Vështrime

Rrënjët e kapitalizmit në një kaçube

Nga Jemeni në Venedik: zbulimi i kafesë na tregon se si një kaçubë me fruta të kuqe i dha hov kapitalizmit dhe shërbeu si lëng për krijimin e kontakteve sociale mes njerëzve. Tërthorazi në zbulimin e kafesë luajti rol edhe një sulltan me nënë shqiptare

Në vitin 1517 trupat e Sulltan Selimit (1470-1520), i cili ishte i biri i Sulltan Bajazitit II dhe konkubinës së tij shqiptare Gjylbehar Hatun, marshuan nga Siria në drejtim të Detit të Kuq. Kur arritën në bregun jugor të detit, ushtarët zbuluan një kaçubë që s’e kishin parë kurrë. Kjo shkurre kishte një frutë të kuqe. Çfarë gjeti ushtria e Sulltan Selimit në Jemen ishte - kafeja.

Në Jemen bima e kafesë kishte ardhur prej Etiopisë. Në kohën e Sulltan Selimit, Perandoria Osmane shtrihej nga shkretëtirat arabe deri në Ballkan, nga Iraku në Magreb. Në këtë hapësirë u përhap fillimisht edhe kafeja. Pastaj nisën ta shijonin njerëzit në Lindjen e Afërt, në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, në Indi e Iran. Për herë të parë jashtë Perandorisë Osmane kafeja u pi në Venedik nga fundi i viteve 1580. Aty e tutje kokrrat e kafesë u bënë produkt i konsumit global, mall i rëndësishëm tregtar mes kontinenteve, pije që shërben edhe si bazë për krijimin e kontakteve sociale. Edhe sot kafeja është - pas naftës - malli më i tregtuar në botë. Me zbulimin e kafesë u hapën edhe dyert e kafehaneve. Qe më shumë se 500 vjet kafehanet janë vende ku takohen njerëzit, ku negociohen kontrata, ku qarkullojnë thashetheme, ku kryhen atentate, ku njerëzit flirtojnë dhe terroristët masakrojnë. Kafehania e parë në truallin evropian u hap më 1554 në Stamboll, më 1647 u hap “Café Florian” në Venedik (burime të tjera supozojnë se u hap më 1863 ose më 1720), sidoqoftë: kjo kafehane i ka dyert e hapura edhe sot. Në Oxford kafehanen e parë e hapi një hebre (më 1650). Në Paris kafeja arriti më 1669 bashkë me ambasadorin osman. Në vitin 1700, në Londër tashmë kishte afër 2.000 kafehane. Më 1683, kur ushtria osmane (në kuadër të së cilës kishte edhe shqiptarë) rrethoi Vjenën, në këtë qytet arriti edhe kafeja. Perëndimi i krishterë u mobilizua dhe i dëboi me sukses osmanët, pushtimi i Vjenës mbeti vetëm ëndërr e tyre, por kafeja mbeti. Vjena nuk mund të paramendohet pa kulturën e kafesë. Më 1689 në Boston u hap kafehania e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ndërsa po lexoni këtë tekst me siguri në planetin tonë janë duke u hapur edhe disa kafehane të tjera.