OpEd

Për Erdoganin, dështimi i puçit ishte një “dhuratë nga Zoti”

Asgjë nuk e ka ndryshuar trajektoren vendore dhe ndërkombëtare të Turqisë që nga themelimi i Republikës turke më 1923 sesa puçi ushtarak i dështuar i korrikut të 2016-s, i cili ia ka dhënë Erdoganit një mundësi të paprecedent për ta kënaqur epshin e tij të pangopur për pushtet

Më 15 korrik, Presidenti i Turqisë, Erdogan, do ta festojë përvjetorin e gjashtë të puçit ushtarak të dështuar – një fitore e madhe që, siç e interpreton, e ka mbrojtur Kushtetutën e Turqisë dhe demokracinë e saj. Vetë Erdogani e karakterizoi puçin si një “dhuratë nga Zoti”, sepse i siguroi atij “justifikimin” për të shpallur emergjencë nacionale; pa u mbushur një vit nga tentim puçi ai mbajti një referendum për ta transformuar demokracinë parlamentare të Turqisë në presidencë ekzekutive të cilën e ka synuar, ka më shumë se dy dekada. Ai e përdori pamëshirshëm fuqinë e tij të re, gati absolute për ta “spastruar” vendin nga armiqtë e brendshëm dhe për të qeverisur në masë të madhe me dekret, pa thuajse fare opozitë që ta ndalë.

Njëra prej mangësive më të mëdha të Erdoganit është ndjenja e tij e pasigurisë. Edhe pse e projekton veten si i sigurt në vetvete dhe publikisht ekspozon konfidiencë dhe vendosmëri, pasiguria i vjen nga pesë shqetësime të ndryshme që ka.

Ai besonte se ushtria, e cila në kohën kur u krijua Republika e re u ngarkua me ruajtjen e demokracisë së Turqisë, paraqiste rrezik për sundimin e tij të pakufishëm. Para se ai të ngrihej në pushtet, ushtria kishte rrëzuar tri qeveri – më 1960, 1971 dhe 1980 – sepse devijuan nga Kushtetuta, dhe Erdogani ishte i vendosur që ta dobësonte ushtrinë dhe t’ia nënshtronte atë tekeve të tij. Nuk është për t’u çuditur që pas puçit, ai përndoqi më shumë se 23.000 pjesëtarë të ushtrisë për kinse pjesëmarrje në kryengritje.

Rivalët politikë kanë qenë përherë shqetësim i madh dhe kundërshtari i përzgjedhur i tij është Fetullah Gulen, të cilin e akuzon se qëndron pas puçit. Asgjë nuk e ndali Erdoganin që të përjashtonte nga puna mbi 100.000 punëtorë të sektorit publik, përfshirë afro 4000 gjyqtarë e prokurorë; më shumë se 321.000 njerëz i arrestoi që nga viti 2016 nën dyshimin se kanë qenë ndjekës të Gulenit. Edhe sot e kësaj dite Erdogani përpiqet të sigurojë ekstradimin e Fetullah Gulenit nga SHBA-ja, por më kot, sepse vazhdimisht dështoi të gjejë fakte që dëshmojnë fajësi të tij. Guleni i mohon fuqishëm akuzat ndaj tij dhe këmbëngul se lëvizja e tij “Islamic Hizmet” promovon paqen dhe shkollimin.

Mediat kanë qenë dhe ende janë një prej caqeve kryesore të Erdoganit. Ai mbyll thjesht secilën gazetë që guxon të vërë në pyetje cilëndo nga politikat e tij. Ndjekjes së tij nuk i shpëtuan as mbi 300 gazetarë të cilët u arrestuan nën akuza për shkelje të trilluara. Afro 180 prej tyre vazhdojnë të dergjen nëpër burgje, duke mos e ditur se kur apo nëse do të lirohen ndonjëherë. U arrestuan edhe mijëra akademikë dhe avokatë të cilët, po ashtu, nuk kishin kurrfarë lidhjesh me tentim puçin.

Komuniteti kurd është një burim tjetër shqetësimi të thellë për Erdoganin, pjesëtarët e të cilit i ka ndjekur dhe vazhdon t’i ndjekë, ndërkohë që ua mohon të drejtat e lindura për të jetuar sipas traditës së tyre. Puçi i dështuar vetëm sa thelloi brengat e Erdoganit në lidhje me komunitetin kurd, ndërkohë që i mbeti edhe frika se kurdët asnjëherë nuk hoqën dorë nga përcaktimi për të kërkuar pavarësi, kështu që burgosi mijëra prej tyre si pjesë e spastrimit të gjerë.

Që nga puçi i dështuar gjashtë vjet më parë, Turqia vazhdon të vuajë me të madhe në një numër frontesh:

Turqia vuan vazhdimisht nga inflacioni i lartë dhe lira turke i ka humbur afro dy të tretat e vlerës së saj ndaj dollarit amerikan në pesë vjetët e parë pas tentim puçit.

Publiku turk vazhdon të jetë skajshmërisht skeptik dhe thellësisht i brengosur për të ardhmen e vendit, meqë nuk duket të ketë në horizont kurrfarë lehtësimi nga presioni dhe shtypja që është shndërruar në përditshmëri.

Raportet mes Turqisë dhe SHBA-së e BE-së nuk janë përmirësuar derisa SHBA-ja në veçanti mbetet thellësisht e shqetësuar me veprimet e Erdoganit, sidomos me shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe me shkeljen e sanksioneve të vendosura ndaj Iranit.

Besimi i publikut te Qeveria, gjykatat, zbatimi i ligjeve, mungesa e drejtësisë, niveli i korrupsionit tek zyrtarët e lartë, degjenerimi i AKP-së në një parti që miraton padiskutueshëm çdo tek të Erdoganit, dhe paaftësia e Qeverisë për të adresuar nevojat e njerëzve, janë në pikën më të ulët.

Dhjetëra mijëra qytetarë të rinj turq, veçanërisht nga shtresat akademike, po e braktisin vendin në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Dhe në fund, qëllimi i promovuar i Erdoganit për të pasur zero probleme me fqinjët ka përfunduar në një situatë në të cilën Turqia është në telashe me secilin vend fqinj e me të cilët tani ai po përpiqet dëshpërimisht që t’i përmirësojë raportet.

Duke pasur parasysh se sa shumë pushtet ia ka dalë të mbledhë Erdogani, ai mbetet i cenueshëm, ngase shumë nga ajo që po shkon mbrapsht tani i atribuohet atij, sepse duke centralizuar kontrollin ai tani nuk ka se kujt t’ia hedhë fajin për vuajtjet e publikut.

Erdogani nuk e ka krijuar një “Turqi të re” dhe një demokraci të shëndoshë siç e thotë, por një autokraci që nuk bën gjë tjetër përveç shtypjes së popullit dhe vjedhjes së dinjitetit dhe të ardhmes së tij. Kjo është trashëgimia e një puçi të dështuar.

Pyetem nëse Erdogani ende mendon se puçi ishte një “dhuratë nga Zoti”?

(Autori është ekspert amerikan për çështje të Lindjes së Mesme dhe bashkëpunëtor i lartë i Qendrës për Çështje Globale në Universitetin e New Yorkut. Opinioni është shkruar ekskluzivisht për “Kohën Ditore).