SOT

Në mungesë të tabelës informuese, rezistenca e Faik Rexhepit ngatërrohet me imazh lypësi

Në vete përmban historinë e rezistencës kundër regjimit serb në Kosovë.

Megjithatë, shumë nga qytetarët nuk e njohin burrin, statuja e të cilit është vendosur në qendër të Prishtinës. Pranë saj mungon një tabele informuese që do të tregonte historinë.

Bëhet fjalë për Faik Rexhepin, një burrë nga Presheva i cili në gusht të vitit 1990, bashkë me kolegë kishin ardhur në kryeqytet që ta presin delegacionin e kongresit amerikan.

Para hotelit “Grand” policia serbe kishte ndërhyrë brutalisht, duke shpërndarë turmën, por Faik Rexhepi nuk kishte luajtur vendi.

Rexhepin e mban shumë mirë në mend një qytetar, i cili po ashtu ishte pjesë e kësaj ngjarjeje në atë kohë.

Ai thotë se statuja e tij ka mbetur për gjynah dhe pa asnjë përkujdesje institucionale.

Mungesën e informacioneve në këtë statujë e në statujat e tjera në qendër të Prishtinës po e shohin si një problem shumë të madh edhe qytetarët e tjerë.

Ciceroni nga Prishtina, Bekim Xhemili, thotë se në rastin e Faik Rexhepit ata duhet të përdorin telefonat për t’iu dhënë informacione turistëve në mungesë të informatave.

“Ne e kemi pjesë të turneut tonë, shëtitjeve tona dhe në disa raste duhet përmes telefonave tanë mundohemi t’i shpjegojmë dhe t’u japim informacione. Nuk ka asnjë emër, asnjë informacion. Faik Rexhepi ka qenë një njeri, një simbol i rezistencës sonë paqësore të viteve ‘90. Turistët e huaj gjithsesi por edhe gjeneratat e reja nuk e dinë se kush është”, ka thënë Xhemili.

Ai tregon përvojat kur turistët e huaj i kërkojnë informacionet që mungojnë edhe prapa statujave.

“Gjithmonë na ndalojnë dhe donë të dinë se kush është dhe sillen rreth statujës prapa për të kërkuar informacione ndërsa ne gjithmonë arsyetohemi se shumë shpejt institucionet tona do t’i vendosin ato. Por kjo mori një kohë të gjatë dhe është për keqardhje dhe turp që nuk ka informacione të duhura”, ka shtuar ai.

Sipas tij, në përgjithësi ka një mungesë të përkujdesjes institucionale ndaj statujave.

“Në përgjithësi ka një mungesë të madhe të përkujdesjes së vazhdueshme institucionale ndaj statujave dhe pjesa më e madhe janë në sheshet e Prishtinës. Përveç statujës së Skënderbeut në statujat e tjera nuk janë as datat e lindjes e as të vdekjes e as veprimtaria e tyre e shkurtër. Shumica janë turist të huaj dhe duhet gjithqysh përmes internetit të i gjejnë. Është sfidë edhe për ciceronët se duhet të shpjegojnë historinë prej fillimit e që është detyrë e jona por duhet detaje më shumë. edhe mbeturinat dhe grafitit janë problem tjetër që përveç festave zyrtare nuk është që kanë një mirëmbajtje në ditët e tjera”, ka thënë Xhemili.

Në një gjendje mjaft të keqe është edhe memoriali “Heorinat”, në të cilin megjithëse ekziston një pllakat informues, ajo është gati për të rënë.

“Zakonisht fillojnë prej monumentit të Newborn dhe vazhdojnë te heroinat. Është në një situatë shumë të keqe nuk e dinë sidomos ndërrimin e pllakës duhet ta bëjnë. I gjithë ambienti është në gjendje shumë të keqe. Është një ngjarje nga më të dhimbshme të historisë sonë të re”, ka shtuar ai.

Nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale të Kosovës, thonë se nuk kanë pas asnjë kërkesë për shtimin e informacioneve në këto statuja, pasi për ndërhyrje në to duhet të marrin kërkesa specifike nga institucionet përkatëse që janë përgjegjëse për statujat në qendër të Prishtinës.

Në buxhetin e këtij viti, Komuna e Prishtinës nuk ka pasur asnjë para të ndarë për vendosjen e tabelave informuese pranë objekteve të kultit në qendër të qytetit e as në pjesën e vjetër.