Qasja e plotë dhe adekuate në drejtësi mbetet një nga parimet fundamentale për funksionimin e mirëfilltë të shtetit ligjor. Në Kosovë, sfidat dhe problemet që hasin qytetarët për t’iu qasur institucioneve të drejtësisë mbesin të mëdha, duke nisur që nga mungesa e llogaridhënies, transparencës, e deri tek efikasiteti i këtyre institucioneve për të siguruar një të drejtë të tillë themelore.
Dokumente të shumta ndërkombëtare, përfshirë Listën e Kontrollit të Sundimit të Ligjit të Komisionit të Venecias (tutje: Lista), paracaktojnë qartë standardet e qasjes në drejtësi sikurse pavarësinë, paanshmërinë, gjykimin e drejtë dhe drejtësinë kushtetuese. Standardet e tilla si ato të Komisionit të Venecias duhet t’u shërbejnë institucioneve të Kosovës për të përmirësuar në vazhdimësi mangësitë legjislative, por më e rëndësishmja, zbatimin praktik të kornizës ligjore aktuale. Përtej nivelit kombëtar, kjo bëhet ende më e rëndësishme marrë parasysh aspiratat e vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian, e së fundmi edhe iniciativën e shtetit tonë për t’iu bashkëngjitur Këshillit të Evropës. Kjo për dy arsye. E para për faktin që vetë Komisioni i Venecias është trup këshillues i këtij institucioni, dhe e dyta, mundësia që qasja në drejtësi të zgjerohet edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për qytetarët tanë, e cila arrihet vetëm me anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.
Një segment shumë i rëndësishëm i qasjes në drejtësi sipas Listës së Komisionit të Venecias është gjykimi i drejtë. Korniza ligjore e tanishme, duke filluar nga Kushtetuta e Kosovës, garanton të drejtën e çdo individi për të sfiduar çfarëdo veprimi që cenon të drejtat dhe liritë e tyre themelore. Megjithatë, shumë shpesh, qasja e mirëfilltë në drejtësi dhe gjykim të drejtë kufizohet dhe vështirësohet nga mungesa e efikasitetit dhe profesionalizmit të institucioneve përkatëse, ku gjykatat ballafaqohen në mënyrë konstante me numër të madh të lëndëve të pazgjidhura, si dhe me tejzgjatje të proceseve gjyqësore përtej çdo arsyeshmërie të pritshme.
Një sistem funksional i drejtësisë duhet t’u mundësojë të gjithëve qasje të barabartë në të gjitha mjetet juridike ekzistuese për t’iu siguruar përfaqësim ligjor të denjë, përfshirë shërbimet që ofrohen falas e që janë të garantuara me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, në praktikë qytetarët hasin në sfida të ndryshme sa i përket së drejtës për përfaqësim ligjor dhe gjykim të drejtë. Madje, këto sfida sa vijnë e thellohen për grupet e margjinalizuara të cilat vazhdimisht hasin në probleme të shumta dhe diskriminim sistematik. Për ta ilustruar këtë, më duhet të përmend rastin e një minoreni 11-vjeçar (K.V), i cili në korrik të vitit 2019 u gjet i vrarë në Fushë-Kosovë, rast ky që u karakterizua me shkelje flagrante dhe dështim të shtetit për mbrojtjen e jetës së qytetarit për shkak të reagimit të vonshëm të institucioneve. Ky rast shpërfaqi problemet e thella që mbesin evidente brenda sektorit, sidomos tek organet e hetuesisë, të cilët ishin të vetëdijshëm për rrezikun e vazhdueshëm me të cilin përballej viktima e mitur që vinte nga radhët e minoriteteve. Raste të tilla potencialisht ekzistojnë edhe sot dhe mundësia e përsëritjes është reale.
