OpEd

Stërshitësit ambulantë të “vajit të gjarpërinjve”*

Shitësit e vajit të gjarpërinjve* mund të dallohen herët në synimet e tyre që ta shesin pikërisht atë, sepse në politikëbërjen e tyre morali është inekzistent. I tillë ishte ish-ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, i cili gjatë presidencës së Donald Trumpit u emërua edhe emisar i veçantë i tij për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Logjikën e këtij shitësi të vajit të gjarpërinjve* e kisha dekonspiruar moti në shkrimet e Ditarit tim, ku ai propagandonte mbi mungesën e një shërbimi “Rent a Car” midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe një shërbimi “Cargo”. Që të dyja këto argumente ishin aq të vobekta dhe të bënin ta kuptoje se ky shitës i vajit të gjarpërinjve* nuk ishte as në tokë të bukës sa i përket realitetit ndërmjet problematikës shqiptaro-serbe

“Politika nuk ka lidhje me moralin” - Niccolo Machiavelli.

Kur njeriu e ka të qartë këtë gjë, atëherë "lundrimi" në ujërat e rrëmbyeshëm dhe të turbullt politikë është më i lehtë. Por edhe nëse nuk je ai që "lundron", interpretimi i ngjarjeve dhe i rrjedhave politike bëhet më i kapshëm për logjikën dhe të liron nga ndjenja emocionale, por edhe nga idealizmi që mund të shkojë edhe deri në utopi.

Shitësit e vajit të gjarpërinjve* mund të dallohen herët në synimet e tyre që ta shesin pikërisht atë, sepse në politikëbërjen e tyre morali është inekzistent. I tillë ishte ish-ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenelli, i cili gjatë presidencës së Donald Trumpit u emërua edhe emisar i veçantë i tij për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Logjikën e këtij shitësi të vajit të gjarpërinjve* e kisha dekonspiruar moti në shkrimet e Ditarit tim, ku ai propagandonte mbi mungesën e një shërbimi “Rent a Car” midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe një shërbimi “Cargo”. Që të dyja këto argumente ishin aq të vobekta dhe të bënin ta kuptoje se ky shitës i vajit të gjarpërinjve* nuk ishte as në tokë të bukës sa i përket realitetit ndërmjet problematikës shqiptaro-serbe. Disa mund ta quajnë "pragmatizmi amerikan", mirëpo në mendjen time është thellë e ngulitur bindja se këtu nuk kishim të bënim me "pragmatizmin amerikan", por thjesht me injorancën e një njeriu arrogant tipik shpirtshitur tek interesat e ngushta të shefit të tij, e shefat si shefa, mund të jenë ndërruar në ndërkohë.

Tani ky qytetar i lirë e i "papunë" amerikan, i dashuruar në Serbinë dhe në të bukurat të cilat i bart ajo, zbarkon atje shpeshherë dhe secilën herë hedh në etër deklarata nga fushatat e tija për shitjen e vajit të gjarpërinjve*. Ai dje deklaroi në Serbi se problemi i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë qëndron tek BE-ja, si dhe tek vetë Albin Kurti. Më pas deklaroi se KFOR-i do të duhej të tërhiqej nga Kosova pasi që prezenca e tij në Kosovë e mban këtë konflikt të ngrirë, si dhe nuk do të duhej të kërkohej njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

Për disa nga ne, të cilët ndoshta e kemi memorien pak më të zhvilluar se ajo e një peshku të artë në akuarium, ajo çfarë ndodhi me marrëveshjen e famshme të Washingtonit, ku në versionin e parë të saj u tha se njëra nga kërkesat ishte njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, mirëpo disi si me magji ajo pikë ose u largua ose nuk ka ekzistuar asnjëherë, porse vetëm na u shit neve si e tillë nga stërshitësit tanë ambulantë të vajit të gjarpërinjve* apo nudistët politikë të Liqenit Trump, të cilët ishin prezentë atje në Washington, e të tillë stërshitës kishin qenë atje plot me atë rast. I mbani ndërmend deklaratat e tyre, investimet amerikane 13-miliardëshe dhe gjepurat e ngjashme.

Richard Grenelli dje në Beograd kishte deklaruar se sikur sot president i Amerikës të ishte Donald Trumpi, lufta në Ukrainë nuk do të ndodhte. Kjo ndoshta edhe mund të jetë e vërtetë, mirëpo unë do e ngrija pyetjen nëse do të mund të ekzistonte një luftë qytetare në Amerikë, duke i kujtuar ngjarjet e 6 janarit 2021 në Washington DC, dëshmitarë të të cilave ishin dhe ndaj të cilave në ditët e tanishme po ndodh një proces gjyqësor, ku po merren në pyetje protagonistët e shumtë dhe ku ngadalë edhe kjo nyjë e errët e historisë më të re amerikane po zgjidhet.

