OpEd

Nëpër tituj

Qe sa vjet i themi vetes shtet dhe çka shohim: politikanë që mendojnë se historia nis me ta; shohim prokurori e gjykata që nuk zgjojnë asnjë grimë besim në drejtësi; lexojmë për mungesë barnash për pacientë me kancer, kur e dimë se depoja e stërmbushur me barna është mbajtur e menaxhuar më zi se një stallë e paorganizuar; dëgjojmë për racizëm nëpër shkolla; për analfabetë funksionalë e për shumë sende të tjera që jemi lodhur duke i përsëritur...

Pa dyshim, lajmi i javës qe shkuarja e Osmanit e Kurtit në Amerikë dhe takimi me Blinkenin – deri tash zyrtari më i lartë amerikan i administratës Biden që e ka takuar ndonjërin politikan të Kosovës. Shumë inkurajuese edhe deklarata për bisedimet e Brukselit dhe qëllimit përfundimtar, që duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Me gjithë shumë problemet e tjera me të cilat merret Amerika, duket se Kosova disi po kthehet në sferën e saj të interesimit mbas shumë vjetësh ngrirjeje të thellë. Si një lloj shenje, mbase duhet parë deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Chris Hill, sipas të cilit SHBA-ja duhet të përfshihet në këtë dialog.

Nga përvoja e dimë se po qe se SHBA-ja përfshihet në këtë dialog, atëherë përfundimi do të duhej të vinte më shpejt. Gjithsesi më shpejt seç do të mund të pritej nga administrata e ngathtë dhe e ngadaltë evropiane, e cila merret kinse me lehtësimin e një dialogu që 11 vjet, pa ndonjë rezultat me të cilin do të mund të krenohej. Pos, natyrisht, marrëveshjes “historike” Thaçi-Daçiq nga 2013-a, që na la pataten e nxehtë në duar: Zajednicën.

Dhe tek mendoja se puna e këtyre marrëveshjeve historike kishte mbaruar, pa pritë e pa kujtu na doli në sipërfaqe edhe një: ajo 236.7-milionëdollarëshe për energjinë e nënshkruar me MCC-në. Edhe Osmani, edhe Kurti e cilësuan historike, duke mos argumentuar fort pse, dhe me këtë veprim u bënë pjesë e të njëjtit ekip me Thaçin e Hotin, që gjithashtu krenoheshin se kishin nënshkruar diçka “historike” në dekadën e fundit.

Tek asnjëra nga këto marrëveshje nuk gjen gjë historike. Tek e para gjen shumë probleme; tek e dyta gjen detyrime të njëanshme, e tek e treta gjen një marrëveshje investimi në energjinë e ripërtëritshme dhe që është investim shumë i vogël amerikan karshi investimit enorm që ky shtet kishte bërë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Dhe jo vetëm në para.

Amerika e ka shkruar historinë në Kosovë moti.

* * *

Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, na befasoi Kuvendi, i cili me shpejtësi të dritës e miratoi për ta futur në funksion sa më parë. Mbase edhe ky votim do të duhej të cilësohej si historik – sepse disi eci pa inate, e pa piskama e ironi.

Dhe tamam shpresuam se edhe dita vijuese do të ishte po aq efikase, na dolën dembelët në pah dhe na treguan edhe njëherë se sistemi zgjedhor në Kosovë duhet të ndryshojë urgjentisht dhe që në vend të listave, duhet votuar kandidatë që njëmend do të na përfaqësojnë aty.

Në mungesë kuorumi, pra sërish dështim i koalicionit qeverisës që nuk i siguron 61 deputetët për të ecur tutje, seanca u shty.

Brenda dy javësh do të shkojnë në pushim dhe do të lënë pas madje nja 60 projektligje të pashqyrtuara, se kurrë nuk po kanë kohë për ta kryer punën e tyre.

Na plasën!

* * *

Tek i shfletoja gazetat e javës që shkoi, dola t’i veçoj nja gjashtë tituj, që e besoj se kurdo që do t’i botonim, do të ishin përherë aktualë. I pari qe “Bixhoz afër kufirit të Kosovës”, për kazinotë që vetëm e kanë kaluar kufirin për të vazhduar me veprimtarinë. Kjo tregon se kur bëhet fjalë për punë ilegale, ama asnjë grimë armiqësie nuk gjen mes shqiptarëve e serbëve.

Titulli i radhës qe “Gratë që i nënshtrohen dhunës në familje s’gjejnë përkrahje nga shteti” e që është gjendje e përhershme për fat të keq, e që kulmon me raste sikur i gruas që u vra në Llaushë të Skënderajt e që u ilustrua me titullin “Dëshmia e fëmijëve: Nëna u keqtrajtua vazhdimisht, derisa u vra nga babai”.