E si mund të flasim për qasje efektive në drejtësi, nëse nuk diskutojmë për pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial? Të dyja këto janë shtylla kyç të cilat ndikojnë direkt, si në besimin qytetar kundrejt institucioneve e po ashtu edhe janë garanci që çdo individi do t’i mundësohet mbrojtja e të drejtave dhe interesave të ligjshme në mënyrë efektive. Se mungesa e pavarësisë dhe paanshmërisë është karakteristikë e kamotshme e këtij sektori, kjo nuk do shumë hamendësim. Mekanizma të ndryshëm vlerësues vendorë e ndërkombëtarë theksojnë në mënyrë të vazhdueshme problemet e akumuluara brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial e të cilat vazhdimisht kanë të bëjnë me ndikim politik, grumbullim të lëndëve, mungesë llogaridhënie, transparence dhe profesionalizmi. Disa herë radhazi, qytetarët kanë qenë dëshmitar të drejtësisë selektive, ku rastet të cilat përfshijnë figura të larta politike përfundojnë me aktgjykime liruese apo refuzuese, ose lëndët parashkruhen qëllimshëm në mënyrë që të njëjtat as të mos gjykohen. Të tilla fenomene negative kanë përcjellë dhe vazhdojnë ende ta përcjellin sistemin e drejtësisë në Kosovë, dhe një qytetar i cili ballafaqohet me drejtësinë vështirë se mund të besoj për një qasje efektive dhe të plotë e aq më pak për gjykim të drejtë. Shumicën e kohës ata vrapojnë nga viti në vit për të kërkuar drejtësi, e në shumë raste 1 vit shndërrohet në 5,8,10... e ndoshta edhe më shumë, deri kur beteja për drejtësi më nuk bën sens për ta.
Një vlerësim i bërë së fundmi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tregon se në fushën e Qasjes në Drejtësi në kuadër të Listës së Komisionit të Venecias, në periudhën nëntor 2021 – prill 2022, Kosova ka shënuar një rënie të moderuar krahasuar me raportin e kaluar të vlerësimit. Me saktë, për periudhën e fundit Kosova ka rënë për 0.5 pikë, ose nga 40 pikë në 39.5 pikë në total. Sipas këtij vlerësimi, kjo ka ndodhur si pasojë e dy arsyeve. Së pari, për shkak të vonesave të shpalljes së aktgjykimeve, shumica e të cilave janë shpallur me vonesa të dukshme gjatë kësaj periudhe. Së dyti, sipas Indeksit të Performancës së Institucioneve të Drejtësisë (RoLPIK) – Edicioni i Shtatë, perceptimi qytetar karshi performancës së institucioneve të drejtësisë tregon që 60% e të anketuarve konsiderojnë që institucionet e drejtësisë ende mbesin thellë të ndikuara nga politika, duke nisur nga gjykatat dhe pasuar nga prokuroria, si dy institucionet kyç përgjegjëse për të siguruar sundimin e mirëfilltë të ligjit në vend.
Në gjithë këtë situatë të komplikuar duhet përmendur disa zhvillime pozitive, të cilat megjithatë do të ndikojnë direkt në përmirësimin e qasjes në drejtësi, përkatësisht në rritjen e nivelit të transparencës, por që të njëjtat duhet të monitorohen dhe fuqizohen në të ardhmen. Një raport vlerësimi i Drejtësia Sot, platformë kjo që monitoron sektorin e drejtësisë, tregon se që nga gjysma e vitit 2021 Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka marrë vendim që të gjitha mbledhjet e këtij institucioni të transmetohen drejtpërdrejt në uebfaqen zyrtare dhe rrjetet sociale të këtij institucioni. Një vendim i tillë duhet të përgëzohet dhe të ndiqet edhe nga institucionet e tjera, sepse si rezultat i këtij vendimi qytetarët mund të ndjekin të gjitha mbledhjet dhe informohen në kohë reale për çdo gjë. Ngjashëm, duhet vlerësuar pozitivisht edhe praktika e konsultimeve publike e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me draftimin e akteve nënligjore që rregullojnë funksionimin e këtij këshilli, sepse një gjë e tillë mundëson një qasje gjithëpërfshirëse me qëllim përmirësimin e tyre, që shpeshherë mungon në Kosovë.
Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, sfidat janë të shumta dhe mbetet ende rrugë e gjatë për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie të plotë të institucioneve të drejtësisë, si dhe rritje të efikasitetit të tyre. Qasja në drejtësi dhe gjykimi i drejtë mbesin parakusht për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit dhe shoqërisë në përgjithësi, e mbi të gjitha të garantimit dhe mbrojtjes efektive të lirive dhe të drejtave të njeriut. Kur këto elemente sigurohen në praktikë, të njëjtat duhet të promovohen vazhdueshëm nga institucionet publike, shoqëria civile e mediat.
(Ky publikim është pjesë e projektit me titull "Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Autorja e shkrimit është Menaxhere e Programeve të GLPS-së)