesë koordinimi, BE-ja fliste për veprime të njëanshme.

DASH-i foli nëpërmjet zëdhënësit të vet pas mbylljes së zyrave postare serbe dhe paralajmërimit për hapjen e urës: “Besojmë se ata kanë vënë në rrezik mundësitë, të cilat ne e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë. Nëse shikoni ngjarjet që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si një demokraci sovrane shumetnike, por për ta realizuar këtë vizion, i cili është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderë të njëpasnjëshëm lidhur me veprimet që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën është pajtuar. Ajo që e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës të bëjë është që të rikthehet në bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. E kemi bërë këtë të qartë, ia kemi bërë të qartë Qeverisë edhe privatisht”.

BE-ja nga ana tjetër u kërcënua se mund të impononte sanksione shtesë, duke e shpërfaqur hipokrizinë më të madhe politike që kemi dëgjuar në disa vjetët e fundit. Sanksionet na u imponuan për kot, “për veprime të njëanshme”, por nuk u hoqën kur pësuam sulmin terrorist në Banjskë. Fajtori ishte evident për të gjithë, por jo për ta. Ne mbetëm me sanksione që na u imponuan pa konsensus, e të cilat nuk po mundkan të hiqen pa të, kurse Serbia shpëtoi pa ferrë në këmbë edhe pasi tri herë e bëri publike edhe me shkrim madje, se nuk do ta respektonte Marrëveshjen e Brukselit e as Aneksin e Ohrit.

Por ajo që mungoi në të dyja deklaratat politike të këtyre trupave qe bile një arsye e vetme pse nuk do të duhej të hapej ura. Pra, një çështje tashmë e dakorduar me marrëveshje. Po e kam shumë të zorshme ta kuptoj se përse duhen të qiten mbi tavolinë bisedimesh çështja e rrymës që serbët duhen paguar, për shkak se është produkt e shërbim që u ofrohet dhe ka çmim; pse duhet biseduar në tavolinë se cilën valutë guxon ose nuk guxon ta përdorë Kosova, pavarësisht që tashmë që këtë punë formalisht e ka përkufizuar Kushtetuta; pse duhet biseduar për funksionimin e postave të një shteti të huaj – pra një aseti strategjik edhe për sigurinë e Kosovës dhe pse duhet biseduar për urën? Thuajse intenca e këtyre bisedimeve është që aty të përcaktohet e të vendoset një kufi ndarës mes etnish. Krejt e kundërta nga ajo që thuhet për Kosovën shtet shumetnik.

Një argument, një arsye, se pse nuk bën – mbase do të na mjaftonte të kuptojmë se përse insistohet kaq shumë të dialogohet për gjithçka që është e Kosovës në një proces që po na shter qe 13 vjet.

[email protected]