OpEd

Energjia e gjelbër të bëhet e sigurt për komunitetet pastorale

E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është nëpërmjet procesit transparent, gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës në të cilin komunitetet pastorale luajnë një rol qendror. Zbatimi më i sertë i parimeve të të drejtave të njeriut, si FPIC dhe sistemet më të fuqishme ligjore për njohjen e të drejtave të tokës së përbashkët duhet të jenë gjithashtu komponentë thelbësorë të projekteve të energjisë së gjelbër. Duke dështuar në këtë, një numër përherë më i madh i komuniteteve pastorale do të humbin tokat e tyre karshi kompanive të mëdha të energjisë së ripërtëritshme, duke rezultuar në rritjen e varfërisë, migrimit, mungesës së shpresës dhe konfliktit. Ky do të ishte kulmi i padrejtësisë klimatike

Komunitetet pastorale jetojnë prej tokës. Në Keninë veriore, ku jam rritur, kemi kultivuar raca vendore të bagëtive, të cilat kullosnin në toka të thata. Por toka jonë është më shumë se baza e jetesës sonë; ajo i ngërthen gjithashtu kulturën dhe identitetin tonë. Siç e thotë edhe parimi lokal: “Këtu janë varrosur kordonët tanë të kërthizës”. Nëse ky kordon pritet – nëse komunitetet tona shkëputen prej tokës – tradita na e thotë se nuk mund të mbijetojmë.

Institucionet në Kenia, prej shkollës deri në Qeveri, kanë pikëpamje ndryshe. Shkollat ​​mësojnë se komunitetet pastorale jetojnë në djerrina shterpe e joproduktive, dhe se qasja jonë karshi kultivimit të bagëtive është arkaike dhe shkatërruese për mjedisin. Politikat zyrtare synojnë që t'i shtrëngojnë komunitetet pastorale ta braktisin sistemin e tyre të prodhimit të lëvizshëm blegtoral, në favor të sistemeve bujqësore më “të avancuara” ose më “moderne”, si mbjellja që, bazuar në mençurinë konvencionale, është më produktive dhe më e qëndrueshme.

Vetëm pas angazhimit tim në studime pasuniversitare hasa në dëshmi të besueshme për të kundërtën. Doli se komuniteti im në Keninë veriore ka pasur të drejtë tërë kohës: praktikat blegtorale janë më se të përshtatura me kushtet e thata të tokës dhe blegtoria është një opsion i zbatueshëm i përdorimit të tokës që mund ta bëjë të qëndrueshëm përdorimin e burimeve të shpërndara.

Mjerisht, mësova gjithashtu se paragjykimi ndaj sistemeve baritore është i përhapur. Dhe logjika thellësisht e gabuar që qëndron në themel të këtij paragjykimi vazhdon të ndikojë në vendimet rreth përdorimit të tokës, përfshirë vendimin për të lejuar që tokat të përvetësohen për projekte të energjisë së gjelbër.

Është e lehtë të kuptohet se përse prodhuesit e energjisë së gjelbër ua kanë vënë syrin tokave vargmalore, të cilat ata gabueshëm i kualifikojnë si “djerrina”. Për shkak se vargmalet janë konsiderueshëm të sheshta dhe priren të përjetojnë shkallë të lartë ndriçimi diellor si dhe erëra të forta, ato janë vende të përkryera për projekte të lira dhe fitimprurëse – për projektet e energjisë diellore dhe të erës. Kjo ndikon që tokat vargmalore të jenë pak të populluara. Ndonëse banorët lokalë rëndom u rezistojnë zhvillimit të fermave diellore dhe me erë, komunitetet pastorale kanë kapacitete më të pakta për t’i sfiduar autoritetet krahasuar me banorët më të pasur dhe më të shumtë të zonave urbane.

Fuqia e komuniteteve pastorale për t’i mbrojtur interesat e tyre zvogëlohet edhe më shumë nga përjashtimi i tyre i shpeshtë nga proceset përkatëse të vendimmarrjes. Në Keni, Indi, Marok dhe në Norvegji, projektet në shkallë të gjerë të energjisë së gjelbër janë zbatuar në tokat e përdorura prej komuniteteve pastorale, pa konsultim adekuat me këto grupe dhe me respektim të kufizuar për parimin e pëlqimit të lirë, paraprak dhe të informuar (FPIC), në bazë të marrëveshjeve botërore për të drejtat e njeriut.

