OpEd

Kthimi i çmimeve të larta të naftës në fitore për amvisëritë amerikane

Për 40 vjet, nga viti 1975 deri në vitin 2015, SHBA-ja ndaloi krejt eksportet e naftës. Kjo me sa duket u konsiderua kushtetuese, edhe pse ndalimi i eksporteve është si të vendosësh një taksë eksporti me një normë pafundësie. Por thjesht, rivendosja e ndalimit të eksportit mund të bëjë që fitimet e kompanive amerikane të naftës të bien nën nivelet e paraluftës

Shtetet e Bashkuara eksportojnë më shumë naftë sesa importojnë. Si rezultat, vendi në tërësi përfiton nga rritja e fundit e çmimeve globale të naftës. Mirëpo amvisëritë amerikane mendojnë se janë dëmtuar nga çmimet më të larta, sepse të gjitha përfitimet kanë shkuar për kompanitë amerikane të naftës dhe për aksionarët e tyre. Asnjë përpjekje nuk është bërë për të shpërndarë ndonjë pjesë të të ardhurave për familjet amerikane, ani pse çmimet më të larta të energjisë sot janë kryesisht rezultat i veprimit të udhëhequr nga Qeveria amerikane - sanksionet ndaj Rusisë pas pushtimit të saj të Ukrainës.

SHBA-ja nuk po përballet as me mungesë të prodhimit të naftës dhe as me ngritje të papritur të kërkesës. Në vend të kësaj, rritja e çmimeve të energjisë që nga fundi i shkurtit ka përkuar me rritjen masive të eksporteve të naftës në SHBA. Llogaritur nga të dhënat e Qeverisë amerikane, eksportet neto të naftës në SHBA në maj të vitit 2022 arritën në 3.9 milionë fuçi në ditë, që përfaqëson rritje të madhe prej 45 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Rritja e të ardhurave nga dollari amerikan është edhe më e madhe duke pasur parasysh rritjen prej 76 për qind të çmimeve në të njëjtën periudhë.

Ekziston politika që mund t'i rehatojë familjet amerikane. Nëse SHBA-ja do të vendoste taksën prej 45 për qind mbi eksportet e saj të naftës, do të rriste shitjen e brendshme të naftës dhe do të ulte çmimin e energjisë në SHBA me 40-45%, duke përfshirë rënien e çmimit të benzinës nga niveli aktual prej rreth 5 dollarë për galon në më pak se 3 dollarë. Nëse Qeveria do të shpërndante të ardhurat nga taksat e eksportit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ato do të përfitonin akoma më shumë. Kompanitë e naftës do të vazhdonin të fitonin më shumë para sesa para luftës, jo aq sa fitojnë tani.

Taksa e eksportit do të rriste gjithashtu efektivitetin e lirimit të naftës nga Rezerva Strategjike e Naftës së SHBA-së. Që nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, Qeveria amerikane ka deklaruar se do të lëshojë rreth 45 milionë fuçi naftë, duke filluar nga gushti. Por, çuditërisht, kjo nuk ka pasur asnjë efekt të dukshëm në çmimet e brendshme të energjisë. Në mungesë të taksës së eksportit, kompanitë amerikane të naftës thjesht do të ulin shitjet e tyre të brendshme me të njëjtën sasi dhe do të eksportojnë më shumë. Por me taksën e eksportit – norma e saktë mund të rritet, në varësi të sasisë së naftës që çlirohet nga rezerva – çmimet e benzinës vendëse dhe të energjisë mund të bien më tej.

Administrata amerikane përballet me tri pengesa të mundshme për një politikë të tillë: politika e brendshme, Kushtetuta e SHBA-së dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Por këto kufizime nuk janë të pakapërcyeshme.

Teksa administrata e Bidenit mund t'i frikësohet sulmit nga Partia Republikane për miratimin e politikave “radikale socialiste”, ose nga grupet mjedisore për minimin e premtimit të saj për veprimet klimatike, ka gjithashtu një argument politik në drejtim të kundërt. Shumë familje amerikane aktualisht fajësojnë administratën për dështimin për të adresuar rritjen e çmimeve, shqetësimin e tyre ekonomik numër një. Shumë nuk e blejnë argumentin e Bidenit se presidenti rus Vladimir Putin është i vetmi fajtor për çmimet më të larta të energjisë, sepse furnizimet globale nuk do të kishin rënë pa sanksionet e udhëhequra nga SHBA-ja ndaj Rusisë. Një taksë mbi eksportet e naftës do të lejonte administratën të ruante sanksionet pa u kërkuar familjeve amerikane të sakrifikojnë standardet e tyre të jetesës.

