OpEd

“Terrorizmi nuk ka komb, etni dhe fe. FETO kërcënon njerëzimin në tërësi”

Gjashtë vjet pas 15 korrikut 2016, Turqia e vazhdon luftën e saj të vendosur kundër FETO-s, ashtu siç e vazhdon luftën e saj kundër organizatave të tjera terroriste, si PKK, PYD-YPG, DHKP-C dhe DAESH. Ne presim që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë në solidaritet me Turqinë në luftën kundër terrorizmit

Në mbrëmjen e 15 korrikut 2016, “Organizata Terroriste Fethullahiste” (FETO) nisi një tentativë të përgjakshme grusht shteti kundër popullit dhe Qeverisë së vendit tim. Qëllimi i tyre ishte të krijonin një regjim radikal, fundamentalist, besnik vetëm ndaj kreut të tyre Fetullah Gylen.

Ndërsa njësitë ushtarake të lidhura me FETO-n lëshuan kazermat e tyre për të pushtuar lokacione kyç, si Ura e Bosforit në Stamboll, dhe avionët luftarakë dhe helikopterët sulmues bombarduan objekte strategjike, duke përfshirë Parlamentin, kompleksin presidencial, selinë e ushtrisë dhe policisë; mijëra civilë dolën në rrugë për të ndaluar këtë tentativë tradhtare të pashembullt grusht shteti. Komplotuesit vranë 251 civilë të pafajshëm dhe lanë mijëra të plagosur. Atë natë populli turk e mbrojti me jetë demokracinë. Kjo përgjigje heroike ishte diçka që komplotistët nuk e kishin parashikuar.

Për të kuptuar atë që ndodhi duhet kuptuar natyrën e vërtetë të FETO-s. FETO u krijua në fund të viteve 1960 si një e ashtuquajtur “lëvizje fetare”. Me maskën e promovimit të arsimit dhe dialogut ndërfetar, ajo arriti të mbulojë qëllimet e saj të rrezikshme.

Infiltrimi i mirëplanifikuar dhe i përhapur nga anëtarët dhe të konvertuarit e FETO-s në ushtri, në polici, në gjyqësor dhe në institucione të shumta qeveritare, përfshirë Ministrinë time, u krye për dekada në mënyrë klandestine për një plan gjithëpërfshirës, ​​faza e fundit e të cilit u shpalos më 15 korrik 2016.

Nëse përpjekja për grusht shtet do të kishte sukses, sot do të kishte pasur një Turqi shumë më ndryshe. Demokracia nuk do të kishte ekzistuar dhe të drejtat dhe liritë themelore do të ishin pezulluar për një kohë të pacaktuar. Kombi do të kishte rënë në duart e një Qeverie ekstremiste.

FETO jo vetëm që kontrollonte një pjesë të konsiderueshme të institucioneve arsimore, por zotëronte edhe shumë institucione financiare. Llogaritë e tyre bankare ushqeheshin nga anëtarë të shquar të FETO-s në industri dhe tregti, si dhe nga zyrtarë dhe qytetarë. Shumë civilë të pafajshëm u joshën gjithashtu për të kontribuuar në financat e FETO-s, pasi devotshmëria e tyre u manipulua. Të ardhurat e mëdha të nxjerra nga shkollat ​​e tyre anembanë botës u kanalizuan në këto llogari në mënyrë klandestine, duke pritur për lëvizjen e tyre përfundimtare.

Pas tentativës së përgjakshme të grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, filloi një spastrim i vendosur i sektorit publik, duke përfshirë institucionet qeveritare dhe ushtrinë, si dhe të sektorit privat nga të gjithë personat dhe kompanitë e lidhura me FETO-n. Disa komplotistë të njohur janë kapur. Të tjerë i shpëtuan drejtësisë dhe gjetën strehim në vende të huaja.

Kreu i organizatës terroriste FETO, Fethullah Gylen, ende banon në Shtetet e Bashkuara. Qeveria jonë prej vitesh kërkon ekstradimin e Gylenit në Turqi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe atë të anëtarëve të FETO-s nga vendet evropiane. Fatkeqësisht, këto kërkesa ende nuk janë përmbushur.

Nga ana tjetër, kudo në botë, një numër në rritje i qeverive e kuptojnë rrezikun që kjo organizatë terroriste paraqet edhe për to dhe po i ndërmarrin hapat e nevojshëm. FETO është gjithashtu e angazhuar në aktivitete të paligjshme, si mashtrimi i vizave, pastrimi i parave dhe trafikimi i armëve. Rrjedhimisht, anëtarët e FETO-s po pastrohen nga sektori publik dhe privat në shumë vende. Shumë shkolla të lidhura me këtë organizatë terroriste jashtë vendit i janë transferuar Fondacionit Turk Maarif pas vitit 2016. Sot shkollat ​​Maarif funksionojnë në shumë vende dhe po ofrojnë arsim të shkëlqyer në mbarë botën.

Natyra dhe shtrirja e luftës së Turqisë kundër FETO-s nuk është e ndryshme nga ajo e ushtruar nga vendet e tjera kundër organizatave që kishin terrorizuar zyrtarë dhe civilët dhe rrezikuar vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë themelore. Turqia po bën atë që kanë bërë në të kaluarën vendet përkatëse në luftën e tyre kundër terrorizmit. Të gjitha procedurat janë në përputhje me ligjin.

Terrorizmi nuk ka komb, etni apo fe. Ky kërcënim e kërcënon njerëzimin në tërësi. Prandaj, përgjigjja ndaj këtij kërcënimi duhet të jetë e bashkuar dhe e vendosur. Asnjë shtet nuk e ka luksin që të bëjë dallimin mes terroristëve dhe asnjë organizatë terroriste nuk mund të klasifikohet si “e dobishme”, sipas preferencave. FETO është përgjegjëse për humbjen e qindra jetëve, si dhe për krime të tjera të rënda kundër popullit turk. Gjashtë vjet pas 15 korrikut 2016, Turqia e vazhdon luftën e saj të vendosur kundër FETO-s, ashtu siç e vazhdon luftën e saj kundër organizatave të tjera terroriste, si PKK, PYD-YPG, DHKP-C dhe DAESH. Ne presim që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë në solidaritet me Turqinë në luftën kundër terrorizmit.

(Autori është ministër i Punëve të Jashtme i Turqisë).