Vështrime

Me Musaf dhe Mercedes

Po u përmend publikisht luksi i dinjitarëve fetarë, ndjekësit fanatikë të tyre harrojnë Kuranin dhe kapin kërbaçin. Nga kjo dhunë e pësojnë sidomos ata zëra publikë që e demaskojnë hipokrizinë e liderëve fetarë. Kundër kësaj hipokrizie dhe dhune duhet të reagojë gjithë shoqëria. E sidomos duhet të veprojnë institucionet e sigurisë dhe drejtësisë. Është dashur të veprohet ndoshta para 10 vitesh siç tregon një rast nga Baseli i Zvicrës ku shqiptarët naivë ia kishin hedhur në një kuti të zbrazët këpucësh 11 mijë franga imamit me Musaf dhe ndërkohë edhe me Mercedes.

Në eposin e tij të vargëzuar “Gjermania. Një përrallë dimërore” poeti gjerman Heinrich Heine demaskon për mrekulli hipokrizinë dhe hipokritët. Pra, ata që prej të tjerëve kërkojnë rigorozitet moral, ndërsa vetë jetojnë në luks. “I njoh edhe zotërinjtë shkronjëtarë; e di, ata pinin verë tinëz dhe publikisht predikonin ujë”, shkruan Heine.

Do të ishte supozim dashakeqës nëse do të thoshim se disa nga imamët e Kosovës pinë verë tinëz. Por ujë ata predikojnë orë e çast dhe jo tinëz po hapur lavdërohen me veturat e tyre të shtrenjta. Ky nuk është problemi i vetëm me një kategori imamësh, të cilët veprojnë nën kulmin e Bashkësisë Islame të Kosovës, një institucion që duket se arsyen e vetme të ekzistencës prej vitesh e ka ruajtjen e funksioneve udhëheqëse të “liderëve të përhershëm fetarë” (thua se bëhet fjalë për Këshillin e Rojtarëve të Iranit).