OpEd

Gjenerali ukrainas që po i dëbon rusët

Valeri Salushni, shef i Shtabit të Përgjithshëm të armatës ukrainase, është shndërruar në hero të vendit të tij – falë shkathtësisë së trupave të tij në fushëbetejë. Kush është ky gjeneral?

Të premten Vlladimir Putini e luajti rolin e Sllobodan Millosheviqit. Ashtu si diktatori serb në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ’90, edhe diktatori rus mblodhi përkrahësit e tij në një shesh, kësaj radhe në Sheshin e Kuq të Moskës, për t’i njoftuar se Rusia është zgjeruar. Nën klithmat “Rosija, Rosija”, Putini e njoftoi miletin rus se brenda kufijve të Rusisë tani janë edhe disa treva që “historikisht kanë qenë ruse”. Koreografia e orgjisë nacionaliste u ngjante festimeve serbe me raki e me dalldi në qendrën “Sava” të Beogradit, kur ishte hequr autonomia e Kosovës. Të shtunën Moska u detyrua të pranonte se ushtria e saj ishte tërhequr nga qyteza Liman, një nyjë e rëndësishme rrugore dhe hekurudhore në lindje të Ukrainës. Në luftë simbolika është shumë e rëndësishme: 24 orë pasi Putini e kishte shpallur Limanin pjesë të Rusisë, ushtarët ukrainas ngritën flamurin e Ukrainës në Liman.

Pas këtij suksesi dhe sukseseve të javëve të fundit të armatës ukrainase kundër agresorit rus qëndron një gjeneral, i cili nuk flet shumë, sepse ai i përmbahet maksimës se gjenerali duhet të komandojë dhe luftojë dhe mundësisht të heshtë. Valeri Salushni, shef i Shtabit të Përgjithshëm të armatës ukrainase, i shmang paraqitjet në media, ai nuk dëshiron të jetë në fokus të opinionit. Këtë detyrë Salushni ia ka lënë presidentit Vollodimir Zelenski që nga 24 shkurti, dita kur trupat e Kremlinit sulmuan Ukrainën. Si aktor dhe jurist, Zelenski është më i përshtatshëm për të komunikuar me opinionin. Këtë ai e ka dëshmuar me disa fjalime dramatike, patriotike dhe me efekt në opinionin ukrainas dhe botëror.

Kush është 49-vjeçari Valeri Salushni? Ai i përket një gjenerate të re të oficerëve ukrainas, të cilët janë shkëputur nga armata e vjetër sovjetike, nga traditat e saj të ngurta dhe nga zinxhirët joefektivë të komandës. Valeri Salushni është shefi i parë i armatës ukrainase, i cili nuk është shkolluar në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Kur Salushni e mbaroi shkollën fillore në fund të viteve ‘80, vendi i tij i përkiste ende Bashkimit Sovjetik. Në Ukrainën e pavarur ai filloi karrierën e tij ushtarake – ashtu si babai i tij, i cili kishte shërbyer si oficer profesionist. Më 1997 Salushni përfundoi me sukses akademinë e njohur ushtarake në Odesë dhe u specializua si oficer këmbësorie. Me kalimin e viteve ai përparoi në karrierë prej komandantit të një njësie në komandant batalioni.

Ekspertët ushtarakë thonë se Salushni i njeh mirë vijat e fronit në Ukrainën lindore. Gjatë një vizite në Bruksel në fillim të vitit ai u pyet nëse është i shqetësuar përballë forcës ruse. “Po”, u përgjigj Salushni, “por vetëm një herë, në vitin 2014, kur për herë të parë mora armën automatike dhe jelekun antiplumb dhe pas aneksimit të Krimesë u inkuadrova në luftë”. Çfarë pasoi ishte “vetëm punë”.

Dështimi i forcave ukrainase për të mbrojtur Krimenë më 2014 ndryshoi dukshëm mendësinë në forcat e armatosura të Ukrainës. Pastaj u thellua bashkëpunimi me shtetet e NATO-s e sidomos me SHBA-në dhe me Britaninë e Madhe, oficerët ukrainas vizituan qendra trajnimi në Ukrainën veriore, të cilat u hapën me ndihmën perëndimore dhe kështu u krijua një trupë e shkathët, goditëse dhe taktike. Kur forcat ruse gjatë marshimit drejt Kievit në fund të shkurtit u befasuan nga rezistenca ukrainase, Salushni deklaroi me plot vetëbesim: “E kemi shkatërruar mitin mbi ushtrinë gjoja të pamposhtur ruse. Ata menduan se do të pushtojnë brenda 48 orëve”.

Për dallim nga presidenti Zelenski, i cili një kohë të gjatë e kishte minimizuar rrezikun rus, Salushni kishte llogaritur herët me më të keqen. Pak pasi u emërua shef i armatës në verën e vitit 2021, ai i tha Radios Evropa e Lirë se Ukrainën e kërcënonte një agresion gjithëpërfshirës i Rusisë. Kur kjo u bë realitet i hidhur në shkurt 2022, Salushni veproi si mareshali rus Mihail Kutusov, i cili më 1812 i lejoi trupat e Napoleonit të futen thellë në vend për t’i sulmuar pastaj me aksione guerile nga pritat dhe për t’ua këputur linjat e furnizimit. Rusët nuk do t’i presim me lule, por me raketa antitank dhe kundërajrore, tha Salushni para invadimit rus. “Mirë se vini në ferr!”.

Javëve të fundit Salushni ua ngriti një grackë trupave ruse. Armata ukrainase paralajmëroi se do të nisë një ofensivë për të kthyer kontrollin në rajonin e Hersonit në Detin e Zi. Kremlini zhvendosi atje mijëra trupa, ndërsa në rajonin e Harkivit, qyteti i dytë për nga madhësia i Ukrainës, mbetën pak ushtarë rusë me përvojë luftarake. Këtë shans e shfrytëzuan ukrainasit dhe startuan sulmin. Me atë rast ushtarët e Salushnit përfituan nga armët perëndimore dhe nga të dhënat e shërbimeve sekrete.

Por Salushni nuk ka prirje për eufori. Në fund të gushtit ai foli në një forum për nder të ushtarëve të rënë dhe veteranëve në Kiev. Me atë rast ai për herë të parë përmendi një shifër konkrete mbi humbjet e vendit të tij. Ukraina, tha ai, ka humbur gati 9.000 ushtarë. Ai kërkoi që të mbrohen sidomos fëmijët. Paraqitjet e tilla e bëjnë atë simpatik në mesin e popullsisë. Në një video ai përshkruhet si “i hekurt” dhe “i pamposhtur”. Mediat ukrainase spekulojnë ngaherë mbi planet e Salushinit në të ardhmen. Sipas një ankete të “Ukrainska pravda”, ukrainasit dhe ukrainaset do ta votonin për president po të mbaheshin zgjedhjet. Por Ukraina është larg zgjedhjeve – dhe Valeri Salushni me gjasë edhe një kohë të gjatë do ta bartë uniformën luftarake.