Vështrime

Në zemër të stuhisë

Me situatën dramatike në Gaza, atë në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ne në Bashkimin Evropian ndodhemi në zemër të stuhisë dhe jemi dëshmitarë të konflikteve në shumë rajone përreth nesh. Për t’i mbrojtur vlerat dhe interesat tona, si dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë, duhet që të mendojmë dhe të veprojmë në mënyrë parimore dhe strategjike

Të hënën e patëm takimin tonë në Këshillin e Punëve të Jashtme, i cili zhvillohet çdo muaj. Në Këshill diskutuam kryesisht mbi situatën dramatike në Gaza dhe luftën kundër Ukrainës. Këto dy konflikte, sa të ndryshme, janë po aq edhe të ndërlidhura. Ndërkohë që na duhet të mbajmë një qëndrim parimor për Gazën dhe të përkushtohemi për të arritur paqen në Lindjen e Mesme, ne duhet që gjithashtu të qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ukrainës “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Bashkimi Evropian po përballet me dy prova të mëdha, siç janë ato në Ukrainë dhe në Izrael-Palestinë. Prej gati dy vjetësh, flakët e luftës vazhdojnë në kufirin lindor të Evropës. Kjo luftë po zgjat më shumë nga sa e kishte paramenduar presidenti rus, Vladimir Putin. Ai besonte se, brenda disa javësh, ushtria ruse do të arrinte të merrte Kievin dhe të instalonte aty një regjim kukull, si ai në Bjellorusi. Falë rezistencës së Ukrainës dhe mbështetjes ndërkombëtare, kjo gjë nuk ndodhi.