OpEd

Udhëtimi i Bashkimit dhe Lensit për në Perëndim

Lensi është një qenush rrugësh në Prishtinë. Gjatë drekës në njërin nga tarracë e një restoranti luksoz të Prishtinës, Lensi simpatik u spikat nga një zonjë e huaj që po përfundonte misionin e saj pranë një organizate ndërkombëtare. Pa një pa dy, ajo vendosi ta “adaptojë” Lensin dhe ta marrë me vete në atdheun e saj. Lensi është i privilegjuar. Ai gëzon lirinë e lëvizjes. I mjafton vetëm një pasaportë veterinare e lëshuar nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe dëshmia e vaksinimit. Të nesërmen Lensi fillon jetën e tij të re brenda zonës Schengen, si i barabartë dhe i barasvlershëm me qenushët e tjerë në Perëndim.

Bashkimi është një ndërmarrës i ri. Nga kursimet familjare ai realizoi ëndrrën e tij për të hapur një biznes. Ndërmarrja e tij po rritet si rezultat i punës, zellit dhe sakrificës. Bashkimi punëson sot dymbëdhjetë të rinj. Falë njohurive të gjuhës gjermane, të cilën e ka përvetësuar nga televizori, Bashkimi ka vendosur kontakte me disa kompani në Gjermani e Austri, të cilat interesohen të importojnë produktet inovative të Bashkimit. Për të detajuar kushtet e bashkëpunimit, Bashkimi është ftuar t’i takojë përfaqësuesit e këtyre kompanive. Por, ai ka një pengesë, të cilën Lensi nuk e kishte: sikundër edhe 1.8 milionë shtetasve kosovarë, atij i duhet një vizë.

Me zellin dhe elanin e një ndërmarrësi të ri, ai fillon së kompletuari dokumentacionin voluminoz për aplikim për vizë. Atij i duhet së pari një pasaportë e vlefshme dhe një kopje e saj, të cilat fatmirësisht i ka. Pastaj, merr vesh se përmes paraqitjes së pasaportës së vjetër i duhet të dëshmojë vizat të mëhershme. Por, të tilla nuk ka. Botën perëndimore Bashkimi e njeh vetëm virtualisht, nga televizori e interneti apo përmes tregimeve të gjeneratave më të vjetra, të cilat me pasaportë jugosllave mund të shëtisnin gati të gjithë botën pa viza.

Që aplikimi për vizë të merret parasysh, Bashkimit i duhet të kujdeset që pasaporta e tij të jetë e vlefshme për së paku edhe tre muaj nga dalja e fundit e planifikuar prej territorit të shteteve anëtare të Shengenit, të ketë së paku dy faqe të zbrazëta në të dhe ajo të jetë e lëshuar brenda dhjetë vjetëve të kaluara. Në të kundërtën, Bashkimit i duhet të pajiset me pasaportë të re.

Pasi që sigurohet që pasaporta është në rregull, Bashkimi plotëson formularin e aplikimit për vizë, por kupton se i duhen edhe dy fotografi pasaporte biometrike, jo më të vjetra se gjashtë muaj. Për të qenë plotësisht i sigurt se do të bëjë fotot e duhura dhe të njëjtat nuk do t’i refuzohen nga zyrtari i vizave në ambasadë, ai ndan kohë gjatë një pasditeje dhe shkon për të parë në vitrinën para ndërtesës së ambasadës shembullin e fotografive biometrike. Me atë shembull të regjistruar në telefonin e tij mobil, ai shkon te fotografi më i mirë dhe realizon për një çmim jo të lirë dy fotografitë e nevojshme.

Deri këtu, Bashkimi, ky afarist i zellshëm, ka investuar një ditë pune për të nisur procedurat e pajisjes me vizë. E një ditë pune për të dhe biznesin e tij është shumë. Këtë ai duhet ta kompensojë disi, mbase duke punuar edhe gjatë fundjavës.

Sfida e radhës e Bashkimit është pajisja me policën e sigurimit shëndetësor. Shteti i Bashkimit, edhe pse ka një Ligj për sigurime shëndetësore, as 14 vjet pas mëvehtësimit nuk ia ka dalë të krijojë një mekanizëm të sigurimit shëndetësor. Kur një ish-kryeministër kishte vënë në krye të Agjencisë për Sigurime Shëndetësorë dhëndrin e tij, qytetarët shpotisnin se kryeministri e kishte bërë këtë për të dëshmuar përkushtimin e tij që sigurimet të realizoheshin sa më parë dhe me këtë detyrë kishte ngarkuar një njeri të besueshëm të familjes, sepse profesionistët do ta linin në baltë. Sidoqoftë, dhëndëri nuk e kishte kryer detyrën e besuar nga miku i familjes, e tash Bashkimit i duhet të kërkojë një zgjidhje alternative, të cilën e gjen më pas te një kompani private sigurimesh. Polica e tij e sigurimit duhet të jetë e vlefshme për gjithë zonën Schengen, të ketë mbulesë minimale prej 30 mijë eurosh të mbulojë gjithë kohën e qëndrimit dhe të mbulojë edhe koston e transportit në rast të vdekjes apo sëmurjes, si dhe kompensimin e shpenzimeve të trajtimit. E gjithë kjo procedurë i kushton Bashkimit rreth 500 euro, si dhe një ditë tjetër pune. Bashkimi nuk guxon të harrojë të bëjë një kopje të këtij dokumenti, sepse mungesa e kopjeve nënkupton se dokumentacioni nuk është i kompletuar dhe kërkesa do të refuzohet.

