OpEd

Vajza Saranda dhe ekzekutuesi Bozhidari

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës i ka mbijetuar masakrës në Podujevë, dhe homologu i saj nga Serbia ishte komandanti i brigadës që kreu krimet

Mund të ndodhë shumë lehtësisht, diku në Bruksel apo në Berlin, në ato hotele të mëdha ku vendosen administrata e BE-së dhe të gjithë ata të interesuar për të hyrë në BE, që Saranda nga Kosova dhe Bozhidari nga Serbia të qëllojnë në dhoma afër njëri-tjetrit. Nuk e them se është e mundur hipotetikisht, por në praktikë është shumë e pritur dhe gjë që mund të ndodhë.

Mbiemri i Sarandës është Bogujevci dhe ajo është nënkryetare e Parlamentit të Kosovës, ndërsa Delis është mbiemri i Bozhidarit, që së fundi është zgjedhur nënkryetar i Parlamentit të Serbisë.

Mund të ndodhë që Saranda dhe Bozhidari të takohen në mënyrë protokollare, në ndonjë tryezë të rrumbullakët ku marrëdhëniet mes dy shteteve dhe njohja e ndërsjellë janë diskutuar për dhjetë vjet apo më tepër. Mund të ndodhë që të takohen rastësisht në korridor të hotelit. Nuk është ndonjë mundësi e përjashtuar.

Bozhidar, nga erdhën 16 plumba në trupin tim kur isha fëmijë?

Kështu Saranda Bogujevci mund ta pyesë Bozhidar Deliqin se në cilin vend në Kosovë ishte ai më 28 mars të vitit 1999? A ishte diku në afërsi të Podujevës? A ka dëgjuar për rrugën “Rrahman Morina” numër 7, në të cilën ka jetuar Saranda me familjen e saj shumë-anëtarëshe? E më me rëndësi, a e dinë ata se si “Akrepat”, po të njëjtit që kanë vrarë të pafajshmit rreth Srebrenicës, kanë vrarë 14 anëtarë të familjes së Sarandës? Në shtëpi, brenda një dite dhe atë brenda çastit?

A e di ti Bozhidar, se si “Akrepat” kanë shtënë në trupin e gjallë të njeriut, pa ndalur? A e di ti Bozhidar se si njerëzit në oborr prapa shtëpisë janë vrarë si të ishin kafshë? Fillimisht gratë, që kishin qëndruar para fëmijëve e të moshuarve, më pas të moshuarit e më pas fëmijët?

A mund Saranda t’ia përsërisë Bozhidarit, në holl të hotelit në Bruksel, deklaratat e saj që kishte dhënë në gjykatë:

“Jam goditur në këmbë. Dikush vdiq. Përsëri kanë shtënë. Më pas jam goditur në dorë e në shpinë. Kam ngritur kokën, kam parë vëllain Gencin, që më tha ‘shikoni çfarë i kanë bërë vëllait’, gjysma e kokës së tij ishte shkatërruar”.

Ndoshta Saranda menjëherë mund t’i përvjelë mëngët dhe t’ia tregojë plagët e tmerrshme në duart e saj që janë si pasojë e goditjeve nga plumbat.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës mund t’i thotë Bozhidarit, nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, se më 27 mars të vitit 1999, ajo ishte goditur nga dy plumba në këmbë, një në shpinë dhe 13 në duart e saj, ndërsa vëllai dhe nëna e saj janë vrarë.

Kështu punonjësit e shtetit të Serbisë, të njohur si “Akrepat”, qëlluan në drejtim të fëmijëve. Nga 19 të vrarët aty, shtatë ishin fëmijë e shtatë gra.

Mrekullisht, Saranda mbijetoi dhe shkoi për të jetuar në Angli, ku u edukua. Si një grua e re e shkëlqyer dhe e edukuar, u bë nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Shpërblim për vrasje të fëmijëve – posti i nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë

E Bozhidar Deliq, shumë mund të pyesin? Çfarë me të dhe me luftën në Kosovë?

Ja pra, ai Bozhidari, që do të qëndronte para Saranda Bogujevcit, ishte atëbotë komandues i Brigadës 549 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë në Kosovë, brigadë që mori pjesë në krime monstruoze të shkallës së lartë.

Në vitin 2013, Fondi për të Drejtat e Njeriut (FHP), publikoi një dosje ku përmban dokumentacion më të detajuar për tetë ofensiva ushtarake të Brigadës 549 në fshatrat e Kosovës në mars dhe prill të vitit 1999, gjatë së cilave humbën jetën 885 persona. U vranë 853 qenie njerëzore. Pikërisht në mars dhe prill, pikërisht atëherë kur Saranda gati sa nuk u vra, ajo mori 16 plumba, por i mbijetoi.

Nuk mund të ndodhë, Bozhidar, që të mos kesh fare të bësh me të gjitha këto, veçanërisht pasi kurrë nuk ke mohuar se ke qenë njeriu i parë i brigadës vrasëse. Dhe nuk mund të ngjajë që nuk e di se çfarë ka ndodhur me Bogujevcët në Podujevë atëherë! Këtë nuk ka nevojë më të pyesë Saranda, këtë pyet çdo qenie njerëzore nënkryetarin e Kuvendit të Serbisë, që duket se e vlerëson të kaluarën e tij gjakatare dhe për këtë është shpërblyer me një pozitë të një funksionari të lartë të shtetit.

