Vështrime

Mosplanifikimi i duhur i prokurimit publik tek ndërmarrjet publike në Kosovë: pasojat në buxhet dhe shërbime publike

Në fushën e prokurimit publik në Kosovë, ndërmarrjet publike (NP) përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të shpenzimeve publike, duke prekur buxhetin jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal. Në një analizë të kontratave nga viti 2021 deri më sot, bazuar në të dhënat nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), rreth një e pesta e të gjitha prokurimeve publike burojnë nga ndërmarrjet publike. Kjo tregon për peshën e madhe financiare që ka prokurimi publik në këtë sektor.

Për të siguruar një prokurim publik më efikas, institucionet apo autoritetet kontraktuese janë të obliguara që planet e tyre të prokurimit t’i dorëzojnë tek Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), e cila në mandatin e saj ka për detyrë të sigurojë një prokurim më efikas dhe në raste të veçanta të kryejë tërë procesin e prokurimit për një autoritet të caktuar. Andaj, Ligji për prokurim publik (LPP) i obligon autoritetet kontraktuese që t’ia dorëzojnë AQP-së një formular në të cilin përshkruhen në detaje të gjitha aktivitetet e prokurimit që një autoritet kontraktues ka në plan të prokurojë në vitin pasues fiskal. Aty duhet të përfshihen detaje mbi vlerën e parashikuar të kontratave, sasinë e mallrave që do të prokurohen dhe përshkrimin në mënyrë thelbësore të punëve të parashikuara.