OpEd

Tri mësime holandeze për vizat

Të qenët të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë është krenari holandeze. Së bashku me biçikletën dhe mungesën e perdeve në dritare

Holandezi Sven Krameri sapo kishte fituar medaljen e artë olimpike në patinazh. Menjëherë pas garës, një gazetare amerikane filloi intervistën duke e pyetur për emër, vendin që e përfaqëson dhe çfarë kishte fituar. Krameri u përgjigj: “Je e marrë? Nuk përgjigjem në këtë budallallëk”. Kjo përgjigje e legjendës holandeze të patinazhit më së bukuri kap vetinë kyçe të shoqërisë holandeze. Holandezët janë të drejtpërdrejtë. Si më pyet për emër dhe mbiemër kur sapo fitova medaljen olimpike? Çfarë nuk shkon me ty? Pra, holandezët e thonë në sy atë që mendojnë dhe çdo gjë më pak se kjo konsiderojnë hipokrizi. Të qenët të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë është krenari holandeze. Së bashku me biçikletën dhe mungesën e perdeve në dritare. 

Por në temat më pak zbavitëse sikur politika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare holandezët krenohen edhe me një veti tjetër: sundimi i ligjit. Sundimi i ligjit është një nga vetitë kryesore të politikës së jashtme të Holandës. Kjo është arsyeja pse Haga është sinonim për drejtësi. Në Hagë janë të vendosura Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, Gjykata Speciale për Libanin, Gjykata Speciale e Kosovës, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit dhe EUROJUST-i, në mes tjerash. Haga ka qenë nikoqire edhe e ish-Gjykatës Ndërkombëtare për Jugosllavinë, ish-Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe ish-Gjykatës Speciale për Sierra Leonen, në mes tjerash. Pra, në pak fjalë holandezët e kanë sundimin e ligjit për zemër, prandaj nuk do të duhej të ishte befasi kur në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën Holanda ngriti pikëpyetje pikërisht për sundimin e ligjit. 

Në vitin 2018 kur Komisioni Evropian propozoi liberalizimin e vizave, Holanda dhe disa shtete të tjera anëtare të BE-së nuk ishin të bindura se Kosova kishte bërë progres të mjaftueshëm në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Progresi në këtë drejtim ishte njëri nga dy kriteret e mbetura – tjetri ishte demarkacioni. Ndërsa Komisioni vlerësoi se Kosova kishte bërë “progres të qëndrueshëm” politikëbërësit holandezë ishin të shqetësuar për rastet që po pushoheshin në fazën paragjyqësore, numrin e ulët të dënimeve përfundimtare, kapacitetin e përgjithshëm institucional të sundimit të ligjit në Kosovë, si dhe mungesën e vullnetit politik për avancimin e luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Si i tillë, qëndrimi holandez për liberalizimin e vizave ishte në përputhje me parimin tradicional të politikes Holandeze karshi zgjerimit: “strikt, por fer”. Holanda ishte strikt me liberalizimin e vizave, pasi që Kosova nuk ishte fer me zbatimin e reformave në sundimin e ligjit. 
Pra, që nga ditët e para pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, Holanda së bashku me disa shtete të tjera siç janë Gjermania, Franca, etj., kanë shprehur skepticizmin për progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Kësisoj, përveç një përjashtimi gjatë presidencës austriake të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave asnjëherë nuk është vendosur në rend ditë të mekanizmave vendimmarrës të BE-së. 

