OpEd

Nuk duhet kërkuar arsye në krahasimet që Putini i bën me Kosovën

Është e kotë dhe e panevojshme që të kërkohet arsye në krahasimet që presidenti i Rusisë, Putin, i bën mes Kosovës dhe territoreve të okupuara në Ukrainë. Putini me këto krahasime nuk paralajmëron njohjen e Kosovës e as respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Sepse GJND-ja, nëse Putini e respekton, ka kërkuar edhe ndaljen e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Kosova vërtet ka qenë rast “sui generis”. Ka elemente nga rasti i Kosovës që mund të krahasohen me ndonjë rast tjetër në botë. Por nuk ka asnjë rast tjetër në botë që mund t’i ketë të gjitha elementet që i ka rasti i Kosovës. Krahasimi më i afërt është ai mes sjelljes së Rusisë dhe krimeve që po bën në Ukrainë, me krimet që i bënte Serbia në Kosovë

Mediat në Serbi, por edhe më gjerë në rajon, kanë shkruar se si presidenti i Rusisë Vladimir Putin e ka goditur me “thikë prapa shpine” mikun e tij, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këto media e kanë parë si “paralajmërim të njohjes së Kosovës nga Rusia” krahasimin që ai ka bërë mes rastit të Kosovës dhe rajoneve separatiste që po i okupon Rusia në Ukrainë. Putini në takim me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Guteres, ka thënë se ai “e ka lexuar me kujdes mendimin e GJND-së për Kosovën” dhe aty ka gjetur se si rajonet që shpallin pavarësi, duke e realizuar të drejtën në vetëvendosje, mund ta bëjnë këtë pa pëlqimin e vendit nga i cili shkëputen. Pra, Putini konkludon, ashtu siç e ka njohur perëndimi pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe Rusia i ka njohur ato të Luhanskut dhe Donjetskut.

Presidenti i Rusisë nuk ka nevojë për asnjë argument, ai i përmend disa argumente vetëm për opinionin e tij të brendshëm dhe atë pjesë të opinionit ndërkombëtar që edhe ashtu është kundër perëndimit. Krahasimi i rasteve të Donbasit dhe Luhanskut me Kosovën është vetëm një prej shumë arsyeve të paqëndrueshme që Putini i përmendi për të arsyetuar invazionin në Ukrainë. Herë përmend “luftën kundër nazizmit”, herë “ndalimin e gjenocidit kundër folësve të rusishtes”, herë “parandalimin e hyrjes së Ukrainës në NATO”, e herë “shkatërrimin e armëve biologjike dhe kimike” që kinse i paska Ukraina që i ka “prodhuar me ndihmën amerikane”.

Më herët Putini përmendte Kosovën, por si shembull se si “ilegalisht” krijohen shtetet, sepse “në Kosovë nuk ka pasur referendum”, ndërsa në Krime “ka pasur referendum”.

Krahasimet e fundit janë vetëm vazhdim i krahasimeve irracionale që bën ai. Është e kotë dhe e panevojshme që të kërkohet arsye në krahasimet që presidenti i Rusisë Putin i bën mes Kosovës dhe territoreve të okupuara në Ukrainë. Putini me këto krahasime nuk paralajmëron njohjen e Kosovës e as respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Sepse GJND-ja, nëse Putini e respekton, ka kërkuar edhe ndaljen e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Kosova vërtet ka qenë rast “sui generis”. Ka elemente nga rasti i Kosovës që mund të krahasohen me ndonjë rast tjetër në botë. Por nuk ka asnjë rast tjetër në botë që mund t’i ketë të gjitha elementet që i ka rasti i Kosovës. Krahasimi më i afërt është ai mes sjelljes së Rusisë dhe krimeve që ajo po bën në Ukrainë me krimet që bënte Serbia në Kosovë.

Argumentet për pavarësinë e Kosovës janë të shumta dhe ato i kanë përdorur për vite me radhë ata që e ka njohur Kosovën. Duke nisur nga fakti se Kosova ka qenë një prej njësive përbërëse të Federatës së Jugosllavisë që është shpërbërë. Dhe kur shpërbëhen shtetet, elementet e saj pavarësohen. Edhe ky argument u përdor në Hagë në GJND. Kosova edhe në ish-Jugosllavi ka pasur territorin, popullsinë, administratën si rajon autonom. Edhe kufijtë që ishin kufij të brendshëm administrativë të Jugosllavisë. Pastaj kishte shembull konkret, të dokumentuar mirë, të diskriminimit etnik, dhunës, represionit, krimeve të luftës e pastrimit etnik. Këtë e kishte kryer shteti i Serbisë, duke planifikuar dhe zbatuar në mënyrë sistematike këto krime. Këto krime u dokumentuan edhe nga Gjykata e OKB-së në Hagë, e cila dënoi personat kryesorë politikë, ushtarakë dhe policorë të shtetit të Serbisë.

Dhunën në Kosovë e kryen ata që e bënë më herët në Kroaci dhe Bosnjë.

