OpEd

Aborti dhe demokracia në Amerikë

Vendimet e Gjykatës Supreme nuk mund të kthehen lehtësisht, edhe nëse bëhet e qartë se pasojat e tyre janë jashtëzakonisht negative. Heqja e vendimeve të legjislaturave për çështje të diskutueshme, si aborti dhe kontrolli i armëve, politizon gjykatat dhe i shtyn presidentët të përqendrohen në emërimin e gjyqtarëve që mund të mos jenë mendjet më të mira ligjore

Çdo grua duhet ta ketë të drejtën ligjore për të ndërprerë në mënyrë të sigurt një shtatzëni që nuk dëshiron ta vazhdojë, të paktën deri në fazën shumë të vonë të shtatzënisë, kur fetusi mund të zhvillohet mjaftueshëm për të ndier dhimbje. Ky ka qenë qëndrimi im qëkur fillova të mendoj për këtë temë si student në vitet ’60. Asnjë nga leximet, shkrimet dhe debatet e shumta që kam bërë më pas mbi këtë temë nuk më kanë dhënë arsye të mjaftueshme për të ndryshuar mendje.

Megjithatë, e kam të vështirë të mos pajtohem me linjën qendrore të arsyetimit të shumicës së Gjykatës së Lartë të SHBA-së në çështjen Dobbs kundër Organizatës së Shëndetit të Grave në Jackson, vendimi që shfuqizoi Ligjin Roe v. Wade, rasti historik i vitit 1973, që vendosi të drejtën kushtetuese për abortin. Ky arsyetim fillon me faktin e padiskutueshëm që Kushtetuta e SHBA-së nuk i referohet abortit dhe pretendimi ndoshta i diskutueshëm, por ende shumë i arsyeshëm, se e drejta për abort nuk është gjithashtu e vendosur në asnjë dispozitë kushtetuese, përfshirë klauzolën e procesit të rregullt ligjor të Amendamentit të Katërmbëdhjetë.

Arsyetimi prapa vendimit në Ligjin Roe për të hequr nga legjislaturat shtetërore fuqinë për të ndaluar abortin ishte qartësisht në terren të lëkundur. Gjyqtari Byron White kishte të drejtë: Vendimi i shumicës gjyqësore për rastin Roe, shkroi ai në opinionin e tij kundërshtues për këtë rast, ishte “ushtrim i pushtetit të papërvojë të gjyqësorit”.

Gjykata Supreme e ushtroi atë pushtet në mënyrën që u dha grave amerikane të drejtën ligjore që duhet ta kishin. Ligji Roe kurseu miliona gra nga shqetësimi për të çuar deri në fund shtatzëninë dhe për të lindur një fëmijë, të cilin ato nuk donin ta lindnin. Ligji uli ndjeshëm numrin e vdekjeve dhe lëndimeve gjatë shtatzënisë, kur nuk kishte ilaçe që në mënyrë të besueshme dhe të sigurt e nxitnin abortin. Gratë e dëshpëruara që nuk ishin në gjendje të bënin abortin e sigurt e të ligjshëm nga profesionistë mjekësorë të trajnuar siç duhet, përpiqeshin ta bënin vetë, ose do të shkonin te kryerësit e abortit në të zezën, shumë shpesh me pasoja të rënda dhe ndonjëherë fatale.

Megjithatë, asnjë nga këto nuk i jep përgjigje pyetjes së madhe: a duam që gjykatat apo legjislaturat të marrin vendime të tilla? Këtu jam dakord me gjyqtarin Samuel Alito, i cili, duke shkruar në emër të shumicës në rastin Dobbs, citon me miratim pikëpamjen e gjykatësit Antonin Scalia se: “Lejueshmëria e abortit dhe kufizimet mbi të duhet të zgjidhen si çështjet më të rëndësishme në demokracinë tonë: nga qytetarët që përpiqen të bindin njëri-tjetrin dhe më pas votojnë”.

Sigurisht, ka njëfarë ironie te shumica e Gjykatës Supreme që e thotë këtë një ditë pasi e rrëzoi ligjin e miratuar në formë demokratike nga shteti i New Yorkut, që kufizon përdorimin e armëve. Gjykata pa dyshim do të thoshte se, ndryshe nga aborti, Kushtetuta e SHBA-së thotë në mënyrë eksplicite se “e drejta e njerëzve për të mbajtur armë nuk duhet të cenohet”. Mirëpo kësaj fraze shumë të cituar i paraprin arsyetimi se “milicia e rregulluar mirë” është “e nevojshme për sigurinë e një shteti të lirë”. E drejta e supozuar e individëve për të mbajtur revole nuk ka absolutisht asnjë lidhje me sigurinë e Shteteve të Bashkuara, kështu që zbatimi i arsyeshëm i komentit të Scalias se si duhet të zgjidhet çështja e abortit do të kishte qenë lënia e çështjes së përdorimit të armëve te proceset demokratike.