Sipas parimeve të FPIC-së, komunitetet indigjene dhe pastorale kanë të drejtë që të japin ose të mos japin pëlqim për një projekt që mund të ndikojë tek ata apo te territoret e tyre. Por, komuniteteve tradicionale pastorale rëndom u mungojnë titujt e njohur ligjërisht mbi tokën e tyre të përbashkët të kullotës, e cila supozohet se mbahet nga shteti “në mirëbesim” për qytetarët e tij. Por shtetet rëndom zgjedhin që të mos i respektojnë të drejtat tradicionale të tokës, edhe nëse kjo e nënkupton shkeljen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Pra, aty ku ndërtohen ferma diellore, komunitetet pastorale e humbin qasjen në kullota. Fermat me erë ndërhyjnë më pak në kullotje, porse shpesh konsiderohet nga komunitetet pastorale si shkelje e të drejtave të tyre për tokë dhe kulturë.

Në fakt, siç kemi treguar unë dhe kolegia ime, Ann Waters-Bayer, në një studim të fundit, projektet e energjisë së gjelbër kanë shpjerë në shpronësim të tokës dhe të energjisë, në ndërhyrje të shtigjeve të migrimit të bagëtive, në prishje të kulturave baritore dhe në humbjen e qëndrueshmërisë së sistemit pastoral të përdorimit të tokës.

Komunitetet pastorale janë munduar që të rezistojnë - ndonjëherë me dhunë, ndonjëherë nëpërmjet gjykatave. Në dy raste – një në Kenia dhe një në Norvegji – gjykatat kanë vendosur se procesi i përvetësimit të tokës ka qenë i paligjshëm. Por, në që të dyja rastet, turbinat e erës ende po rrokullisen, duke e nxjerrë në pah betejën e vështirë që komunitetet pastorale duhet që ta zhvillojnë për t’i mbrojtur tokat, kulturat dhe jetesën e tyre.

Ekzistojnë modele më të mira për menaxhimin e tokave në të cilat mbështeten komunitetet pastorale. Në Mongoli, konsultime efektive me komunitetet lokale nënkuptojnë se shqetësimet e banorëve lokalë rreth vendosjes së fermave diellore janë marrë parasysh gjatë hartimit të projektit, me ç’rast barinjtë kanë siguruar qasje të plotë në kullotën nën turbinat e erës dhe linjat e energjisë elektrike. Sistemet baritore kësisoj nuk janë penguar fare. Në Kanada, Kenia dhe në Meksikë ka projekte të energjisë së gjelbër që u sjellin përfitime komuniteteve lokale nëpërmjet ndarjes së të ardhurave.

Modelet e këtilla nuk mund të zbatohen shumë shpejt, ngase bota është duke u përballur me një shpërthim të mundshëm të “rrëmbimit të gjelbër” për ekspansion të energjisë.

Lufta në Ukrainë ka kontribuar në rritjen globale të çmimeve të energjisë dhe i ka detyruar disa vende evropiane që të kërkojnë alternativa për naftën dhe gazin rus. Bashkë me presionin për të shënuar përparim drejt përmbushjen e zotimit për zero emetime, shtytja për ta zgjeruar prodhimin e energjisë së gjelbër është më e fortë se kurrë më parë. “Djerrinat” që janë me diell e të rrahura nga era i thajnë tropikët dhe nëntropikët kurrë nuk kanë qenë komercialisht tërheqëse.

Qartazi, ekspansioni i energjisë së gjelbër është qenësor. Projektet e energjisë së gjelbër mund madje ta përmirësojnë mirëqenien e kafshëve, siç me anë të sigurimit të hijes. Çështja varet nga hartimi: zhvilluesit duhet të përqafojnë qasje shumëfunksionale të përdorimit të tokës që i integron bujqësinë, blegtorinë, mbrojtjen e biodiversitetit, aktivitetet sociale dhe ekonomike rurale si dhe prodhimin e energjisë.

E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është nëpërmjet procesit transparent, gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës në të cilin komunitetet pastorale luajnë një rol qendror. Zbatimi më i sertë i parimeve të të drejtave të njeriut, si FPIC dhe sistemet më të fuqishme ligjore për njohjen e të drejtave të tokës së përbashkët duhet të jenë gjithashtu komponentë thelbësorë të projekteve të energjisë së gjelbër.

Duke dështuar në këtë, një numër përherë më i madh i komuniteteve pastorale do të humbin tokat e tyre karshi kompanive të mëdha të energjisë së ripërtëritshme, duke rezultuar në rritjen e varfërisë, migrimit, mungesës së shpresës dhe konfliktit. Ky do të ishte kulmi i padrejtësisë klimatike.

(Hussein Tadicha Wario është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim në Drylands në Marsabit të Kenisë. Vështrimi është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).