OpEd

Zhgënjimi nuk ka vend, sikur nuk kishte vend as festa nga e kaluara për liberalizim vizash

Nuk ka akoma nisje formale të procedurës për liberalizim vizash. Por asnjëherë heqja e vizave nuk ka qenë më afër. Asnjëherë deri më tash nuk ka ndodhur që në nivel aq të lartë, nga shumë shefa të shteteve të BE-së, të shprehet mbështetja e që askush të mos deklarohet kundër. Kjo mbështetje politike pritet të pasohet me nisje formale të procesit në Këshill, dhe diku nga fundi i vitit të hiqen vizat. Por Kosova, ndonëse nuk ka më kushte formale që duhet përmbushur, duhet të jetë e kujdesshme në vazhdim. Për këtë nevojitet një unitet edhe i skenës politike

Nuk e di se kush e ka krijuar pritjen se më 23 qershor Kosovës do t’i hiqen vizat. Në kërkim të paralajmërimeve të tilla nga ndonjë burim i besueshëm, e që ka ndikim apo informata për procesin, nuk gjetëm asnjë gjurmë për të ardhur në një konkludim se kjo ishte data se kur duhej të hiqeshin vizat. Për më tepër, rezulton që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ketë qenë i vetmi i cili kishte paralajmëruar se “tash pres që Prishtina të shpërblehet me liberalizimin e vizave dhe vetëm dua të shoh se si do ta arsyetojnë, të shpërblejnë ata që në dialog nuk kanë bërë asgjë”. Vuçiq këtë e kishte thënë në shënimin e përvjetorit të Betejës së Koshares. Po, asaj në Kosovë që festohet edhe nga kosovarët si fitore e lavdishme e UÇK-së.

Duke e ditur se sa dinak është Vuçiqi, nuk dyshojmë se e ka lëshuar me qëllim këtë kockë që me të të merren qytetarët e Kosovës dhe politikanët. Dinakëria e tij shihet në lidhjen e kësaj çështjeje me dialogun. E liberalizimi i vizave nuk është dhe nuk do të duhej në asnjë mënyrë të jetë i lidhur me dialogun. Sepse Serbia ka liberalizim vizash, dhe e ka marrë para se të niste dialogu. E përparimi në dialog është kusht për Kosovën dhe Serbinë për atë që quhet “rrugëtim përkatës evropian”, por jo për liberalizimin e vizave. Për këtë të fundit janë kushtet të cilat Kosova qysh para katër vjetësh i ka përmbushur.

Vuçiqi dinak i la shqiptarët të shprehen të zhgënjyer me Samitin e BE-së. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mënyrë impresive e kritikoi BE-në, duke u tallur me të. Duke e quajtur të sëmurë. Të vetmin mirëkuptim që shprehu Rama, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë, ishte ai për të mos bërë presion ndaj Serbisë që t’i mbështesë sanksionet ndaj Rusisë.

E derisa shqiptarët (edhe ata të Kosovës) shprehin zhgënjim me Samitin e BE-së, Vuçiqi me qetësinë e tij teatrale deklaronte se ai nuk është i zhgënjyer, sepse “nuk ka pritur asgjë”.

Vuçiqi dhe mediat e tij këtë samit e paraqitën kësaj radhe si një betejë të liderit të Serbisë kundër kroatëve. Po, Vuçiqi sa herë shkon diku krijon qëllimisht përshtypjen se po shkon në një betejë të radhës për Serbinë ku ai, gjithsesi, “do të fitojë”. Tradicionalisht “armiq” në këto “beteja” janë Kosova dhe Kroacia, aty-këtu Mali i Zi. Sepse me Shqipërinë, Serbia i ka “raportet më të mira në histori”: kjo mbase u konfirmua edhe kësaj here në Bruksel.

