Vështrime

Kur e përkohshmja bëhet normë

Sfidat e qeverisjes me “ushtrues detyre” dhe vonesat në emërimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike e rregullatorët e pavarur

Sa zgjat e përkohshmja? Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, e përkohshmja nënkupton “për pak kohë”, “jo e përhershme”. Por, për Qeverinë e Kosovës “përkohësisht” zgjat nga disa muaj deri në tre vjet e më tepër. Kur ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit qeverisës të kësaj qeverie, ende shumë pozita kryesore në shërbimin civil, në ndërmarrje publike e agjenci të pavarura funksionojnë me ushtrues detyre.

“CorrWatch”, koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për rritjen e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies në institucionet publike, më 10 korrik 2023 publikoi një pasqyrë të pozitave të sekretarëve të përgjithshëm në kuadër të ekzekutivit, të cilët janë ende si ushtrues detyre. Sipas “CorrWatch”, dhjetë nga pesëmbëdhjetë ministritë dhe Zyra e Kryeministrit funksionojnë me ushtrues detyre të pozitave të sekretarëve të përgjithshëm. Disa ministri janë me ushtrues detyre të sekretarit/es që nga shkurti i vitit 2020, pra, për më shumë se tre vjet. Pozita e sekretarit/es të përgjithshëm/me është pozita më e rëndësishme e shërbimit civil. Edhe pozita e sekretarit/es të Kuvendit të Kosovës funksionon me ushtrues detyre për më shumë se dy vjet.