T’u kthehemi shitësve ambulantë lokalë të vajit të gjarpërinjve*. Jo shumë moti Pal £€KAJ deklaroi se Kosova do të duhej që t’i bashkohej iniciativës së Open Balkanit. Ishte ky një balon direkt testues dhe përgatitje e terrenit nga ana e Ramush Haradinajt për një përqafim me një qëndrim të tij të ngjashëm në një të ardhme të afërt.

Kjo u bë dje edhe nga ana e deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili, po ashtu, deklaroi se Kosova do të duhej t’i bashkohej nismës Open Balkan. Të gjithë këta stërshitës tanë lokalë të vajit të gjarpërinjve* tani janë strukur sikur struci pas deklaratave të furnizuesit të tyre kryesor me vajin e gjarpërinjve*, Richard Grenell, dhe postulati i vjetër pellazg "hyn fjalë kah dole" asnjëherë nuk ka qenë më kuptimplotë dhe më i qëlluar, mirëpo, siç e ceka Makiavellin në fillim, "politika nuk ka lidhje me moralin". Dhe pa një lidhje të tillë këta stërshitës vaji të gjarpërinjve* as nuk skuqen e as nuk koriten, por vazhdojnë që të defilojnë nga njëra studio televizive në tjetrën për t’i shitur publikut kosovar mjegull dhe natyrisht vaj gjarpërinjsh*.

Nisma e projektit “Ballkani i Hapur” gjithashtu ka hapur edhe një çarje midis BE-së, me përfaqësuesin e saj Borell, si dhe me kancelarin gjerman Scholz. BE-ja është pro projektit të “Ballkanit të Hapur”, ndërsa Gjermania qëndron fort e rreshtuar pas bindjeve se nuk ka asnjë proces tjetër përveç iniciativës së Berlinit.

Në shkarjet e shitësve të vajit të gjarpërinjve* na doli edhe një protagonist tjetër, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Me kohë kisha thënë se ky njeri nuk duket aq bindës dhe se duhet pritur që të shohim marifetin e tij politik. Nuk u nevojit shumë kohë që edhe këtij t’i dalë purini, siç do të thoshin në Gjakovë. Fillimisht e përkrahu iniciativën e Open Balkanit. Më pas e nënshkroi marrëveshje me Kishën Serbe pa ndonjë debat publik apo parlamentar, dhe me këtë gjë e humbi edhe mbështetjen e presidentit Gjukanoviq. Dhe mbijetesa e tij e mëtutjeshme si kryeministër i Malit të Zi qëndron në këmbë të qelqta. Edhe skandali tjetër që lidhet me vëllanë e tij që është bashkëpronar i njërit nga spitalet më të mëdha private në Serbi në partneritet me partneren e kryeministres së Serbisë, Ana Burn'a'bitch-it, është edhe një kallëzues më tepër se kush i ngre penjtë e këtij loloje.

Deklarata e tij me rastin e përvjetorit të masakrës së Srebrenicës, edhe pse ndoshta do të kishte për qëllim një qëndrim human, mori krejtësisht një kah tjetër, kur ai deklaroi se "në gjenocidin në Srebrenicë nuk u vranë myslimanët por njerëzit, se ato krime nuk i kryen ushtria dhe forcat paramilitare, por politika e pistë”.

Vetë përdorimi i fjalës gjenocid në kuadër të asaj fjalie e që është e përkufizuar saktësisht në fjalor si "vrasja e qëllimshme e një numri të madh njerëzish nga një komb ose grup i caktuar etnik me qëllim të shkatërrimit të atij kombi ose grupi" e përjashton prezantimin e një deklarate se aty na qenkan vrarë njerëz të rëndomtë, kalimtarë rasti, që rastësisht qëlluan aty dhe u vranë nga politikat e pista.

Politikanët vijnë dhe shkojnë, ca fjalë dhe deklarata edhe i merr era, por disa njolla mbesin të ngulitura përjetësisht, nëse jo në kujtesën individuale atëherë mbesin në dëmin kolektiv që i është shkaktuar një shteti të caktuar.

Edhe në Britaninë e Madhe ditëve të fundit jemi dëshmitarë të asaj se si shitësit e vajit të gjarpërinjve* të cilët deri dje ia rrihnin krahët kryeshitësit të vajit të gjarpërinjve* tashmë me rrëzimin e tij janë në garë se cili apo cila do ta zërë vendin në tezgën kryesore të shitjes së vajit të gjarpërinjve. Por siç e kishte thënë Makiavelli, "politika nuk ka lidhje me moralin" dhe i vetmi kompas moral në politikë mbeten egot, grupet e interesit, partia, lideri dhe përfitimet materiale afatmesme dhe afatgjata.

*Vaji i gjarprit është një term i përdorur për të përshkruar marketingun mashtrues, mashtrimin e kujdesit shëndetësor ose një mashtrim. Në mënyrë të ngjashme, "shitës i vajit të gjarprit" është një shprehje e zakonshme që përdoret për të përshkruar dikë që shet, promovon ose është një përkrahës i përgjithshëm i ndonjë kure, ilaçi apo zgjidhjeje pa vlerë ose mashtruese.