Vështrime

Pamje të shëmtuara nga Peja

Fakti që nxënësit e komuniteteve pakicë vijnë për të përcjellë një aktivitet si "Festa e Abetares", tregon për kureshtjen e tyre të shëndoshë. Autoritetet arsimore apo politike mund të japin arsyetime të ndryshme për veçimin fizik të këtyre nxënësve, por ato s'pinë ujë. Autoritetet duhet të kujdesen që këso shëmtish të mos ndodhin më.

U shënua në Pejë "Festa e Abetares". U paralajmërua si festë për nxënësit nga "të gjitha viset shqiptare". Festa u quajt madhështore. U celebrua patriotizmi shqiptar, rënia e mureve ndarëse mes Kosovës e Shqipërisë dhe ndërtimi i shtigjeve të bashkëpunimit. Ministrja e Arsimit e Kosovës uroi festën, po ashtu edhe kryetari i Pejës, ndërsa një drejtor arsimi i një bashkie në Shqipëri tha se "këta fëmijë janë liderët e së ardhmes të cilët mund të bëjnë realitet ëndrrën shqiptare për bashkim kombëtar". Një prognozë modeste!

Gjithë ceremonia në Pejë la një shije të hidhur për shkak se nxënësit e komuniteteve pakicë ngjarjen e shikuan nga tribuna, duke u lënë anash nga organizatorët. Ka arsyetime të ndryshme pse ndodhi kjo. Një mësuese thotë se kjo paskësh qenë "dëshirë" e nxënësve (vështirë e besueshme). Drejtori i shkollës në Pejë tha se nxënësit e komuniteteve nuk i takojnë klasës së parë dhe erdhën vetëm për ta parë programin. Edhe nëse kjo është e vërtetë, është dashur që gjatë një feste të tillë pedagogët të sillen si pedagogë dhe të kenë qasje inkluzive dhe jo përjashtuese ndaj nxënësve. Nuk është rregull i hekurt që në këtë festë të marrin pjesë vetëm nxënësit e klasës së parë. Fakti që nxënësit e komuniteteve pakicë vijnë për të përcjellë një aktivitet të tillë, tregon për kureshtjen e tyre të shëndoshë. Autoritetet arsimore apo politike mund të japin arsyetime të ndryshme, por ekziston vetëm një emër për skandalin në Pejë: turp! Dhe do të ishte mirë nëse autoritetet përkatëse nxjerrin mësime nga kjo ngjarje e shëmtuar.