Paralelisht më këtë, Bashkimit i duhet një ftesë nga partnerët e tij të ardhshëm të biznesit. Letra e ftesës duhet të përfshijë të dhënat personale të ftuesit, si dhe kopjen e pasaportës me faqen e fotografisë së ftuesit. Ftesa duhet të përmbajë të gjitha të dhënat personale të të ftuarit, arsyen e ftesës, kohën e qëndrimit të planifikuar dhe njëkohësisht të jetë e nënshkruar me dorë nga ftuesi. Kur biznesmeni i huaj, partneri potencial i Bashkimit, kupton se duhet të paraqesë gjithë këto dokumente, ai heziton sepse për të privatësia është e shenjtë dhe nuk do t’i ndajë të dhënat personale me njerëz të panjohur. Pas disa telefonatave, shpjegimeve e sqarimeve me partnerët e tij të ardhshëm, Bashkimi e kalon edhe këtë sfidë dhe merr ftesën.

Tani atij i duhet të sigurojë certifikatën e lindjes, atë të martesës dhe certifikatën familjare, pasi që ato që i ka aktualisht në sirtar, janë më të vjetra se gjashtë muaj dhe si të tilla nuk pranohen. E gjithë kjo ia merr atij edhe një ditë të vlefshme pune. Produktiviteti i tij tashmë po dëmtohet ndjeshëm sepse mungesat në punë po shpeshtohen. E biznesi ka nevojë për prezencën e tij të vazhdueshme. E gjithë kjo sakrificë e Bashkimit po bëhet për të realizuar një të drejtë, e cila tashmë i takon. Atdheu i Bashkimit ka përmbushur të gjitha kriteret për lirinë e lëvizjes, këtë parim themelor të Bashkimit Evropian. Por, lirinë që e gëzojnë të gjitha vendet e rajonit, përfshirë vendin që ka nisur katër luftëra pushtuese në vitet e 90-a e që edhe sot dekoron kriminelët e luftës, atë liri të lëvizjes që e gëzojnë edhe vendet në gjendje lufte si Ukraina, apo ato me kriza të thella politike si Venezuela, e me probleme serioze me sundimin e ligjit si Meksika e Kolumbia, qytetarët e vendit të Bashkimit nuk e gëzojnë. Ky cenim i pandershëm i lirisë së lëvizjes, që i bëhet Bashkimit dhe bashkëqytetarëve të tij, i jep atij ndjenjën e të qenët i padashur në Evropë, pjesë gjeografike e së cilës është për aq sa historia mban mend. Ky paradoks e bën Bashkimin të ndihet i mashtruar, sepse vendi i tij për më shumë se 20 vjet ka qenë pjesë e programeve më të mëdha ndërkombëtare të shtet e kombndërtimit, të cilat megjithatë nuk e bën të “denjë” që të paktën të shijojë lirinë e lëvizjes.

Cenimi i lirisë dhe privatësisë së Bashkimit shkon deri aty, sa që për t’u pajisur me një vizë, atij i kërkohet të paraqesë pasqyrat origjinale të llogarisë bankare për gjashtë muajt e fundit dhe atë me vulë origjinale dhe të nënshkruar nga banka, si dhe të paraqesë dëshmi të tjera të ardhurash, të pasurisë dhe të pronës. Në Perëndim gjëra të tilla mund të të kërkohen vetëm nga gjykata, nëse je i dyshuar për ndonjë vepër të rëndë penale. Por, Bashkimin, sikundër edhe bashkëqytetarët e tij, që janë mësuar me ndjenjën e të qenët “i dyshuar kujdestar”, kjo nuk e zmbraps. Ai ka një synim të qartë dhe do ta realizojë atë. Ai dëshiron t’i eksportojë produktet e tij dhe nuk dorëzohet. Edhe një ditë pune e humbur, edhe disa dhjetëra euro te investuara. Për pak harruam: Bashkimit i duhet edhe dokumenti në origjinali që dëshmon për pagesat e kontributit për së paku gjashtë muajt e fundit në Trustin Pensional. Fare në fund, Bashkimi duhet të rezervojë nga një dhomë hoteli në qytetet ku do të qëndrojë dhe këtë t’ia dëshmoi me dokument origjinal ambasadës.

