Vështrime

Çështja e të pagjeturve nuk është dashur të jetë pjesë e dialogut të Brukselit

Çështjes së të zhdukurve me dhunë është dashur t’i qaset vetëm si një çështje humanitare dhe penale e jo të politizohet. Kështu, duke e përfshirë në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është krejtësisht politik, kjo çështje është politizuar. Është bërë “vetëm një prej temave të dialogut” dhe është barazuar, apo ndoshta edhe më pak e rëndësishme, me temat si çështja e targave të veturave apo fati i ndërtesave të komunave. Në mendjen e zyrtarëve ndërkombëtarë, kjo çështje nuk është prioritet, e përmendet vetëm kur ka përvjetor apo ditë ndërkombëtare kushtuar të zhdukurve.

U shënua edhe një ditë ndërkombëtare kushtuar të zhdukurve me dhunë. Familjarët e personave të zhdukur gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, fati i të cilëve nuk është zbardhur akoma, shprehën pritjet e tyre, shpresën, por edhe mllefin. Duan të dinë se çfarë u ndodhi të afërmve të tyre, ku janë eshtrat e tyre dhe shprehin mllefin se nuk është bërë sa duhet për këtë çështje.

Nga shumë zyrtarë ndërkombëtarë dëgjuam ftesa, inkurajime për të rritur bashkëpunimin në rajon, në mënyrë që të ketë përparim në këtë çështje. Çështja e të pagjeturve ka mbetur si më e dhimbshme, si pasojë e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë. Dhe me kalimin e kohës është bërë gjithnjë e më e vështirë që të zbulohet e vërteta. Por problemi qëndron në mungesën e vullnetit të sinqertë politik dhe politizimin e skajshëm të kësaj çështje. Ka ndodhur kjo edhe në rastin e Kosovës me përfshirjen e kësaj teme në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që pa sukses po zhvillohet në Bruksel për më shumë se 11 vjet.