Pak ditë pasi Rusia sulmoi Ukrainën (më 24 shkurt 2022), kancelari gjerman Olaf Scholz mbajti një fjalim të guximshëm në parlament. Ai tha se agresioni rus kundër Ukrainës shënon "një ndryshim epokash në historinë e kontinentit tonë".
Në gjermanisht ndryshimi i epokave përshkruhet me një fjalë: "Zeitenwende". Në dhjetor të vitit që sapo lamë pas kjo fjalë u zgjodh si "fjalë e vitit" nga Shoqata për gjuhën gjermane. Mesazhi i fjalimit të Olaf Scholzit ishte ky: asgjë nuk do të jetë siç ka qenë, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania do të armatos një vend tjetër (Ukrainën), do të ndahen 100 miliardë euro për të forcuar ushtrinë (Bundeswehr).
Gati një vit pas fillimit të agresionit, shumë gjëra kanë mbetur si më parë. Gjermania nuk prin si fuqi udhëheqëse në Evropë, por më shumë frenon. Reformimi i ushtrisë nuk ka filluar në mënyrë të mirëfilltë. Ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka dhënë dorëheqje pas një serie të gabimeve dhe skandaleve dhe pasi doli në pah se vullneti i saj për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes nuk është aq i madh.
E vërtetë është se Berlini po e furnizon Ukrainën me armë, por vetëm pasi rritet presioni i partnerëve ndërkombëtarë. Në dhjetor u bë e ditur se është arrestuar një zyrtar i lartë i shërbimit sekret gjerman (BND) nën dyshimin se mund të ketë spiunuar për Rusinë.
Momentalisht, Gjermania është duke bllokuar furnizimin e Ukrainës me tanke të markës Leopard. Sipas ligjeve përkatëse, tanket Leopard, të cilat janë edhe në shërbim të ushtrisë polake, qeveria në Varshavë nuk guxon t'ia dorëzojë Ukrainës pa lejen e Gjermanisë. Para disa muajsh politikanët gjermanë u nervozuan me vendimin (e diskutueshëm) të Zvicrës për të mos lejuar që municioni zviceran i shitur në Gjermani t'i jepet Ukrainës. Zviceranët iu referuan ligjit të tyre mbi materialin e luftës dhe disa politikanë gjermanë bënë thirrje që në të ardhmen të mos blihet më municion dhe armë nga Zvicra. Pak javë më vonë Gjermania duke bllokuar furnizimin e Ukrainës me tanke po sillet si Zvicra në rastin e municionit. Zvicra mund të fshihet pas neutralitetit, Gjermania po fshihet pas floskulës se Berlini do të bëjë atë që bëjnë partnerët perëndimorë, por jo më shumë.
Kancelari Scholz ka bërë të ditur se mund të shqyrtojë furnizimin e Ukrainës me tanke Leopoard, nëse SHBA-ja po ashtu i jep Ukrainës tanke të markës Abrams. Ky kushtëzim ka zemëruar amerikanët. Ata thonë se Abrams nuk mund t'i jepen Ukrainës për shkak të problemeve logjistike. Të enjten e kaluar në Berlin qëndroi ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Sipas informacioneve të gazetës "Süddeutsche Zeitung" Austin u takua me Wolfgang Schmidt, i cili në selinë e kancelarit është ministër për koordinimin e bashkëpunimit mes ministrive. Mes Austinit dhe Schmidtit ndodhi një përplasje e ashpër verbale, njofton gazeta gjermane. Pastaj në zyrën e kancelarit gjerman interventoi nga Washingtoni Jake Sullivan, i cili është këshilltar për siguri nacionale i presidentit Biden. Burimet e "Süddeutsche Zeitung" thonë se biseda e Jake Sullivan me Jens Plötner, këshilltar për politikë të jashtme të kancelarit Scholz, ishte tejet e tensionuar.
Nuk janë vetëm amerikanët të mllefosur me Gjermaninë. Ministrat e Jashtëm të shteteve baltike (Estoni, Letoni dhe Lituani) lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën theksuan se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë. Nga ana tjetër, Polonia është kërcënuar se do ta furnizojë Ukrainën me tanke Leopard edhe pa lejen e Gjermanisë. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha "ne nuk do ta pengonim" furnizimin e Ukrainës me tanke gjermane nga ana e Polonisë. Por çka domethënë kjo? Baerbock i përket Partisë së Gjelbër, e cila ndjek një kurs më të ashpër ndaj Rusisë, për dallim nga kancelari Scholz, i cili vjen nga Partia Socialdemokrate.
Sidomos një pjesë e socialdemokratëve nuk e kanë kuptuar ende ndryshimin e epokave, ndonëse këtë e ka paralajmëruar kancelari me fjalimin e tij në fund të shkurtit 2022. Politikanë të dy partive të mëdha gjermane (socialdemokrate dhe kristiandemokrate) kanë qenë thellë të lidhur me interesa toksike ruse. Disa kanë pranuar rolin e lobistëve, disa kanë shkëlqyer me oportunizëm. Ky kapitull i politikës gjermane është bukur i errët dhe deri më tani vetëm nënkancelari (i gjelbër) Robert Habeck e ka pasur kurajën të pranojë se politika gjermane ndaj Rusisë viteve të fundit ka qenë e dëmshme - për Gjermaninë dhe Evropën. Politikania përgjegjëse për këtë politikë, Angela Merkel, vazhdon ta mbrojë kursin e saj. Ndonëse historia tashmë ka dhënë gjykimin negativ.