Ekziston implikimi edhe më radikal i qëndrimit se gjykatat nuk duhet të marrin kompetenca që nuk janë të specifikuara në Kushtetutë: kompetenca e Gjykatës Supreme për të rrëzuar legjislacionin nuk është në Kushtetutë. Vetëm në vitin 1803, pesëmbëdhjetë vjet pas ratifikimit të Kushtetutës, kryegjykatësi John Marshall, në rastin Marbury kundër Madison, pohoi në mënyrë të njëanshme se Gjykata mund të përcaktojë kushtetutshmërinë e legjislacionit dhe të veprimeve të ndërmarra nga dega ekzekutive. Nëse ushtrimi i pushtetit të palejuar gjyqësor është mëkat, atëherë marrja e pushtetit gjyqësor nga Marshalli për të rrëzuar legjislacionin është mëkati origjinal i Gjykatës Supreme. Marbury e transformoi krejtësisht Ligjin e të Drejtave. Deklarata aspiruese e parimeve u bë dokument ligjor, rol për të cilin paqartësia e gjuhës e bën atë qartësisht të papërshtatshëm.

Padyshim që Gjykata Supreme e SHBA-së ka nxjerrë disa vendime pozitive dhe progresive. Brown kundër bordit të Arsimit, në të cilin Gjykata vendosi njëzëri se ndarja racore në shkollat ​​publike shkelte klauzolën e mbrojtjes së barabartë të Amendamentit të Katërmbëdhjetë, është ndoshta më kryesorja prej tyre. Por Gjykata gjithashtu ka dhënë vendime katastrofike, siç është vendimi i saj në rastin famëkeq Dred Scott, i cili thoshte se askush me prejardhje afrikane nuk mund të bëhej shtetas i SHBA-së dhe se skllevërit që kishin jetuar në një shtet të lirë ishin ende skllevër nëse ktheheshin në shtetin e skllevërve.

Së fundmi, në procesin gjyqësor të Citizens United kundër Komisionit Federal të Zgjedhjeve, Gjykata zhvlerësoi ligjet federale që kufizojnë donacionet politike, duke hapur kështu dyert për korporatat dhe organizatat e tjera për të derdhur para në fushatat e kandidatëve të tyre të favorizuar ose partive politike. Dhe vendimi për revolet duket se do t’u kushtojë me jetë shumë njerëzve të pafajshëm.

Vendimet e Gjykatës Supreme nuk mund të kthehen lehtësisht, edhe nëse bëhet e qartë se pasojat e tyre janë jashtëzakonisht negative. Heqja e vendimeve të legjislaturave për çështje të diskutueshme, si aborti dhe kontrolli i armëve, politizon gjykatat dhe i shtyn presidentët të përqendrohen në emërimin e gjyqtarëve që mund të mos jenë mendjet më të mira ligjore, por që do të mbështesin qëndrimin e veçantë për abortin, armët ose çështje të tjera shumë të rëndësishme.

Mësimi që mund të nxirret nga vendimet e Gjykatës për abortin, financat e fushatës dhe kontrollin e armëve është ky: Mos lejoni gjyqtarët e pazgjedhur të bëjnë më shumë sesa të zbatojnë kërkesat thelbësore të procesit demokratik. Në të gjithë botën, legjislaturat demokratike kanë miratuar ligje mbi abortin që janë aq liberale, ose më shumë, sesa kishte SHBA-ja përpara ndryshimit të Roe v. Wade. Nuk duhet të jetë befasi që këto demokraci kanë gjithashtu ligje shumë më të mira për financimin e fushatës dhe kontrollin e armëve sesa ka SHBA-ja tani.

(Peter Singer, profesor i Bioetikës në Universitetin e Princetonit, është themelues i organizatës bamirëse The Life You Can Save. Ai ka shkruar librat “Practical Ethics”, “The Life You Can Save”, “The Most Good You Can Do” dhe “Ehtics in the Real World”. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)