Në ndërkohë Bashkimi shkon edhe njëherë në ambasadë për të marrë terminin për aplikim, i cili “fatmirësisht” i caktohet pas katër javësh. Të tjerët presin me muaj. Bashkimit viza i duhej më herët, më së miri dje, por s’ka ç’të bëjë, duhet të pajtohet me praktikat burokratike, që shkojnë deri në denigrim. Ai i njofton partnerët e tij potencialë se vizita duhet të shtyhet për të paktën dy muaj sepse procedurat me vizë po i marrin jashtëzakonisht shumë kohë. Katër javë më vonë, Bashkimi me dokumentet e tij të kompletuara (plus kopjet), shkon më në fund në ambasadë, për të tretën herë, kësaj radhe për të aplikuar për vizë. Pasi kalojnë dy javë nga data e aplikimit, Bashkimi merr njoftimin se ambasada nuk mund t’i japë vizën ngase konsideron se mjetet e tij financiare nuk janë të mjaftueshme për të dëshmuar se ka kapacitet financiar për të qëndruar në zonën Schengen. Si zgjidhje i rekomandohet të sigurojë një garanci financiare nga një person fizik apo juridik në vendin ku ai do të shkojë. Këtë gjë Bashkimi natyrisht se nuk mund t’ia kërkojë partnerëve të tij të mundshëm, sepse do t’ua dëmtonte reputacionin qysh në ditën e parë. Fatmirësisht, ai ka një mik fëmijërie në Perëndim, i cili merr një ditë të lirë nga puna dhe ia siguron garancinë e kërkuar kundrejt një takse prej 200 eurosh, duke marrë përsipër një rrezik në shumën prej 30 mijë eurosh, vetëm e vetëm që Bashkimi të ketë shansin për të ndërtuar një partneritet afarist jashtë vendit. Garancinë miku ia dërgon me postë të shpejtë me një kosto prej 55 eurosh, sepse posta e zakonshme nuk ia garanton sigurinë e dërgesës.

Me këtë dokument në xhep, Bashkimi arrin më në fund të caktojë terminin e ri në ambasadë dhe dorëzon kërkesën e kompletuar për vizë. Tre muaj nga fillimi i procedurës së pajisjes me vizë, Bashkimi merr njoftimin nga ambasada se viza i është aprovuar dhe mund të shkojë ta marrë në datën e caktuar kundrejt një pagese prej 80 eurosh. Buzëqeshja e tij në vizitën e gjashtë me radhë në ambasadë venitet kur kupton se viza i është lëshuar për një afat vlefshmërie prej vetëm pesë ditësh. I dëshpëruar, por edhe i vendosur për të shfrytëzuar rastin e bashkëpunimit me partnerët e tij afaristë, ai shkon në agjencinë më të afërt turistike për të prerë biletën e aeroplanit. Aty kupton se një biletë kthyese është tepër e shtrenjtë. Me ato para ai do të mund të shkonte në Chicago apo New York dhe të paguante edhe hotelin për tri ditë.

Pas shumë hamendjeve, Bashkimi vendos të udhëtojë me makinë, si alternativë më e lirë. Para nisjes, ai blen një policë sigurimi për veturën e tij, te vlefshme për Evropën perëndimore, sepse sigurimi që e paguan në vendin e vet nuk i vlen jashtë. Më pas kujdeset që përpos dëshmisë së vaksinimit, me vete të ketë edhe letërnjoftimin, sepse me pasaportë nuk i lejohet të kalojë nëpër territorin e fqinjit verior. Me të mbërritur në kufi, detyrohet t’i mbulojë simbolet e shtetit të tij në targa, për aq sa udhëton nëpër territorin e këtij vendi fqinj.

Odisejada e afaristit të ri, megjithatë, nuk përfundon këtu. Me të arritur në kufirin e Schengenit, një polic i Frontex-it, Shërbimit të përbashkët kufitar të BE-së, e njofton Bashkimin se ai nuk mund të vazhdojë të drejtojë automjetin e tij në territorin e BE-së pasi që patenta e tij e shoferi nuk njihet nga këto vende. Bashkimi duhet ose të gjejë një shofer me patentë “valide” ose të kthehet mbrapsht. Polici, i shpreh keqardhjen, por edhe simpatinë që ka për Kosovën, ku ai kishte punuar njëherë si polic i UNMIK-ut e më pas si ekspert i EULEX-it pikërisht dhe për paradoksin tjetër, në departamentin që krijoi sistemi e ri të patentë shoferëve dhe ligjet përkatëse në Kosovë.

I dërmuar e dëshpëruar, Bashkimit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të kthehet mbrapsht duke i dhënë fund hëpërhë ëndrrës së tij për të ndërtuar bashkëpunim afarist me Perëndimin. Në rrugë e sipër ai fillon të mendojë për gjithë ata biznesmenë të suksesshëm e të interesuar, që i kishte njoftuar një herë gjatë një misioni ekonomik në Stamboll. Pasi që nuk i kërkohet vizë dhe patentë shoferin ia njohin, ai vendos që udhëtimin e tij ta vazhdojë drejt Turqisë. Në këtë mbrëmje të bukur pranvere, përderisa Bashkimi udhëton drejt Lindjes, Lensi bën shëtinë e tij të radhës në një park të bukur perëndimor.