Vështrime

Ndikimi i teknologjisë së informacionit në zbatimin e meritokracisë në proceset rekrutuese

Ndikimi i teknologjisë së informacionit në zbatimin e meritokracisë në proceset rekrutuese

Se teknologjia ndikon në përmirësim të cilësisë së procedurës dhe në masë të madhe ndikon në zbatimin e parimeve të meritës, kjo është provuar në praktikat e rrëfyera të menaxherëve të personelit kur shpesh sistemet e teknologjisë së informacionit kanë shërbyer për refuzimin e urdhrave të paligjshëm me justifikimin “shef nuk lejon sistemi”

Pothuajse është bërë perceptim i përgjithshëm i publikut se për të fituar një vend pune në administratën publike duhet të kesh lidhje politike, familjare apo shoqërore. Sigurisht, rekrutimi i nëpunësve publikë në këtë mënyrë prodhon një administratë joprofesionale, të korruptuar, të cenueshme dhe jo të aftë t’i shërbejë interesit publik.

Për të ndryshuar këtë perceptim dhe për të rritur besueshmërinë në institucione, procesi i rekrutimit duhet të kalojë në një proces konkurrues dhe transparent për të përzgjedhur personin më të kualifikuar për pozicionin e caktuar, që ndryshe njihet si parimi i bazuar në meritë. Vetëm një proces i rekrutimit që bazohet në zbatimin e parimeve të meritës siguron rekrutim të drejtë, të hapur dhe konkurrues, që zvogëlon praktikat e rekrutimit të ndikuar nga politika dhe nga faktorët e tjerë jomeritorë.