OpEd

Çfarë qëndron prapa debatit për reparacione të Polonisë?

Jaroslaw Kaczyński s’do mend se po shpresonte që opozita të hiqte dorë nga të gjitha pretendimet polake për reparacione. Duke iu bashkuar qartësisht këtij treni, Platforma Qytetare mund ta godasë strategjinë e tij elektorale. Por kjo njashtu do të nënkuptonte se çështja e ka nisur një jetë të ndarë nga dhe përtej asaj që e synonte Kaczyński. Rezultati është i pasigurt, porse, paradoksalisht, mburoja më e mirë për Gjermaninë mund të jetë vetë Kaczyński, propozimet fryese dhe ligjërisht të dyshimta të të cilit për zgjidhjen e çështjeve të tilla, nuk mund të merren seriozisht

Prejse Rusia ka pushtuar Ukrainën më 24 shkurt, Polonia është përballur me kërcënime të përditshme nga propagandistë rusë se do të jetë vendi i radhës për pushtim. Me gjithë tensionet e larta, partia polake në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) ka vendosur që të nisë një luftë me Gjermaninë – një prej aleatëve tanë më të ngushtë – duke kërkuar reparacione të mëdha lufte për shkatërrimin e shkaktuar nga Rajhu i Tretë i Hitlerit.

Më 1 shtator, në përvjetorin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësi i PiS-së, Jarosław Kaczyński, e prezantoi një raport që e përcaktoi në 1.3 trilionë dollarë shumën e humbjeve të Polonisë gjatë kohës së luftës. Përderisa PiS-ja kishte përmendur reparacionet që nga ardhja në pushtet rreth shtatë vjet më parë, kjo është hera e parë që çështja është ngritur me Gjermaninë. Në të vërtetë, çështja është sa formalisht po aq edhe moralisht e paqartë – përderisa korrektësia politike qëndron në drejtimin e kundërt.

Pas Luftës së Dytë Botërore, aleatët vendosën që palët e dëmtuara të merrnin reparacione materiale, në vend të atyre financiare. Fabrikat gjermane do të çmontoheshin dhe zhvendoseshin, ose se puna e kryer nga gjermanët do të shkonte në përfitim të shteteve të dëmtuara, të cilat ishin ndarë ndarë në një “tog perëndimor” prej 18 vendesh dhe në një tjetër “lindor” që përbëhej prej Bashkimit Sovjetik dhe Polonisë. Togu lindor e mori hisen e tij kryesisht nga zona e pushtimit sovjetik në Gjermaninë Lindore.

Polonia do të merrte 15 për qind të kësaj hise, dhe më 16 gusht 1945, qeveritë në Varshavë dhe në Moskë e nënshkruan një marrëveshje për ta rregulluar transferimin e reparacioneve. Bashkimi Sovjetik do të merrte deri në mbo 10 miliardë dollarë (me çmimet e vitit 1938), por historianët kanë përllogaritur se në fund ka marrë 3-4 miliardë dollarë – rreth një të tretën e prodhimit potencial të Gjermanisë Lindore. Deri në këtë kohë, BRSS-ja veçse po i zhvishte dhe plaçkiste mjete që ishin lënë mënjanë për Poloninë nën Marrëveshjen e Potsdamit.

Kremlini më pas i vendosi një kusht të ashpër Polonisë: Për ta marrë hisen e paraparë të saj nga reparacionet gjermane, Polonia do të duhej të prodhonte dhe ta eksportonte thëngjillin e saj në Bashkimin Sovjetik, me një çmim jashtëzakonisht të ulët. Në atë kohë, ky arranzhim u dëshmua të ishte më i kushtueshme sesa reparacionet që do të vinin. Më 1957, Polonia u pajtua që të hiqte dorë nga çfardo reparacioni shtesë, në këmbim të shfuqizimit të kushtit shkatërrues për eksportin. Alokimi i reparacioneve gjermane për Poloninë ishte mashtrim. Nga 3 miliardë dollarët që sovjetikët kishte mbledhur (në formën e fabrikave, anijeve, veturave, motoçikletave, biçikletave dhe mjeteve lëvizëse), Polonia ka marrë vetëm 225 milionë dollarë (7.5 për qind).

Më pastaj, në dhjetorin e 1970-s, Polonia e përsëriti zmbrapsjen nga pretendimet për reparancione nën një marrëveshje të re me Gjermaninë Perëndimore, e cila e njohu kufirin polak në lumenjtë Oder dhe Neisse - në atë që kishte qenë Gjermania e paraluftës. Pa këtë njohje të kufijve të pasluftës, vetë ekzistenca e shtetit polak do të vihej në pikëpyetje.