Pastaj pati proces ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje politike. Ky proces zgjati me vite dhe nisi nga përpjekjet për hapjen e shkollave duke përfunduar me konferencën në Rambouillet. Rusia ishte pjesë e të gjitha këtyre përpjekjeve. Dhe ishte pajtuar me të gjitha hapat në këtë proces, pos me propozimin e fundit duke u arsyetuar se nuk pranon atë që nuk e pranon Serbia. Pastaj ndërhyri NATO dhe Kosova u vendos nën administrim të përkohshëm ndërkombëtar, atë të OKB-së. Ky administrim ndërkombëtar, nën praninë ushtarake ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja me leje të OKB-së ishte i përkohshëm dhe ndërkohë, do të duhej të arrihej zgjidhja përfundimtare e statusit. Kjo zgjidhje u arrit pas nisjes së negociatave të udhëhequra nga ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari. Dhe ai në rolin e të dërguarit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Dhe me udhëzime të Grupit të Kontaktit, me të cilat ishte pajtuar edhe Rusia. Pasi Ahtisaari bëri propozimin e tij, BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia bënë edhe një përpjekje shtesë të përbashkët, përmes Trojkës, për të arritur zgjidhje me marrëveshje mes palëve, pra mes udhëheqësisë së Kosovës dhe Serbisë. Njëra prej pikave të udhëzimeve ishte se asnjëra palë nuk mund ta bllokojë zgjidhjen. Duke u nisur nga kjo, ndonëse Serbia nuk e pranoi pakon e Ahtisaarit, më saktësisht propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit, Kosova e pranoi dhe në bazë të këtij propozimi shpalli pavarësinë. Nuk ishte lehtë, sepse forma e kësaj pavarësie dhe baza e shtetit nuk ishin krejt ashtu siç i kishin dashur shqiptarët. Por ky ishte çmimi i pavarësisë që Kosova e pranoi, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sot është në pushtet si parti politike.

Serbia për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, së pari bëri verime të dhunshme, duke sulmuar disa nga ambasadat e vendeve që mbështetën pavarësinë e Kosovës dhe duke organizuar pengim të ushtrimit të pushtetit të Kosovës në disa pjesë të territorit. Pastaj Serbia bëri “përpjekje juridike”, duke kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të shprehet se a ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pas shumë argumenteve, GJND-ja dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare e as të Rezolutës së Këshillit të sigurimit të OKB-së 1244.

GJND-ja nuk ka përmendur një argument, por shumë argumente. Rusia kishte paraqitur argumentet e saj kundër pavarësisë së Kosovës, Pak a shumë argumenti i Rusisë ishte se “në momentin kur shpalli pavarësinë, Kosovës nuk i kanosej ndonjë rrezik, sepse aty ishte NATO-ja”. Pra argumenti i Rusisë, gjithsesi duke përdorur elementin e “rrezikut” që atëherë ishte menduar të përdoret për rastet e rajoneve separatiste në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Atje “u kanoset rreziku ruso-folësve” dhe nga kjo “buron e drejta e tyre për pavarësi” dhe “detyra e Rusisë për t’u shkuar më mbrojtje”.

Ka ngjashmëri të madhe me argumentet e Serbisë. Edhe Serbia nisi politikën e saj agresive serbomadhe me inskenimet edhe ekzagjerimet për rrezikun që u kanosej serbëve në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Pastaj përdori Kishën Ortodokse, si organizatë parapolitike, ashtu siç po e bën sot Rusia, duke pretenduar se ajo kinse “është në rrezik”. Sikur dikur Serbia, ashtu sot Rusia në vend që të përdorë pjesëtarët etnikë të këtyre popujve në vendet e tjera si lidhje me këto vende, i keqpërdor si vegël për agresion, shkatërrime dhe krime ndaj popujve të tjerë.

Ka në botë popuj që e meritojnë të kenë shtet e nuk kanë. Ka edhe rajone që e meritojnë të pavarësohen e nuk janë pavarësuar. Por nuk ka vend, i cili ka qenë rast i qartë i diskriminimit etnik, pastrimit etnik, krimeve të luftës, që ka qenë nën administrim ndërkombëtar, për të cilin ka pasur proces ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit, për të cilin GJND-ja ka dhënë mendimin se nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e shpallur pavarësinë, dhe të cilin si shtet e kanë njohur më shumë se 110 shtete të tjera të botës, kryesisht shtete me traditë demokratike. Këtë e ka vetëm Kosova.

Pohimet e Putinit madje janë të rrezikshme, sepse kanë për qëllim për të krijuar më shumë kaos në Ballkan. Këto deklarata mund të merren si argument nga Serbia për të kërkuar “pavarësi” apo “bashkim me Serbinë” të veriut të Kosovës, gjysmës së Bosnjë-Hercegovinës dhe një pjese të Malit të zi. Prandaj duhet insistuar se rasti i Kosovës mund të jetë i ngjashëm me pavarësimin e atyre republikave dhe krahinave autonome që ishin pjesë konstitutive e ish-federatës tetë-anëtarëshe të Jugosllavisë, që deshën të pavarësoheshin. Por nuk mund të merret si shembull për pjesë të tjera të Evropës, e sidomos jo si argument për të bërë invazion dhe shkatërruar një shtet për të bërë krime siç po bën sot Rusia në Ukrainë.