Vështrime

Me kuaj drejt Kremlinit

Pse shkoi në Rusi ish-ministrja e Jashtme austriake (bashkë me kuajt e saj poni)? Disa vëzhgime mbi ngjashmëritë negative të Austrisë me Ballkanin - dhe përfitimet që ka pasur Ballkani nga Vjena

1.
Vite më parë (edhe atëherë ishte gati vjeshtë) një diplomat i një shteti shumë të rëndësishëm evropian, ndërsa shijonte birrën e Pejës në një restorant në Prishtinë, nisi të tregonte për përvojat e tij gjatë takimeve të ambasadorëve perëndimorë në kryeqytetin e Kosovës. Sipas tij, është e vetëkuptueshme dhe aspak e befasishme që ambasadori (apo ambasadorja) amerikan ka më së shumti ndikim në vend (për arsye të ditura historike).

Por, vazhdonte ai, nganjëherë “para nesh dhe para amerikanit tenton të dalë ambasadori i Austrisë, i cili në mënyrë jo aq diplomatike na e bën me dije se ‘ne austriakët e njohim më së miri Ballkanin’. Kjo mund të jetë e vërtetë, sepse Austria i ngjan shumë Ballkanit - jo vetëm për së miri”, shtoi me ironi diplomati i shtetit të rëndësishëm evropian.