Në aspektin formal, çështja e reparacionit është mbyllur. Për më tepër, kushtetuta polake e bën të qartë, në nenin 241, se “marrëveshjet ndërkombëtare të arritura në përputhje me rendin e mëparshëm kushtetues (përfshirë nën Kushtetutën e 1952-s të Republikës Popullore të Polonisë) trajtohen si marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara me pëlqimin paraprak të shprehur me ligj”. Duke i cituar të njëjtat dokumente, qeveria gjermane e konsideron po shtu të mbyllur këtë temë.

Për siguri, Gjermania vërtet i ka një borxh të madh historik Polonisë. Agresioni gjerman në Luftën e Dytë Botërore shkaktoi shkatërrim të pashembullt, përfshirë shkatërrimin e tërësishëm të kryeqytetit, asgjësimin e artefakteve të panumërta kulturore polake dhe vdekjen e gjashtë milionë qytetarëve polakë (përfshirë tre milionë të atyre që ishin hebrenjë – një fakt ky që Kaczyński nuk shqetësohet që ta përmendë). Për t'i bërë gjërat edhe më keq, përfundimi i luftës e la Poloninë nën çizmen sovjetike, duke e privuar atë nga pavarësia dhe nga zhvillimi për edhe një gjysmëshekulli tjetër.

Kushdo që e ka vizituar Poloninë në vitin 1989 do të kujtojë se sa vend i varfër, i zymtë dhe i shëmtuar që ishte, pas katër dekadash të komunizmit. Gjurmët e kësaj trashëgimie të ngrysur janë të kudondodhura edhe sot.

Nga ana tjetër, duhet pranuar gjithashtu se suksesi ekonomik i Polonisë gjatë tri dekadave të fundit nuk do të ishte i mundur pa Gjermaninë, e cila ishte njashtu insistuesja më e zëshme për pranimin e Polonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Po, shumë banka e kompani polake janë në pronësi të entiteve në Gjermani, për ç’arsye aty edhe shkojnë përfitimet. Por arranzhimet e tilla u kanë dhënë polakëve qasje në kapitalin që iu duhej për ta ngritur vendin nga gërmadhat. Këto shkëmbime reciprokisht të dobishme e kanë nxitur një frymë pajtimi dhe dashamirësie midis dy vendeve.

Karshi një sfondi të këtillë, kërkesat e Kaczyńskit për reparacione kanë ngjallur kritikë të ashpër ngado, përveçse në mediat e kontrolluara nga PiS-ja. Shumëkush sheh në këtë një tjetër shembull të prapambetjes së jashtëzakonshme të një njeriu që njihet se jeton në të shkuarën. Mirëpo Kaczyński qartazi beson se me adresimin e kërkesave të këtilla do ta përmirësojë pozitën e PiS-së në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm. Dhe, natyrisht, ngritja e kësaj çështjeje tani është një shpërqendrim i dobishëm nga beteja e qeverisë kundër inflacionit të shfrenuar (tani mbi 16 për qind) dhe nga çmimet e larta të energjisë elektrike.

Megjithëkëtë, Kaczyński e nxori gjindin nga shishja. Më 14 shtator, Sejmi (Parlamenti) e miratoi një rezolutë, të nënshkruar madje edhe nga shumica e deputetëve të opozitës, duke i bërë thirrje Gjermanisë të paguajë kompensim. Ka këtu dy dallime themelore. I pari, nuk përmenden reparacionet (formalisht të pasigurueshme), por kompensimi i humbjeve. I dyti, rezoluta ishte mbështetur nga opozita, përfshirë Platformën Qytetare liberale të Donald Tuskut dhe të Majtën, të udhëhequr nga Adrian Zandbergu, i cili ka thënë se “vetëm një lugë çaji kishte mbetur nga pasuria e familjes së tij”. Siç ka shpjeguar një deputet nga Platforma Qytetare, “një qeveri e re polake do të formohet vitin e ardhshëm për t'i trajtuar këto çështje siç duhet”.

Kaczyński s’do mend se po shpresonte që opozita të hiqte dorë nga të gjitha pretendimet polake për reparacione. Duke iu bashkuar qartësisht këtij treni, Platforma Qytetare mund ta godasë strategjinë e tij elektorale. Por kjo njashtu do të nënkuptonte se çështja e ka nisur një jetë të ndarë nga dhe përtej asaj që e synonte Kaczyński. Rezultati është i pasigurt, porse, paradoksalisht, mburoja më e mirë për Gjermaninë mund të jetë vetë Kaczyński, propozimet fryese dhe ligjërisht të dyshimta të të cilit për zgjidhjen e çështjeve të tilla, nuk mund të merren seriozisht.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet të Jashtme. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).