Pra, nuk do të ishte keq t’i rikujtohet Deliqit dhe gjithë publikut serb, nëse ekziston një gjë e tillë ende, se në sulmet në fshatrat Mejë dhe Korenicë më 27 prill të vitit 1999 në Kosovë të kryera nga anëtarët e ushtrisë, policisë dhe njësitet paramilitare, përfshirë Brigadën 549 të Deliqit, u vranë 377 civilë, prej të cilëve 36 të mitur, pra nën 18 vjet. Pra, a vrasja e fëmijëve qenka gjë normale?!

Nuk është keq të kujtohet se nën komandën e Deliqit të Brigadës 549 të Motorizuar, regjimi serb ka masakruar, sipas burimeve shqiptare, 2.174 shqiptarë të Kosovës, 459 prej të cilëve më vonë janë gjetur në varret masive në Peruqas dhe Batajnicë, në territor të Serbisë.

Por, siç kam thënë, jo që Deliqi nuk u dënua, ndonëse ai çdo ditë thotë në televizione serbe se “Kosova nuk duhet t’u jepet shqiptarëve”, por ai është shpërblyer.

E këto shpërblime, sado të sëmura që mund të duken, kanë vazhdimësinë e tyre. Nuk është se Deliqi, thjesht ashtu dhe vetëm sot, ka marrë shpërblimin për kasaphanën e tij, jo!

Pak e dinë, se Brigada 549 e Deliqit, po ashtu, është dekoruar nga krimineli i luftës Slobodan Milosheviq. Është nderuar për rolin në Kosovë me Urdhrin e Heroit Kombëtar për “mbrojtjen heroike të vendit”.

Ai përfshihet në mbrojtje heroike të vendit edhe vrasja e grave e fëmijëve? Me sa duket po.

Dhe e them, në një bisedë hipotetike, të gjitha këto mund t’ia thotë Saranda Bogujevci, mund ta pyesë Bozhidarin: “Çfarë po bënit atëherë në Kosovë, ndërsa mishi im po ndahej nga kockat për shkak të armëve dhe plumbave tuaj dhe nëse unë po shikoja vëllain dhe nënën time derisa po vdisnin?”.
Mund ta pyes, se si është e mundur që një njeri i tillë me të kaluar dhe biografi të tillë gjendet në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë fqinje?

A e dini çfarë përgjigje mund t’i japë Deliqi, një njeri njësiti i të cilit mban gjakun në duart e veta?

Ai mund të thotë: “Nuk është kjo asgjë, unë Saranda që nga viti 2017 kam qenë disa herë deputetë, dhe dy herë isha nënkryetar i këtij kuvendi të njëjtë të Serbisë”.

Ai mund t’i tregojë se për 15 vjet ka përfituar dhe rritur statusin e tij social në Serbinë e tillë për shkak të krimeve të brigadës së tij. Ai mund të thotë se gjithmonë ka qenë kundër arrestimit të kriminelëve, si Karaxhiq e Mladiq, dhe për punën e tij e ka fituar besimin e njerëzve.

E më pas deklarimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që thotë:

“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, që i mbijetoi masakrës brutale të regjimit gjenocid serb, shërben si nënkryetare e Kuvendit, e ndërkohë, Kuvendi i Serbisë e emëron Bozhidar Deliqin, komanduesin e brigadës që masakroi mijëra kosovarë, si nënkryetar”, nuk do të thotë asgjë në këtë dhe Serbi të tillë.

Në fakt, e kam gabim, deklarata e presidentes së Kosovës dhe biografia gjakatare e Deliqit përfaqëson veglat më të rëndësishme për suksesin e politikanëve serbë. Për keqardhje dhe turp si për Serbinë ashtu edhe për qytetarët e Serbisë.

Në vend të përfundimit

Për më tepër, atë mëngjes të 29 marsit të vitit 1999, në oborrin e Halim Gashit u vranë shtatë fëmijë dhe shtatë gra:

Shpëtimi (1989) dhe Shpendi (1986), djemtë e Safet Bogujevcit, gruaja e tij Sala (1960), Nora (1984) vajza e Selatin Bogujevcit, gruaja e tij Shefkatja (1956), Shehide Bogujevci (1932), Nefise Bogujevci Llugaliu (1945), motra e Selatinit dhe Safetit, reja e saj Fezdrije Llugaliu (1978), Dafina (1990), Arbëri (1992), Mimoza (1995) dhe Albini (1997), fëmijët e Enver Duriqit, Fitnetja (1963), gruaja e Enverit dhe Isma (1930) nëna e Enverit.

Saranda i mbijetoi dhe tash dëshmon me jetën dhe veprën e saj për të keqen që ra mbi supet e fëmijëve. Ajo, si e gjithë bota, shikon Serbinë, shikon Bozhidar Deliqin, komanduesin e Brigadës famëkeqe, që sot është nënkryetar i Kuvendit të Serbisë dhe pyet me të gjithë ne – Pse???

Vështrimi është botuar në “Al Jazeera Balkans”, autori është profesor i filozofisë, kolumnist dhe gazetar.