Katër titujt e tjerë, gjithashtu, ilustrojnë realitetin politik kosovar dhe mendësinë tonë kolektive: “Lista Serbe mban peng dy ligje”, sepse ky subjekt politik i dirigjuar nga Beogradi ka kompetenca kushtetuese për të na e komplikuar jetën, edhe me një ligj, ta quaj “banal”, siç është ky i pushimeve zyrtare;

“Gati 2.800 nxënës kosovarë ngelin në klasë”, që me një shifër mbase edhe simbolike shpërfaq cilësinë e dobët të arsimit kosovar;

“Gjatë qershorit të shtrenjtë, 400 mijë kosovarë vizituan Shqipërinë”, që është përshkrimi më i mirë i absurditetit tonë. Jemi njerëz që ankohemi se nuk kemi para, se gjithçka është shtrenjtë, se kemi varfëri të skajshme, se duhet mbajtur popullatën me skema sociale dhe se në shtet nuk ka para. Por si të ketë para kur krejt paratë na shkojnë jashtë vendit, qoftë në formë të blerjes së mallit nga importi, qoftë në pushime, e të ngjashme.

I katërti titull i kësaj serie ka të bëjë me problemin e energjisë me të cilin do të ballafaqohemi në dimër: “KEDS-i konfirmon vështirësitë në blerjen e energjisë”, sepse prodhimi në vend nuk do të mjaftojë për t’i mbuluar nevojat, për pasojë gjasat janë se duhet të bëhemi gati për reduktime.

* * *

Por, titulli i cili më së shumti ma vrau syrin qe ai nga gjykimi i ish-drejtorit të Financave dhe Administratës së Komisionit të Pavarur për Media dhe aktgjykimit që iu shpall: për marrje ryshfeti në vlerë prej 8 mijë eurosh, u dënua me 140 ditë dhe gjobë prej 12 mijë eurosh. Krahas kësaj, i mohohet punësimi në administratë shtetërore për tri vjet. Vetëm për tri vjet, do të duhej shtuar.

Pra, rast eklatant i keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe kryerjen e një vepre penale për të cilën mund të dënohesh me 1 deri në 8 vjet apo edhe 3 deri në 12 vjet (plus gjoba), varësisht se si e klasifikon veprën penale. Por jo, në Kosovë, zyrtari i cili është zënë me zarf në dorë, me sms të këmbyera me bashkëkryerësin duke e konfirmuar marrjen e zarfit, kalon me 140 ditë burgim, të cilat tashmë i ka “larë” në arrest shtëpiak e paraburgim.

Para disa javësh kisha shkruar për nevojën e vettingut, dhe duket se kësaj teme duhet kthyer çdo ditë të lume, për të treguar se sistemi ynë i drejtësisë kundërmon dhe kundërmon keq.

Nuk e di njeri a është ky zbatim i qëllimshëm selektiv i ligjit, apo injorancë totale të atyre që duhen ndarë drejtësinë. Por kur u hyn arkivave dhe i shikon masat ndëshkuese që janë shqiptuar nëpër gjykatat e ndryshme të Kosovës për vepra të ndryshme penale, e sheh se nuk ka kriter të njëjtë, bile as të përafërt.

E për të kuptuar këtë që po e shkruaj, më dolën në ndihmë kolegët nga Betimi për Drejtësi, me përmbledhjen e dhjetë rasteve që kanë pse veçohen:

Vodhi një shishe raki në vlerë 21 €, u dënua me 400 € gjobë

Vodhën një pulë në Prizren, u dënuan me 750 € gjobë

Vodhi një shishe “Smirnoff Vodka”, u dënua me 3 muaj burgim me kusht

Vodhi 2 palë trenerka dhe një palë patika, u dënua me 1 vit burgim me kusht dhe 600 €

Vodhi një xhaketë nga një butik, u dënua 4 muaj me burgim me kusht dhe 250 € gjobë

Vodhi brisqe të rrojës, u dënua me burgim tre muaj dhe 250 € gjobë

Vodhi një biçikletë, u dënua me 500 € gjobë

Vodhën 4 pula dhe 1 gjel, u dënuan me katër muaj burgim me kusht

Vodhën 14 pëllumba, u dënuan me 3 muaj burgim me kusht dhe 100 € gjobë

Vodhi 2 gypa metalikë, u dënua me 80 ditë burgim dhe 100 € gjobë

* * *

S’po di çka të them. Qe sa vjet i themi vetes shtet dhe çka shohim: politikanë që mendojnë se historia nis me ta dhe se çfarëdo që bëjnë në detyrë, e bëjnë për t’iu përmendur emri, e besoj për të mirë, ani që shumë shpesh u ndodh që t’u përmendet për të keq; shohim prokurori e gjykata që vazhdojnë të mos nxisin asnjë grimë besim në drejtësi sepse përherë do të ekzistojë frika se nga viktima do të shndërrohesh në viktimizues; lexojmë informata të tmerrshme për mungesë barnash për raste të pacientëve me kancer, përderisa kemi parë se si depoja me shumë, shumë barna është mbajtur e menaxhuar më zi se një stallë e paorganizuar; dëgjojmë për racizëm nëpër shkolla; për analfabetë funksionalë e për shumë sende të tjera, që jemi lodhur duke i përsëritur.

A kaq pak dashuri paskemi pasur e kemi për këtë vend?

flaka@koha.net