Sidoqoftë, kohëve të fundit qëndrimi i vendeve skeptike të BE-së po ndryshon. Kancelari Scholz ka vlerësuar se Kosova ka plotësuar kriteret e liberalizimit të vizave, ndërsa ambasadorja e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel, ka njohur se “çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë”. Në këtë frymë po ndryshon edhe qëndrimi holandez. Politikëbërësit holandezë vlerësojnë se mazhoranca e sotme në Kosovë premton stabilitetin shumë të nevojshëm politik që ofron një mundësi për zbatimin e reformave dhe luftimin e korrupsionit. Në këtë sfond, pak para samitit të Këshillit të fundit Evropian në qershor 2022, parlamenti holandez miratoi një mocion nga deputetja znj. Kati Piri (nga partia PvdA) për të rishqyrtuar liberalizimin e vizave për Kosovën në një afat të shkurtër në bazë të një opinioni të ri të Komisionit Evropian. Po ashtu, gjatë samitit të fundit të Këshillit Evropian delegacioni holandez siguroi zotimin nga Komisioni Evropian për të përgatitur një raport të përditësuar për përmbushjen e kritereve të liberalizimit të vizave nga Kosova. Raporti pritet të publikohet në tetor të këtij viti. Për më tepër, gjatë samitit kryeministri Mark Rutte tha për mediat: “[…] ndoshta edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të shpresojmë që më vonë këtë vit ose vitin e ardhshëm mund të bëjmë hapin e radhës, sepse ata kanë bërë shumë punë drejt fuqizimit të sundimit të ligjit dhe ngritjes së gjyqësorit të pavarur”. Deklarata e Rutte në samit, ku ai i referohet dhënies së liberalizimit të vizave si “hap i radhës”, ishte domethënëse, sepse ishte hera e parë që një zyrtar holandez tregoi një ndryshim të mundshëm qëndrimi për procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës. Këto zhvillime paralajmërojnë një pozicionim më të hapur dhe më pozitiv të Holandës karshi liberalizimit të vizave. 
Sidoqoftë, përkundër ndryshimit pozitiv të qëndrimit të vendeve skeptike ato ende shikojnë me vëmendje zbatimin e reformave në Kosovë. Në veçanti, Holanda dëshiron të shohë “zbatim të pakthyeshëm” të reformave në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu, Holanda do të vëzhgojë me vëmendje dhe rigorozitet të madh rritjen eventuale të shkallës së migrimit të qytetarëve nga Kosova si pasojë e liberalizimit të vizave.   

Duke shikuar mbrapa në kohë, mendoj se mund të nxjerrim tri mësime nga pozicionimi i Holandës në kuadër të liberalizimit të vizave. E para, Holanda është vend jashtëzakonisht strikt. Qëndrimet e tyre strikte dhe të drejtpërdrejta nuk janë të lidhura ekskluzivisht me procesin e zgjerimit. Për shembull në kuadër të negociatave të fundit për buxhetin e BE-së Holanda ka qenë gati të kolapsojë të gjithë procesin negociator për shkak insistimit të tyre strikt në përdorimin sa më efektiv të buxhetit. Në këtë sens, duhet të mësohemi me faktin se Holanda çdo herë do të kërkojë më shumë se shumica e vendeve të tjera të BE-së. E dyta, sundimi i ligjit është kredoja e politikës së jashtme holandeze. Dhe përsëri jo vetëm në procesin e zgjerimit. Qëndrimi i ashpër holandez në fushën e sundimit të ligjit e ka sjellë qeverinë holandeze shpesh në konflikt edhe me vetë anëtaret e BE-së, siç janë Hungaria dhe Polonia. Në këtë sens, duhet të mësohemi me faktin se Holanda do të jetë gardiane e sundimit të ligjit brenda Këshillit të BE-së edhe në kuadër të procesit tonë të ardhshëm të anëtarësimit. Nga marrja e statusi i vendit kandidat e deri në anëtarësim Holanda do të jetë çdo herë aty për të kërkuar më shumë në fushën e sundimit të ligjit. E treta, duhet të fillojmë të mësohemi se shefat e BE-së janë vende anëtare të saj, dhe jo Komisioni Evropian apo Parlamenti Evropian. Një mijë herë Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë përsëritur se Kosova ka plotësuar kriteret e liberalizimit të vizave, por asgjë nuk ndodhi. Asgjë nuk ndodhi, sepse janë shtetet anëtare ato që vendosin. Prandaj, në të ardhmen veshët tanë duhet të janë shumë më të hapur për çfarë flasin vendet anëtare, e më pak se çfarë thonë Komisioni dhe Parlamenti Evropian.