Ja titujt kryesorë të mediave të Serbisë rreth Samitit: “Vuçiqi i fundos gazetarët kroatë”. “Gënjeshtarët ustash: Vuçiqi nuk përplaset me askënd - mbron Serbinë”. “Vuçiqi shkatërron mediat kroate në Bruksel”. Në tekste shkruhej se si mediat kroate dhe gazetarët nga ky shtet në Bruksel, që në pezhorativ fyhen si “ushash”, “ia kanë bërë një pritë Vuçiqit në Bruksel. E kanë sulmuar, por ai ka dalë fitimtar duke i shkatërruar”. E në fakt krejt çfarë kanë bërë dy kolege nga Kroacia është se, duke përcjellë ardhjen e liderëve në Samit, ia kanë bërë dy pyetje Vuçiqit: “A do ta njihni pavarësinë e Kosovës, pasi kjo është përmendur si kusht nga kancelari gjerman” dhe “A do të mbështesni sanksionet ndaj Rusisë, dhe si e komentoni deklaratën e kryeministrit të Kroacisë se Serbia nuk mund të ulet në dy ulëse”.

Dhe në fund, pos “fitores madhështore të Vuçiqit ndaj kroatëve në betejën e Brukselit”, mediat në Serbi dalin edhe me këtë titull: “Mediat në Shqipëri përcjellin përgjigjen e Vuçiqit dhënë kroatëve në pyetjen se a do ta njohë Kosovën: Jo! As mos t’u shkon mendja”. Pas këtij titulli konstatojnë se “kjo është një dëshmi e qartë se mediat në Shqipëri me kujdes ndjekin fjalët e Vuçiqit, dhe se Serbinë dhe presidentin e saj e njohin si lider të rajonit!”.

Këta tituj dominonin skenën mediale në Serbi përderisa të gjitha mediat në pjesën tjetër të Evropës merreshin me përmbajtjen e Samitit. Vuçiqi qëllimisht kështu devijoi debatin nga fakti se ai në Bruksel dëgjonte kërkesa për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe për të bërë progres në normalizimin e raporteve me Kosovën. Kjo e fundit u përshi edhe në konkluzionet e Samitit.

E Vuçiqi edhe në konferencë për shtyp tha se “Prishtina nuk mori datë për liberalizimin e vizave”. U bë sikur për këtë po i vinte keq.

Në Samit, rreth liberalizimit të vizave ndodhi pikërisht ajo që pritej. Ajo që pritej nga njerëzit racionalë e jo nga ata që mendojnë se vendimet në Bruksel merren brenda natës, apo ata që me qëllim shtrembërojnë faktet për qëllime të manipulimit.

Pritej që nga niveli më i lartë të shprehej mbështetje për liberalizim vizash. Dhe kjo ndodhi. Mbështetje u shpreh nga niveli më i lartë. Siç kemi mësuar nga disa liderë, në takim është përmendur nevoja që “të ecet drejt liberalizimit të vizave për Kosovën”. Këtë mësohet se e kanë përmendur kancelari gjerman, kryeministrat e Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë e shumë e shumë vendeve të tjera. E ka përmendur madje edhe publikisht kryeministri i Holandës, ndonëse duke dhënë vërejtjen se “akoma nuk jemi në momentin e heqjes së vizave”. Por askush nuk është shprehur kundër.

Dikush ka pritur që kjo të përmendej edhe në konkluzionet e Samitit. Por kjo asnjëherë nuk ishte përmendur si propozim. Në asnjë nga dhjetëra drafte që kemi parë nuk ishte propozuar një gjë e tillë. Ndoshta do të ishte mirë sikur të ishte përmendur, por edhe nëse nuk është përmendur nuk prish punë. BE-ja vepron në bazë të vullnetit politik. Tash duket se është krijuar një vullnet politik, në nivelin më të lartë që të liberalizohen vizat.

Nuk ka akoma nisje formale të procedurës për liberalizim vizash. Por asnjëherë heqja e vizave nuk ka qenë më afër. Kjo mbështetje politike pritet të pasohet me nisje formale të procesit në Këshill dhe, diku nga fundi i vitit, të hiqen vizat. Por Kosova, ndonëse nuk ka më kushte formale që duhet përmbushur, duhet të jetë e kujdesshme në vazhdim. Për këtë nevojitet një unitet edhe i skenës politike.