Kufizimi i dytë vjen nga Kushtetuta e SHBA-së, e cila thotë se “nuk do të vendoset asnjë taksë ose detyrim për artikujt e eksportuar nga asnjë shtet”. Por nëse një taksë e eksportit është e dëshirueshme shoqërisht, a ka ndonjë mënyrë për të futur diçka që avokatët nuk do ta quajnë taksë eksporti, por është funksionalisht e ngjashme?

Për 40 vjet, nga viti 1975 deri në vitin 2015, SHBA-ja ndaloi krejt eksportet e naftës. Kjo me sa duket u konsiderua kushtetuese, edhe pse ndalimi i eksporteve është si të vendosësh një taksë eksporti me një normë pafundësie. Por thjesht rivendosja e ndalimit të eksportit mund të bëjë që fitimet e kompanive amerikane të naftës të bien nën nivelet e para luftës. Këto kompani, me fuqinë e tyre të fortë lobuese, me siguri do të pretendonin dëmtime nga ndalimi.

Një alternativë më premtuese do të ishte politika dypjesëshe që ndalon kompanitë dhe rafineritë amerikane të naftës të eksportojnë ndonjë nga prodhimet e tyre ekzistuese, por u lejon atyre të eksportojnë një përqindje të caktuar të prodhimit shtesë mbi nivelin e para luftës. Rritja e prodhimit mund të vijë nga nxjerrja shtesë. Meqenëse administrata është ankuar për firmat amerikane të naftës që nuk përdorin rreth 9 mijë leje të miratuara shpimi, ajo mund të modifikojë kushtet e lejeve për ta “përdorur ose humbur atë”.

Për më tepër, për shkak se SHBA-ja ende importon disa produkte nafte, kjo politikë në fakt do të rriste ofertën e brendshme dhe si rrjedhim do të ulte çmimet e brendshme të energjisë (përfshirë çmimet e stacioneve të benzinës) për të qenë nën nivelin e para luftës. E rëndësishmja, fitimet e kompanive të naftës do të mbeten mbi nivelet e paraluftës.

Politika me dy pjesë është superiore ndaj taksës së përkohshme të papritur të stilit të Mbretërisë së Bashkuar, e cila redukton fitimin në rritje nga një fuçi shtesë nafte e prodhuar dhe kështu nxit dekurajim për kompanitë e naftës për të investuar dhe prodhuar. Me qasjen me dy pjesë, në të kundërt, fitimi në rritje nga prodhimi i një fuçie shtesë është ende çmimi botëror i naftës dhe rritet një për një me të.

Së fundmi, rregullat e OBT-së i kundërshtojnë vendet që vendosin ndalime eksporti. Shtetet e Bashkuara mund të konsiderojnë njëkohësisht heqjen e tarifave të ish-presidentit Donald Trump për importet kineze – të cilat u shpallën të paligjshme nga një panel i OBT-së në vitin 2020 dhe kanë rritur koston e jetesës për familjet amerikane – dhe zbatimin e politikës së naftës me dy pjesë. Nuk do të kishte rritje neto të shkeljeve të rregullave të OBT-së nga SHBA-ja. Dhe duke pasur parasysh ndalimin e mëparshëm të gjatë të eksporteve të Amerikës, politika e re nuk do të krijonte precedent në politikën tregtare të SHBA-së.

Për pjesën tjetër të botës, kjo skemë do të rriste çmimet e energjisë. Por SHBA-ja mund dhe duhet të ndihmojë në rritjen e ofertës globale të naftës në mënyrë më agresive duke përdorur ndikimin e saj të konsiderueshëm me prodhuesit kryesorë në Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Si përmbledhje, përfitimet për SHBA-në nga sanksionet e saj ndaj Rusisë nuk duhet t’i shfrytëzojnë vetëm disa kompani të naftës dhe aksionarët e tyre. Politika dypjesëshe që lejon eksportet vetëm nga prodhimi i ri në rritje, së bashku me çlirimet shtesë të naftës nga Rezerva Strategjike e Naftës, mund t'i kthejë amvisëritë amerikane nga humbëse në fituese.

(Shang-Jin Wei, ish-kryeekonomist në Bankën Aziatike për Zhvillim, është profesor i financës dhe ekonomisë në Shkollën e Biznesit Columbia dhe në Shkollën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)