Procesi i liberalizimit të vizave ka zgjatur aq shumë, kosovarët janë zhgënjyer dhe manipuluar aq shumë, në këtë proces kanë marrë pjesë aq shumë politikanë, saqë askush nuk ka të drejtë, e as nevojë, që të drejtojë gishtin ndaj dikujt tjetër për ta fajësuar për dështim.

Qytetarët nuk i kanë harruar të gjitha ato “urimet” për heqjen e vizave. Nuk i kanë harruar të gjitha ato “garancitë nga niveli më i lartë në Bruksel” për heqjen e vizave në vitin 2012, 2013, deri në Krishtlindje të vitit 2014, më së largu deri në vitin 2016, në verën e vitit 2017, me siguri para fundit të 2018-s e kështu me radhë.

Ata që dikur manipulonin qytetarët, me qëllim apo nga naiviteti dhe mosnjohja e funksionimit të BE-së, tash flasin për “dështim”. Sot Qeveria e Kosovës dhe presidentja bëjnë mirë që nuk japin garanci dhe nuk krijojnë eufori. Sepse nuk janë ata nga të cilët varet liberalizimi.

Manipulohet edhe kur thuhet se ata që bllokuan ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi “e lanë Kosovën pa liberalizim”. Dhe këtu qëllimisht përmenden vetëm ata liderë politikë që sot janë në pushtet e që ishin kundër, e jo ata që janë në opozitë dhe që ishin edhe më shumë kundër kësaj marrëveshjeje.

Franca dhe Holanda nuk e kanë pasur asnjëherë brengën për Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit Kosovë – Mal i Zi sa i përket liberalizimit të vizave. Kanë pasur disa halle të tjera. Ato halle ndërkohë janë adresuar edhe në bashkëpunim të tyre me autoritetet e Kosovës, edhe në takime në nivel të lartë nga miqtë e Kosovës, së fundi shquhet në këtë drejtim Gjermania.

I vetmi person në historinë e BE-së që kishte premtuar se “sa të ratifikohet Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do të pasojë heqja e menjëhershme e vizave” ishte ish- përfaqësuesja e lartë Federika Mogherini. Ajo deklaratë është aq e pavend dhe joprofesionale, manipuluese dhe qëllimkeqe, saqë në BE janë munduar ta mohojnë se Mogherini e kishte thënë ndonjëherë një gjë të tillë. Por kolegia nga RTK-ja, Gjeraqina Tuhina, autore e intervistës ku Mogherini e kishte dhënë një premtim të tillë, i përballi me faktin se e ka akoma incizimin si dëshmi.

E, e vërteta është se Mogherini nuk ka rol në procesin e vendimit në Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave. Se ky ishte një mashtrim u pa edhe nga fakti se vizat nuk u hoqën as pasi në Kuvendin e Kosovës u ratifikua Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Tash mund të thuhet se “u humb momentumi”, që është një narracion të cilin e kishin nisur në Kosovë dhe disa diplomatë të BE-së, që donin të arsyetoheshin pse nuk ndodhi liberalizimi pas ratifikimit të Marrëveshjes, pasi nuk pati më kushte të papërmbushura nga Kosova.

Durim, kujdes dhe optimizëm do të ishin tri fjalët që kësaj radhe do t’i shkonin si përshkrim situatës aktuale rreth liberalizimit të vizave. Asnjëherë gjasat nuk kanë qenë më të mëdha, por sikur as më herët, as tash garanci nuk ka. Ndërkohë, duhet të priten paralajmërime nga BE-ja dhe nga vendet anëtare e jo nga presidenti i Serbisë. Edhe për serbët e Kosovës, liberalizimi do të ishte një gjë e madhe, pasi edhe ata, nëse jetojnë në Kosovë dhe nuk kanë adresa të rrejshme në Serbi, nuk mund të udhëtojnë pa viza, edhe nëse kanë pasaporta të Serbisë. Pra, fakti se Kosova nuk ka liberalizim është një fatkeqësi për të gjithë qytetarët e saj dhe po, duhet thënë, një turp për BE-në. Por siç thotë populli “më mirë vonë se kurrë”.